QKUK tregon për gjendjen e 20 vjeçarit që u plagos dje në Pejë

Tre persona, të cilët janë në lidhje familjare (Babadi, djali dhe nipi) janë plagorus dje rreth orës 21:00 në Pejë.

Njëri nga të plagosurit i moshës 20 vjeçare ishte nisur dje për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësorë.

Nga QKUK kanë bërë të ditur për Express se rreth orës 22:00 në Klinikën Emergjente ka ardhur një pacient i plagosur në pjesën e abdomenit.

Nga kjo Qendër bëhet e ditur se pacienti është jashtë rrezikut për jetën dhe se po trajtohet në QKUK.

“QKUK ju konfirmon se pas orës 10 të natës ka ardhur në Klinikën Emergjente një pacient me lëndime me armë në pjesën e toraksit dhe abdomenit. Pacienti është i lindur në vitin 2000. Ekipet mjekësore kanë kryer ndërhyrjet e nevojshme, pacienti është jashtë rrezikut për jetë dhe po vazhdon të trajtohet në QKUK”, është thënë për gazetën.

Rasti për plagosjen e tre personave është konfirmuar dje edhe nga Policia e Kosovës.

“Policia rreth orës 21:00 është njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Pejë ka të shtëna me armë zjarri. Me të arritur ka kuptuar se tre persona janë të lënduar me armë zjarri”, është thënë nga policia.