Samiti i Madridit dhe Shqipëria

Shkruan: Halil Rama

Në Samitin e NATO-s që u zhvillua në Madrid, Spanjë, përveç ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, si pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, ishte edhe zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu. E vetmja grua shqiptare me gradën gjeneralmajor, aktualisht numri një i Forcave tona të Armatosura (e komanduar, pas zgjedhjes së ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj, në funksionin e Presidentit të Republikës), ajo e vlerëson mbajtjen e këtij Samiti 3 – ditor si një moment historik, për vendimet mjaft të rëndësishme që u morën për orientimin e kursit të sigurisë dhe mbrojtjes në një situatë delikate sigurie, ku Rusia dhe Kina vijojnë të sfidojnë rendin botëror të bazuar në rregullat ndërkombëtare.

Parë në këndvështrimin e strategjisë sonë të mbrojtjes, gjeneralmajor Shehu evidenton vlerësimin e rolit të Shqipërisë si aleate e NATO-s nga Presidenti i SHBA, Joe Biden, dhe sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg. Dhe ky vlerësim nuk është i rastësishëm. Referuar edhe vlerësimit të ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, në 13-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në Aleancë, se roli dhe vlerat e Shqipërisë si aleat i NATOs vijojnë të rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe se së shpejti ekspertë amerikanë do të nisin një program të ri, i cili do të sigurojë që Shqipëria përmbush objektivat e kapaciteteve të NATO-s, gjeneralmajor Shehu, veç të tjerash e argumenton këtë me faktin se aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. Po ashtu, edhe për faktin se Shqipëria kontribuon në rritjen e gatishmërisë së forcave aleate dhe modernizimin e strukturës së komandës ushtarake. Paralelisht, Shqipëria, bazuar në pozicionin e saj gjeografik dhe si anëtare fillestare e Koalicionit Global kundër të vetëquajturit “Shtet Islamik”, ajo mbështet aktivisht rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit si dhe projektimin e stabilitetit në dhe përreth zonës euroatlantike.

Në takimet e shtuara të nivelit të lartë politik në NATO, që prej datës 24 shkurt të këtij viti, Shqipëria, krahas vendeve të tjera të NATO-s, ka dënuar ashpër sulmin e provokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe si një kërcënim tepër serioz për sigurinë euroatlantike. Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e vullnetit të palëkundur të NATO-s për të bërë gjithçka që duhet për të siguruar dhe mbrojtur të gjithë vendet aleate.

Rolin e vendit tonë në Aleancë, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu e sheh edhe në kuadrin e përpjekjeve të Aleancës për mbrojtjen dhe sigurimin e territorit të Aleancës Atlantike, ku Shqipëria është dhe do vazhdojë të jetë plotësisht e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në suazën e NATO-s. Kështu,-pohon gjeneralmajor Shehu, në dimensionin thelbësor aleat të Mbrojtjes dhe Shkurajimit, Shqipëria kontribuon ushtarakisht në përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë, nëpërmjet vënies në jetë të Pranisë së Përparuar të NATO-s në Lindje –EfP (Enhanced Forëard Presence).

Nga Samiti i Madridit, ajo evidenton gjithashtu, se një vëmendje e veçantë që iu kushtua rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili vlerësohet si një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Kjo edhe për faktin se në këtë Samit u theksua se vendet e tij që aspirojnë për anëtarësim në strukturat euroatlantike, do të kenë mbështetjen nga Aleanca.

Qeveria shqiptare shprehu vlerësimin e saj për marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, që i hap rrugë anëtarësimit të dy vendeve nordike në NATO. Kryeministri Edi Rama propozoi nga ana e tij që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe, duke kërkuar nga vendet që nuk e kanë njohur të vlerësojnë qëndrimin e tyre.

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të NATO-s miratuan Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, duke përcaktuar prioritetet kryesore dhe qasjet për adresimin e sfidave për dekadën e ardhshme. Ndryshe nga Koncepti Strategjik i vitit 2010, i cili e cilësonte Rusinë si “partner strategjik”, koncepti i ri e paraqet atë si “rreziku më i madh i drejtpërdrejtë i Aleancës”, ndërsa Kinën si një vend në rritje dhe me politika ambicioze për të sfiduar interesat dhe sigurinë e Aleancës.

Pikërisht në këtë këndvështrim i sheh vendimet dhe rëndësinë e këtij samiti drejtuesja kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Manushaqe Shehu (nga data 16 janar 2018 e në vijim kryen detyrën e zëvendësshefit të SHP të FA), e cila vjen në këtë funksion mjaft të rëndësishëm pas një karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare. Veçanërisht gratë dhe vajzat oficere krenohen me profilin e shefes së tyre, doktore e shkencave, gjeneral major dhe juriste. Mbi të gjitha, tek ajo spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare. /Panorama/