Superliga e Maqedonisë

Garë e nxehtë për titullin në Maqedoni, Struga dhe Shkupi ndajnë kreun

Superliga e Maqedonisë së Veriut në futboll në katër xhirot e mbetura deri në fund të sezonit do të prodhojë ndeshjet interesante, ku gara më e nxehtë është ajo për titullin e kampionit mes tre ekipeve shqiptare.

Xhiroja e fundit e luajtur në fundjavën që lamë pas solli humbje për Struga Trim Lum dhe fitore për dy skuadrat tjera rivale Shkupin dhe Shkëndijën që shfrytëzuan gabimin e kampionëve në fuqi për të ngushtuar diferencën.

Tashmë pas xhiros së 29-të, Struga dhe Shkupi ndajnë kreun, me të dyja ekipet shqiptare që kanë nga 58 pikë të grumbulluara, ndërsa në vendin e tretë vjen Shkëndija me tre pikë më pak.

Sileksi vazhdon në pozitën e katërt me 41 pikë, duke u ndjekur nga Tikveshi me 39 pikë dhe Brera Strumica dhe Gostivari që kanë nga 37 pikë.

Rabotniçki vjen në pozitën e tetë me 35 pikë, teksa Voska Sport është në vendin e nëntë me 34 pikë, që len pas vetes Vardarin me 29 pikë dhe Makedonija Gjorçe Petrovin e Bregallnicën me nga 26 pikë.

Deri në mbyllje të sezonit në Superligën e Maqedonisë së Veriut do të luhen edhe katër xhiro, ndërsa e radhës do të jetë ajo që zhvillohet me 1 maj./Telegrafi/