Robin Krasniqi: Do të ketë ndeshje të tretë, do ta nokautojë Boesel

Boksieri kosovar Robin Krasniqi ka reaguar sot pas vendimit të marrë nga Organizata Ndërkombëtare e Boksit që kampion i peshave të lehta të mbetet gjermani Dominic Boesel.

Krasniqi ishte përballur me Boesel më 9 tetor, ku në fund me një vendim skandaloz nga gjyqtarët Boesel shpallet kampion bote në peshat e lehta.

Boksieri kosovar kishte reaguar menjëherë, ku edhe kishte dërguar një video të meçit në një gjykatë, e cila pas rinumërimit të goditjeve, kishte treguar që Krasniqi duhej të shpallej kampion.

Po ashtu, këtë vendim Krasniqi e dërgoi edhe në Organizatën Ndërkombëtare të Boksit, nga e cila morri përgjigje negative.

Me këtë vendim nuk u shpreh i kënaqur Robin Krasniqi, i cili përmes “Facebook” tregoi që lufta për drejtësi do të vazhdojë.

“Se çfarë qëndron prapa këtij refuzimi nga IBO, do ta gjejmë gjatë procedurave më të detajuara. Lufta për drejtësi do të vazhdojë!”, shkruante Krasniqi në “Facebook”.

Në fund, Krasniqi tregoi që do të ketë përballje të tretë mes tij dhe Boesel, ku edhe nuk hezitoi të thotë që do të nokautojë boksierin gjerman.

“Po ashtu, do ta kemi edhe përballjen e tretë dhe ndoshta do më duhet që ta fitojë përsëri me nokaut, ashtu sikurse e fitova luftën e parë me Dominic Boesel”, shkruante Krasniqi.

Mendim të njëjtë sikurse Krasniqi nuk kishte pasur trajneri i Boesel Georg Bramowski, i cili kishte thënë që ndeshja ishte afërsisht e barabartë, por që rezultati në fund kishte qenë korrekt.