Shënohet Dita Botërore kundër HIV/AIDS në Kosovë: “Stop AIDS, mbroje veten dhe të tjerët”

Data 1 dhjetor është përcaktuar si Ditë Botërore kundër HIV/AIDS. Numri i të prekurve me virusin HIV në botë po rritet me ritme të shpejta, prandaj kjo me të drejtë cilësohet si sëmundja më e rrezikshme e dekadave të fundit.

Kosova kategorizohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, veçanërisht në mesin e komunitetit MSM (meshkuj që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj), por edhe në mesin e njerëzve që injektohen me drogë, njerëzve në burgje dhe ambiente të tjera të mbyllura, punonjësve nëpër shtëpi publike dhe klientët e tyre, etj.

Që nga viti 1986 deri në vitin 2020, në Kosovë janë raportuar më pak se 150 raste, ku Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh të raportuar. Pa investime të duhura, prevalenca në rritje e HIV-it midis komunitetit MSM do të vazhdojë të rritet, me parashikime që sugjerojnë se mund të jetë në rreth 4% deri në 2022.

Kosova ka mbajtur një nivel të ulët të prevalencës së HIV-it gjatë dekadës së fundit dhe pjesërisht kjo mund t’i atribuohet edhe investimeve të kaluara nga institucionet përgjegjëse. Megjithatë, ekzistojnë shumë mundësi për ta përmirësuar edhe më tepër këtë gjendje, sepse rreziku është permanent. Kosova si vend përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-së në rritje, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve në vendet me prevalencë të lartë dhe të gjithë këta faktorë mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse nuk kemi adresim në mënyrë të drejtë.

Fushata me moton “Stop AIDS: Mbroje veten dhe të tjerët”, u organizua si nevojë për të dhënë mesazhe sesibilizimi për të gjithë qytetarët, që të mbrohen sa më shumë me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Projekti u zhvillua në Prishtinë dhe Graçanicë, ku u bë shpërndarja e fletëpalosjeve te qytetarët e të gjitha komuniteteve me informacione të përgatitura nga ekspertë në fushën e HIV/AIDS.

Ndërgjegjësimi për këtë problematikatë është i rëndësishëm me qëllim të mbajtjes së prevalencës së ulët të HIV-it në mesin e popullsisë së përgjithshme dhe asaj që më së shumti rrezikon të preket.

Lufta kundër HIV-it nuk nënkupton vetëm për t’i dhënë fund transmetimeve, mirëpo edhe stigmës së njerëzve që jetojnë me HIV, të cilët ende përballen me nivele të papranueshme diskriminimi dhe stigmatizimi që mund t’i kufizojnë mundësitë e tyre, duke i penguar ata që të jetojnë jetë të plotë dhe të lumtur.

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së personave të prekur nga HIV dhe AIDS në Kosovë, fushatat senzibilizuese duhet të jenë më të mëdha për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të siguruar që njerëzit që jetojnë me HIV të kenë qasje të plotë në kujdesin shëndetësor, arsimim, punë dhe të drejta tjera, të cilët i gëzojnë gjithë qytetarët.

Është pikërisht virusi HIV që prek imunitetin e njeriut, duke demtuar sistemin e mbrotjes së organizmit, që shkakton edhe AIDS-in. Nga dëmtimi i sistemit mbrojtës, organizmi nuk është në gjendje më të luftojë sëmundjet, duke çuar kështu në degradimin e tij. Specialistët shpjegojnë se virusi vdekjeprurës HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të çdo lëngu trupor të njeriut, gjak, sekrecione, qumësht gjiri, etj.

Rrugët e transmetimit të HIV/AIDS:

  • Përmes transfuzionit të gjakut, shiringave apo gjakut të infektuar;
  • Marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, me persona bartës të HIV-it;
  • Nga nëna e infektuar tek fëmija gjatë shtatzanisë, lindjes apo gjatë ushqyerjes me gji.

Rrugët më anë të të cilave nuk transmetohet HIV/AIDS:

  • Nëpërmjet kontakteve të zakonshme, si prekja, shtërngimi i duarve, puthjet;
  • Gjatë kollitjes apo teshtitjes;
  • Nga pickimi i insekteve të ndryshme;
  • Gjatë përdorimit të përbashkët të tualetit, pishinave dhe dushit;
  • Gjatë ngrënies ose pirjes me një person të infektuar;
  • Gjatë shoqërimit me personat e infektuar.

Në Kosovë të gjithë personave të diagnostikuar me HIV/AIDS, përveç këshillimit dhe testimit, u sigurohet edhe terapia antiretrovirale. Edhe pse nuk ka shërim për infeksionin HIV, megjithatë barnat efektive antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojnë virusin dhe të ndihmojnë në parandalimin e transmetimit, në mënyrë që njerëzit me HIV dhe ata me rrezik të konsiderueshëm të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme, të gjatë dhe produktive.