Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur, shtrenjtohen edhe prodhimet bujqësore e blegtorale

Rritjes së çmimeve në Kosovë nuk i kanë shpëtuar as prodhimet bujqësore e blegtorale, më saktësisht gruri, misri e plehrat. Edhe pemët e perimet, si molla, dardha, domatet e lakrat janë shtrenjtuar, por edhe viçat, pulat e delet.

 S’ka ditë që në Kosovë nuk raportohet se një produkti ushqimor i është rritur çmimi.

Nga kjo valë e shtrenjtimit të çmimeve nuk kanë shpëtuar as prodhimet bujqësore e blegtorale.

Agjencia e Statistikave ka treguar se rritja e çmimeve tek blegtoria dhe bimët ka shkuar në mbi 22 për qind, shkruan Demokracia.com.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 22.8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 22.3%”, ka treguar ASK.

Rritje të çmimeve janë bërë edhe tek shumica e prodhimeve bujqësore.

‘Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 22.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”.

Në bazë të tabelave që ka treguar ASK shihet se rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pasur gruri dhe misri.

Grurë dhe spelt ishte 92 euro, tani ka shkuar në 155 euro. Kurse, misri kokërr ishte vitin e kaluar 109 euro, tash është 166 euro.

Agjencia e Statistikave ka treguar se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

“Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”.

Rritje të çmimeve në ditët e para të këtij muaji janë vërejtur tek qumështi, djathi, jogurti, patatet e kafeja. Rritje kanë pësuar edhe nafta e benzina.

Inflacioni në Kosovë ka arritur në mbi 14% dhe kjo është rritja me e madhe që nga paslufta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për media pati thënë se kur qytetarët kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë. Sipas tij, kur qytetarët e një vendi shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat”, tha ai, derisa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale.

Nga Qeveria është paralajmëruar edhe një ligj për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë, sikurse kufiri maksimal i çmimit të derivateve muajin e kaluar, që ishte caktuar nga Ministria e Tregtisë çdo ditë. /Demokracia.com/