Video

Chelsea konfirmon zyrtarisht largimin e Silvas në fund të sezonit

Chelsea ka konfirmuar largimin e Thiago Silvës nga klubi në fund të sezonit.

Klubi publikoi videon e mëposhtme duke njoftuar largimin e veteranit 39-vjeçar.

Silva luajti 151 ndeshje për Chelsean dhe shënoi 9 herë. Ai fitoi Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube gjatë kohës së tij në klub.

“Pas katër viteve në Chelsea, Thiago Silva do të largohet nga klubi në fund të sezonit 2023/24”, thuhet në deklaratën e klubit londinez.

“Që kur mbërriti si transferim i lirë në gusht 2020, Thiago ka bërë 151 paraqitje për Blutë, ka fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën”.

Thiago u ka dërguar fansave të Chelseat një mesazh lamtumirës.

“Chelsea do të thotë shumë për mua. Kam ardhur këtu me qëllimin që të qëndroj vetëm një vit dhe përfundoi katër vjet. Jo vetëm për mua, por edhe për familjen time”, deklaroi braziliani.

“Djemtë e mi luajnë për Chelsean, kështu që është një burim i madh krenarie të jesh pjesë e familjes Chelsea – me plotë kuptimin sepse djemtë e mi janë këtu. Shpresoj që ata të mund të vazhdojnë karrierën e tyre këtu në këtë klub fitimtar ku shumë lojtarë dëshirojnë të jenë pjesë”.

“Mendoj se në gjithçka që kam bërë këtu gjatë katër viteve, kam dhënë gjithmonë gjithçka. Por, për fat të keq, çdo gjë ka një fillim, një mes dhe një fund. Kjo nuk do të thotë se ky është një fund përfundimtar. Shpresoj ta lë derën hapur që në një të ardhme të afërt të rikthehem, ndonëse në një rol tjetër këtu”.

“Por…është një dashuri e papërshkrueshme. Mund të them vetëm faleminderit”, ka shtuar më tej Silva. /Telegrafi/