S’ka unitet për “kompromisin” mes Kosovës e Serbisë, shtatë emisarë për një marrëveshje

Dialogu në prapaskenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes vajtje-ardhjeve të emisarëve ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve, tani është më i intensifikuar.

Një kastë e tërë e top-diplomatëve ndërkombëtarë janë angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë kur dialogu ka hyrë në fazën finale, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, nga dialogimi që synonte njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në OKB, me Albin Kurtin kryeministër ky dialog ka degraduar dhe tani po negociohet për krijimin e Asociacionit, pa njohje të Kosovës nga Serbia, pa sigurimin e ulëses në OKB dhe pa garancione se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së do të ndryshojnë qëndrim dhe do ta njohin Kosovën.

Diplomatë të “artilerisë së rëndë” nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia e Sllovenia kohëve të fundit kanë vizituar shpesh Kosovën në përpjekje për ndërmjetësimin e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kush janë diplomatët e angazhuar në zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës e Serbisë?

Gabriel Escobar është Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit që mbikëqyr politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës së Shtypit dhe Diplomacisë Publike. Më parë, ai ka shërbyer si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Beograd, ndërsa vendin për pozitën që mban sot ia zuri Mathew Palmerit.

Escobar gjatë viteve 1998-2001 kishte përfunduar katër turne të njëpasnjëshme në ish-Jugosllavi, duke përfshirë shërbimin si shef i shtabit për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Llukë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Shef i Zyrës së Degës së Ambasadës në Banja Luka, Zv. Shef i Ekipit Ndërlidhës Diplomatik të SHBA në Podgoricë dhe shef i Njësisë Politike në Beograd, menjëherë pasi Ambasada Amerikane u rihap në 2001.

Mesazhet e Escobarit për Qeverinë e Kosovës kryesisht ishin se duhet përmbushur të gjitha obligimet e nënshkruara në dialog me Serbinë, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Për Asociacionin, Escobar është shprehur se ShBA-ja do të jetë pjesë e procesit dhe sipas tij, ai proces duhet ta përfshijë Qeverinë e Kosovës.

“Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën, duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, ishte shprehur Escobar gjatë vizitës së tij në Kosovë, në dhjetor të vitit që lamë pas, shkruan Demokracia.com.

Hera e fundit kur Escobar ka qëndruar në Prishtinë ka qenë javën e kaluar kur erdhi bashkë më katër diplomatët e tjerë të huaj.

Një emër tjetër është emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili është parë që nga fillimi me një skepticizëm nga liderët kosovarë, pasi ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur akoma shtetin e Kosovës, Sllovakia.

Kundërshti për Lajçakun kishte edhe ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili pati thënë se ai nuk do të participojë në asnjë proces të prirë nga sllovaku.

Kjo deklaratë e Thaçit pati bërë jehonë në media ndërkombëtare, të cilat patën raportuar për qëndrimin e ish-presidentit dhe kërkesën e tij që SHBA të ketë rol dominues në procesin e dialogut.

Intensitet më të madh, dialogu mes Kosovës e Serbisë ka marrë gjatë vitit të kaluar kur Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i dërguan letër kryeministrit të vendit, Albin Kurti e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku thanë se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, në mënyrë që t’i jepet mbështetje Lajçakut.

I ngarkuari i Scholzit është Jens Plettneri, i cili është edhe këshilltar për politikë të jashtme dhe siguri i kancelarit Scholz. Ai është një politikan me përvojë të gjatë në MPJ-në gjermane. Plettner nga viti 2009 deri në vitin 2012 ishte ambasador në Sri Lanka, pastaj nga 2012 deri në 2013 u bë ambasador në Tunizi.

Një vit më vonë, ai u bë shef i kabinetit të ish-ministrit të Jashtëm, Frank Walter Steinmeier, që tash është president.

E, nga viti 2017 deri në vitin 2019, Plettner u bë ambasador i Gjermanisë në Athinë. Në prill 2019, ai u emërua drejtor politik i Ministrisë së Jashtme dhe u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Punëve të Jashtme, Heik Maas. Nga viti 2021, pas zgjedhjeve, ai u bë këshilltari kryesor i kancelares gjermane për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Në këtë proces është angazhuar edhe Emmanuel Beaune, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Ai është edhe përfaqësuesi personal i presidentit francez që përgatit samite të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë G7 dhe G20. Gjithashtu, nga viti 2000 deri në vitin 2003, ai ishte redaktor në administratën qendrore, në Departamentin për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Më pas, nga viti 2003 deri në vitin 2006, ai ishte këshilltari i dytë në Iran dhe më pas deri në vitin 2009, këshilltari i parë në Riad të Arabisë Saudite.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012 ka qenë këshilltari i dytë i Misionit të Përhershëm të Francës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ndërsa deri në vitin 2015 ka qenë këshilltar për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme në njësinë diplomatike të Presidencës së Republikës.

Beanue më pas u bë ambasador i Francës në Liban, ku ishte nga viti 2015 deri në vitin 2017. Deri në ardhjen e tij për momentin, nga viti 2017 deri në vitin 2019, ka qenë shef i kabinetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Pikërisht janë dyshja Beaune-Plottner që vitin e kaluar Kosovës e Serbisë ia kanë sjellë propozimin e ashtuquajtur franko-gjerman. Më vonë, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pati thënë se ai ishte një propozim evropian.

Së fundmi kësaj kaste të diplomatëve i është bashkuar edhe Francesco Talo, këshilltari për politikë të jashtme i kryeministres së Italisë, Giorgina Melini.

Talo më herë ishte përfaqësues i Italisë në NATO dhe ish-ambasador në Izrael. Kurse, gjatë ditës së djeshme i njëjti pati një takim më këshilltarin e lartë të DASH-it, Derek Chollet, i cili qëndroi javën e kaluar për vizitë në Kosovë e Serbi, shkruan Demokracia.com.

Nga viti 2021 edhe Mbretëria e Bashkuar ka Sir Stuart Peach, si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Peach, i cili mban titullin “Sir”, e mori detyrën e re pas dorëheqjes nga detyra e shefit të Komitetit ushtarak të NATO-s më herët, pozitë që e ka mbajtur nga viti 2018.

Ai ka shërbyer më herët edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.

Në njoftimin për emërimin ishte është thënë se i dërguari i posaçëm do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe Sllovenia ka angazhuar një diplomat për Ballkanin Perëndimor dhe ai është Anzhej Frangesh.

Më 24 maj 2018, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, emëroi Anzhej Frangesh si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Sllovenisë në Bullgari.

Frangesh iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në vitin 2003. Gjatë punës së tij në ministri, nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai u dërgua në Ambasadën e Sllovenisë në Beograd, ku u fokusua në bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Sllovenisë e Serbisë dhe nga afër u mor me çështjen e Kosovës.

Në vitin 2011, ai u dërgua në misionin EULEX në Kosovë. Për tri vjet, ai kreu detyrat e Zyrtarit Rajonal Ndërlidhës për Beogradin dhe Prishtinën dhe, ndërmjet 2014 dhe 2016, ai ishte i angazhuar si pjesë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm – Delegacioni i BE-së në Beograd, me fokus në dialogun Serbi-Kosovë.

Pas kthimit në Slloveni, ai shërbeu si Këshilltar i Kryeministrit për Punët e Jashtme, derisa mori detyrën e ambasadorit në Bullgari.