Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kanë dedikuar tri salla të konferencave në ambasadën amerikane për nder të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, nënoficerit të lartë David Gibbs dhe nënoficerit tjetër të lartë, Kevin Reichert.
Në njoftimin e ambasadës së ShBA-së në Kosovë, thuhet se emërtimi i këtyre sallave të konferencave shprehet mirënjohje për kontributin e tri figurave për avancimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik në Kosovë nga Sllobodan Millosheviqi.
“Përkushtimi i thellë i Sekretares Albright ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj të palodhshme ia mundësuan qytetarëve kosovarë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të rindërtonin jetën e tyre dhe të zhvillonin vendin e tyre të lirë, të pavarur, shumetnik dhe demokratik”.
“Nënoficerët e lartë Gibbs dhe Reicher u vranë më 5 maj 1999 ndërsa po mbështetnin fushatën ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin e ambasadës, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë ceremoni, Hovenier tha se ishte i prekur dhe i privilegjuar për të nderuar trashëgiminë e tri figurave, që bashkë me aleatët e ShBA-së kontribuuan për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik.
“Jam i prekur dhe i privilegjuar që jemi mbledhur sot për të nderuar trashëgiminë e tre individëve që së bashku me aleatët tanë, në mënyrë domethënëse i kontribuuan përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit në Kosovë 25 vjet më parë”, tha Hovenier, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, e para e shtetit tha se me emërimin e këtyre sallave, ShBA-ja po i rikonfirmon vlerat dhe virtytet e secilit prej tri figurave.
“Duke i dedikuar këto salla të konferencave, Departamenti i Shtetit, ambasadori Hovenier dhe stafi i shkëlqyeshëm në ambasadën e ShBA-së po bëjnë më shumë se vetëm emërimin e një hapësire. Ata po i ri-konfirmojnë vlerat dhe virtytet që secili prej këtyre individëve i mishëronte gjatë shërbimit të tyre ndaj ShBA-së, Kosovës dhe botës”.
“Dhe është më se e drejtë që këto salla të emërohen për nder të sekretares Albright, një kampione e popullit të Kosovës dhe kampione për demokraci, si dhe për nder të nënoficerëve të lartë Gibbs dhe Reichert, të cilët sakrifikuan jetën e tyre gjatë ndërhyrjes së NATO-s për të ndihmuar për të shpëtuar jetën e të tjerëve”, tha Osmani.
Kurse, e veja e nënoficerit të lartë, Gibbs Jean Gibbs, tha se emërtimi i një salle në emrin e ish-bashkëshortit të saj, do të thotë shumë për të dhe familjen e saj, që kujtimi për të jeton akoma.
“Ambasador Hovenier, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj jush dhe ambasada amerikane për dedikimin e një salle të konferencave për nder të David Gibbsit. Do të thotë shumë për mua dhe familjen time që kujtimi i tij jeton. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për presidenten Osmani dhe shtetin e Kosovës për memorialin në kujtim të Davidit dhe Kevinit”.







