Gaza

Gjykata Ndërkombëtare Penale po shqyrton lëshimin e një urdhërarresti për Netanyahun

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) po heton veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

Siç raportojnë mediat izraelite, ka informacione se Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë po shqyrton lëshimin e urdhërarresteve për zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Mirëpo, rasti i ICC-së është i ndarë nga rastet e tjera të ngritura kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke përfshirë atë të paraqitur nga Afrika e Jugut e cila e akuzon Izraelin për gjenocid në Gazë.

Bëhet e ditur se përveç Netanyahut i cili beson se hetimi është “fyes”, urdhërarrest mund të lëshohet edhe për Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe shefin e shtabit Herzi Halevi.

Ndryshe, së fundmi të dy palët e përfshira në konflikt kanë diskutuar mbi propozimet për një armëpushim të mundshëm, shkruan euronews.

Përpjekjet për të ringjallur bisedimet për armëpushim janë shtuar së fundmi për të ndaluar ofensivën izraelite në Rafah ku strehohet pothuajse gjysma e popullsisë.

“Vetëm një sulm i vogël është e gjitha që duhet për t’i detyruar të largohen të gjithë nga Palestina dhe ne të jemi dëshmitarë të katastrofës më të madhe në historinë e popullit palestinez”, tha presidenti palestinez, Mahmud Abbas.

Ndërkohë, Izraeli thotë se dërgesat e ndihmave në Gazë janë rritur.

“Gjatë javëve të fundit, sasia e ndihmave humanitare që shkon në Gazë është rritur ndjeshëm. Në ditët në vijim, sasia e ndihmës që shkon në Gazë do të vazhdojë të rritet edhe më shumë. Ushqim, ujë, furnizime mjekësore, strehim, pajisje dhe ndihma të tjera”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari.

Megjithatë, sipas një raporti nga OBSH-ja, uria në Gazë është e pashmangshme dhe mbi 70 për qind e popullsisë vuan nga nivele katastrofike të urisë. /Telegrafi