Asociacioni

Pushteti në anarki qëndrimesh për draft-statutin e autonomisë serbe, zbatimi i marrëveshjes “peng” i saj

Mjegulla ditë e më shumë po trashet nga pushteti rreth marrëveshjes së qendërzuar në autonominë territoriale për komunat të populluara me shumicë serbe, tashmë e tej-zgjeruar me Rezolutë 12/44 dhe arbitrazh ndërkombëtar.

Hierarkia e pushtetit – që dihet – ka rënë në një anarki qëndrimesh – që s’dihen.

Prej Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që s’i pritet t’ia vendos firmën mbi tekst “si pakrahasimisht më i mirë se ç’ka qenë më parë” e te i dyti për nga pesha në partinë e tij, Glauk Konjufca, që e quan prej “plotësisht në përputhje me Kushtetutën” e tek dy javë më vonë pëson metamorfozë të qëndrimeve duke e quajtur draftin “skandaloz” dhe “të pazbatueshëm”, shënohen qëndrimet vit-drite larg njëra tjetrës; së paku të kumtuara ashtu publikisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në anën tjetër shpërfaq shqetësime të thella rreth përmbajtjes; por duke qëndruar esëll në atë se ky është drafti që është; në të cilin veçse, sipa saj, duhet punuar për të mënjanuar rreziqet potenciale që mund të burojnë nga ai në raport me funksionalitetin e shtetit dhe karakterit unitar të tij.

Kryenegociatori Besnik Bislimi, herë-po-e-herë-jo, e merr si të mirëqenë draft-Statutin, ku më së thukti e pati artikuluar në Radio Gorazdevac, se deri te dërgimi i tij për rishikim kushtetues janë edhe katër hapa.

Miratimi me dekret i draft-Statutit, për t’u dërguar në kushtetuese – pati thënë Bislimi – bëhet “pasi që Serbia të na i ketë pranuar të gjitha dokumentet”.

Prej hapit të parë në të katërtin – i katërti duke qenë themelimi i Asociacionit – sipas Bislimit shkohet kur Serbia “t’i ketë përmbushur të gjitha elementetet e njohjes de-facto”.

Glauk Konjufca, në anën tjetër, as që e sheh të paramendueshme që ky draft-Statut të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, duke insistuar – ndonëse tepër vonë, sipas konsensusit ndërkombëtar – që Kosova të hartojë draft të vet.

“Në momentin që do t’i vije koha, qeveria do ta propozojë vetë një draft-statut dhe do të marrë pjesë edhe nga drafti i BE-së […] Nuk mendoj se draft-statuti i BE-së duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese […] Dhe është një obligim ndërkombëtar që do zbatohet kur t’i vije koha. Në këtë rast, kur të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, hiç më larg se sot, Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila doli me një risi – nuk dihet a të veten – se pse drafti nuk është dërguar në kushtetuese është për shkak të ”mosreflektimit” të emisarit special Miroslav Lajçak rreth ”komenteve të dërguara nga qeveria kosovare”; komente këto që Bislimi ka mohuar të jenë dërguar në rend të parë.

“Kërkesë e përhershme ka mbetur gjatë gjithë kohës ose në baza periodike është përmendur domosdoshmëria e dërgimit të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila nuk është bërë pasi është pritur të ketë reflektimi në komentet që pala kosovare i ka dorëzuar te ndërmjetësi për draft-statutin e Asociacionit”, ka thënë Kusari-Lila në një prononcim për ”KosovaPress”.

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Nacionalen javën e kaluar ka treguar se procesi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike është momentalisht i ngecur për shkak të mos-miratimti me dekret të draft-Statutit dhe dërgimti të saj në Gjykatën Kushtetuese.

“Do të duhej të bënte vetëm një hap të vogël”, na pati thënë Lajçak.

“Miratimin e një dekreti nga qeveria me të cilin Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim kushtetues – për ta zhbllokuar të gjithë procesin e zbatimit të Marrëveshjes”, tha Lajçak.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti ambasadori Jeff Hovenier, në vazhdimësi kanë kërkuar që draft-Statuti të dërgohet në kushtetuese, e made ky i fundit edhe duke besuar në plotni se është kushtetues.

VIDEO BONUS: Limaj: Kuvendi cirk me njerëz të padijshëm – Koalicioni me AAK-në derë e hapur për qytetarët