Dinari

Qeveria e opozita thonë se çështja e dinarit s’duhet të jetë temë në dialog, ndryshe nga amerikanët

Çështja e dinarit serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin e Kosovës, ka bërë që skena politike, si pozita, por edhe opozita, të kenë qëndrime të ndryshme me bashkësinë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës, por edhe opozita kanë deklaruar se kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi që e kanë konsideruar si një çështje të brendshme, mirëpo ndryshe mendojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet e tjera perëndimore. Ata kanë kërkuar që tema e dinarit të trajtohet në dialog.

Vendet perëndimore kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurtit për, siç kanë thënë ata, moskoordinimin me ta lidhur me çështjen e dinarit serb.

Madje, SHBA-të kanë theksuar se ky vendim ka afektuar raportet në mes të dy vendeve respektive.

Kush çka tha?

Pasi që ekzekutivi kosovar tha se dinari nuk duhet të trajtohet në dialog, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti që ai përfaqëson vlerëson se çështja e dinarit është temë për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, meqë, siç potencon ai, është çështje bilaterale.

“Çështja e dinarit është çështje e dialogut dhe e kemi thënë shumë herë e në disa raste, se ne besojmë që kjo kërkon diskutim në dialog”, deklaroi Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarë në Prishtinë.

“Pse mendojmë se është çështje për dialog? Është krejt e qartë, sepse është nën planin e Ahtisaar-it. Brenda kushteve nën të cilat Kosova pranoi mbështetjen tonë për pavarësinë e vet, përkushtime janë bërë në lidhje me mbrojtje të veçanta dhe aranzhime specifike për minoritetet në Kosovë”, pohoi ambasadori.

Se dinari është çështje për dialog e ka thënë edhe një nga vendet më të fuqishme në Evropë, Gjermania.

Përmes të Dërguarit të saj të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili theksoi se çështja e dinarit “është shumë e lidhur me dialogun”.

“Politikanët nuk bëhen më sovranë kur refuzojnë të diskutojnë për masat që vendosin në Republikën e tyre. Kur e mohoni që të bëhen bisedime për zgjidhje, nuk dukeni më shumë sovran, dhe sovraniteti është qëllim i Kosovës. Sovranitetin e Kosovës unë e mbështesë me gjithë përkushtimin tim”, deklaroi Sarrazin në një intervistë për “Klan Kosova”.

Opozita

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se çështja e dinarit serb nuk duhet të diskutohet në Bruksel, pra në dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto komente, Tahiri i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, më 1 mars.

“Dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel, në asnjë moment. Kjo është çështje e brendshme, duhet t’i jepet një zgjidhje në Kosovë me partnerët tonë ndërkombëtarë dhe me argumentimet që i ka qeveria”, deklaroi Tahiri.

Ngjashëm si Tahiri nga AAK, mendon edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Kërkesa e komunitetit ndërkombëtar që rregullorja e re e BQK-së të diskutohet në nivel politik në kuadër të dialogut me Serbinë, sipas Tahirit është favori më i madh që Qeveria e Kosovës i ka bërë Serbisë.

Një kërkesë e tillë, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës.

“Çështja e tillë të ngritët në nivel politik të diskutimit, është dërgimi i ujit në mullinj të Serbisë”, ka thënë Tahiri.

Çështja e dinarit, në vlerësimin e Tahirit, është temë e brendshme e cila do të duhej të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kërkesa e tyre ka qenë e qartë të koordinohen me ta dhe në anën tjetër qytetarëve serbë të mos u paraqitet vështirësi për një periudhë tranzitore dhe kjo çështje të rregullohet me Kushtetutë e me ligje”, ka potencuar Tahiri.

Qeveria

Edhe qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka refuzuar që cështja e dinarit të trajtohet në dialog, madje ata kishin refuzuar një takim që ishte thirrur nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për këtë temë, duke dërguar në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së, dhe jo nivel politik.

Refuzimin për të marrë pjesë në takim, qeveria e kishte bërë të ditur përmes kryenegociatorit, Besnik Bislimi, i cili refuzimin e kishte arsyetuar duke thënë se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut”.

“Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, deklaroi Bislimi.

Përveç refuzimit, Bislimi edhe ka akuzuar ndërmjetësin Lajçak, për caktimin e një takimit, sipas tij, në mënyrë të njëanshme, pasi që ka theksuar se nuk është koordinuar si zakonisht për agjendën e takimit.

“Kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelë parimet të cilat i ka vendosur vetë, për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”. ka shtuar Bislimi.

Çka ndodhi në takimin për dinarin?

Takimi midis ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë – që përfaqësoheshin edhe me nivel politik, me në krye drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë – nën ndërmjetësimin e Lajçak-ut s’prodhoi ndonjë rezultat konkret.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, deklaroi se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, do të nevojiten “takime shtesë” për këtë çështje në të ardhmen.

“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi Lajçaku menjëherë pas përfundimit të takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pas përfundimit të takimeve në Bruksel, tha se janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar të Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, kishte thënë Ismajli.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

“Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Petkoviç pas takimeve të së martës, insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për “dëbim” të serbëve nga Kosova.

VIDEO BONUS: AUV kreu 76 mijë inspektime në vitin 2023, asgjësoi mbi 1 milion produkte ushqimore