Standarde të dyfishta në zbatimin e masave kundër koronavirusit

Pronari i një lokali në komunën e Prizrenit është dënuar me 200 euro më 5 shkurt nga Inspektorati Sanitar për mosrespektim të distancës brenda lokalit nga ana e klientëve, si masë parandaluese për përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Ai nuk pranoi të bëjë publik emrin e tij për shkak të frikës që mund të ndëshkohet prapë, por e ndau me Radion Evropa e Lirë fletëpërmbajtjen për kundërvatje.

Në përshkrimin e kundërvajtjes, thuhet se është bërë inspektimi i subjektit në fjalë për masat anti-COVD-19 dhe se në momentin e inspektimit është hasur në një grumbull të madh të njerëzve, të shërbyer në mungesë të distancës së paku dy metra. Shtohet se me këtë është kundërshtuar Ligji për parandalimin e pandemisë COVID-19.

REL-i ka kontaktuar edhe disa pronarë të lokaleve që janë ndëshkuar nga inspektoratet në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për shkak të frikës se ndëshkimit nga institucionet zbatuese të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës.

Ky ligj, në Kuvendin e Kosovës është miratuar në muajin gusht të vitit ë kaluar. Ligji parasheh dënime nga 35 deri në 2,000 mijë euro për të gjithë ata që shkelin masat e vendosura nga institucionet kompetente.

Kllokoqi: Qytetarët në lokale ndëshkohen, por jo në tubime elektorale
Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, thotë se autoritetet kompetente po përdorin standarde të dyfishta. Ai shprehet se pronarët e lokaleve po ndëshkohen për një numër të caktuar të klientëve në lokal, kurse partitë politike po grumbullojnë qindra simpatizantë pa maska dhe pa distancë dhe në raste të rralla ndëshkohen.

“Për këtë arsye, ne kemi kërkuar falje të dënimeve. Dhe, së paku mos të na ndalojnë pas mbarimit të zgjedhjeve, pasi e shohim se të gjithë politikanët dhe subjektet politike i kanë shkelur të gjitha rregullat”, thotë Kllokoqi.


Ligji për parandalimin e pandemisë, thotë ai, duket se nuk vlen për partitë politike në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.

Të gjitha partitë politike në territorin e Kosovës, janë duke mbajtur tubime në ambiente të mbyllura dhe të hapura, pa maska, pa distancë, pa dezinfektues, por me qindra të pranishëm.

Sipas vendimit të 14 janarit 2021 të qeverisë në detyrë, në kohën e mbajtjes të këtyre tubimeve, në ambiente të mbyllura lejohen vetëm 30 persona, ndërsa në hapësira publike deri në 50, gjithmonë duke respektuar masat kundër COVID-19.

Avdullah Hoti në një tubim elektoral në Gjilan.
Avdullah Hoti në një tubim elektoral në Gjilan.
Policia e Kosovës ka shqiptuar 132.657 gjoba për shkelësit e ligjit
Për shkelësit e këtyre vendimeve, masa ndëshkimore shqiptohen nga Policia e Kosovës, inspektorët sanitarë të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK) e inspektorët komunalë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë Kosovës nëse deri më tani ka parandaluar ndonjë tubim partiak ku nuk janë respektuar masat dhe a janë ndëshkuar simpatizantë të partive politike, që në disa raste kanë qenë me qindra. Por, në përgjigjen e zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, thuhet se “nga fillimi i zbatimit të Ligjit anti-COVID-19, janë shqiptuar 132,657 gjoba” pa specifikuar se a është ndëshkuar ndonjë parti politike apo qytetarë pjesëmarrës në tubime partiake.


Masat kundër COVID-19: Për ju vlejnë, për politikën jo
Në anën tjeter, Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK-ut, thotë se gjatë këtij viti, kjo agjenci ka gjobitur 227 subjekte juridike, duke përfshirë edhe subjektet politike.

“Në mesin e këtyre 227 gjobave që janë shqiptuar, ka gjoba të shqiptuara edhe për mbajtjen e organizimeve të ndryshme, por që inspektori nuk e ka detyrë të identifikojë grupet kujt i përkasin. Por, sigurisht që ka gjoba edhe për subjektet politike, që kanë organizuar tubime, në kundërshtim me Ligjin kundër COVID-19 dhe kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës”, thotë Thaçi.

Ndëshkohen partitë, por jo edhe pjesëmarrësit në tubime elektorale
Në Kosovë që nga 3 shkurti zhvillohet fushata parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Në pothuajse të gjitha tubimet, shihet numri i madh i njerëzve, të cilët nuk i respektojnë masat mbrojtëse.

Lëvizja Vetëvendosje fushatën elektorale, më 10 shkurt e ka mbajtur në qytetin e Prizrenit. Në këtë takim nuk janë gjobitur qytetarët, por tiketë i është shqiptuar organizatorit, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefi i Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj. Tiketa për organizime të tilla është 2,000 euro gjobë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në një tubim elektoral në Prizren.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në një tubim elektoral në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë se Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, deklaron për Radion Evropa e Lirë se më 10 shkurt në këtë komunë janë dënuar tri parti të ndryshme politike për organizimin e tubimeve. Njëra prej tyre ka qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në ambient të mbyllur edhe Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur takim me qytetarët në komunën e Drenasit. Edhe kjo parti është ndëshkuar me gjobë 2,000 euro, thotë Milaim Hajdari, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në këtë komunë. Por, nuk ka informacione se a janë dënuar qytetarët pjesëmarrës në këtë takim, pasi zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë qenë të paqasshëm.

“Tubimet elektorale do ta rrisin numrin e të infektuarve”
Aktivitetet e organizuara nga partitë politike, më pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, duke shkelur masat mbrojtëse, po konsiderohen shqetësuese për infektologun Murat Mehmeti. Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tubimet e tilla do të ndikojnë në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus.

“Pritet që të ketë rritje të numrit të personave të infektuar, madje është e pritshme që të rritet edhe numri i personave që do të kenë ecuri më të keqe të sëmundjes. Normalisht, që kur ka rritje të numrit të të sëmurëve, pritet që të ketë edhe vdekje më shumë, pa diskutim. Pastaj, dihen kapacitetet e sektorit të shëndetësisë çfarë janë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë mbingarkesa në spitale, siç ka ndodhur në periudhën korrik-gusht, kur ka pasur ngarkesë tejet të madhe”, shprehet Murati.


Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 63.433 persona të infektuar me këtë virus.

Prej tyre, 1,534 pacientë kanë vdekur.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim të enjten për lehtësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit. Me vendimet e reja, në tubimet publike, të organizuara në ambiente të hapura mund të marrin pjesë 80 persona, derisa në ato të mbyllura deri në 50 persona, për dallim nga 30 persona sa janë lejuar në hapësira të mbyllura dhe 50 në ato të hapura deri më tani.

Mikrobiologu Lul Raka, kryesues i Bordit Këshillëdhënës për koronavirus, ka thënë se nuk është konsultuar për një propozim të tillë.