Presidentja e Kosovës

Osmani në SHBA: Serbia po punon kundrejt gjithçkaje që është bërë në rajon

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve që ka zhvilluar të mërkurën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë pjesë e një diskutimi edhe në organizatën “World Affairs Council” në Dallas. 

Aty ka diskutuar për rrugëtimin e Kosovës dhe zhvillimet në vend në dritë të dinamikave sfiduese globale. Osmani ka thënë se Serbia po punon kundër gjithçka që SHBA-ja ka bërë në rajon. 

“Kosova është sot storie suksesi e mbështetjes së SHBA-ve, teksa Serbia me miqtë e saj po duan të godasin vlerat e etabluara nga mbështetja amerikane duke punuar kundrejt gjithçkaje që kanë bërë SHBA-të në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka theksuar se garantimi i sigurisë në Kosovë është garancë për sigurinë në Evropë.

“Prandaj, angazhimi dhe mbështetja e vazhdueshme për garantimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, është garancë për siguri në tërë kontinentin evropian, por edhe në SHBA, po ashtu”.