Pse autobusët kosovarë po shkaktojnë aksidente nëpër Evropë? Flet eksperti i komunikacionit

Një autobus i kompanisë “Armend Tours” nga Gjakova, mëngjesin e sotëm është aksidentuar në Salsburg të Austrisë, me ç’rast disa persona janë lënduar.

Udhëtimi i mërgimtarëve me autobus drejt vendlindjes apo vendeve evropiane ku ata jetojnë, nuk po del të jetë i sigurt për ta.

Nuk janë të pakta aksidentet e shkaktuara nga shoferët e autobusëve që bartin kosovarë, shkruan Demokracia.com.

Më 25 korrik të vitit të kaluar, 10 persona kishin humbur jetën e dhjetëra të tjerë ishin lënduar si pasojë e një aksidenti në Kroaci. Një tjetër aksident ka ndodhur më 18 janar të këtij viti në Bullgari, një më 2 prill në Dusseldorf të Gjermanisë dhe së fundmi sot, më 19 maj në Salsburg të Austrisë, me ç’rast janë lënduar disa persona.

Eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, tregon për Demokracia.com sesi duhet të punojnë shoferët e autobusëve, në mënyrë që udhëtimi të jetë sa më i sigurt. Dyshimet e para në aksidentin e fundit në Salsburg të Austrisë janë se shoferin e kishte zënë gjumi.

“Kryesorja duhet ta dimë se shoferët duhet ta respektojnë kohën e udhëtimit. Përveç kësaj, gjendjen teknike të automjetit. Kryesorja dy shoferë, udhëtimin prej kur e fillojnë nga pika e fillimit deri në përfundim kanë të drejtë të zgjasin 21 orë. Shoferët i kanë të përcaktuara edhe kilometrat, për shembull 500 kilometra guxon me i bë brenda 24 orëve. Gjithashtu, para fillimit të ditës duhet t’i kenë së paku 10 orë pushim, për me fillu ditën e punës, meqenëse për këtë rast po flitet edhe për gjendjen teknike të automjetit. Nuk e di, ai me siguri që ka regjistrim dhe këta e kanë kontrollin teknik që duhet me e bë, kontroll 6-mujor, kontroll teknik dhe duhet t’i kenë këto dokumentacione me vete. Besoj që autobusët që dalin edhe jashtë Kosovës, ata kanë edhe kritere tjera që i kërkon Bashkimi Evropian për rregullsinë teknike të automjetit dhe nuk e di sa i ka ai autobus në rregull dhe nuk e di sa iu ka përmbajt këtyre rregullave. Mendoj që nuk do të ishte në rregull dhe e udhës me paragjyku, përderisa ende nuk dihen hollësitë në lidhje me aksidentin që është shkaktuar”, është shprehur ai.

Bunjaku për Demokracia.com ka thënë se Ministria e Infrastrukturës duhet të shtojë mbikëqyrjen e kontrolleve teknike të autobusëve.

“Në përgjithësi, Ministria e Infrastrukturës e ka Departamentin e Transportit dhe gjithashtu departamentin që merret me mbikëqyrjen e kontrolleve teknike dhe ata duhet të ushtrojnë më shpesh kontrolle mbi kompanitë të cilat bëjnë transportin e udhëtarëve. Gjithashtu, edhe të mallrave dhe të kontrollojnë në lidhje me dokumentacionin, të dalin pak më shpesh edhe nëpër rrugë edhe të kontrollojnë edhe me kontrolle të jashtëzakonshme teknike mbi rregullsinë teknike të automjetit”, theksoi Bunjaku.

Sipas tij, shqetësues mbetet numri i madh i aksidenteve të autobusëve kosovarë nëpër vendet evropiane dhe siç theksoi ai, punësimi i inxhinierëve teknikë është i domosdoshëm.

“Ky është shqetësimi im, por mendoj kompanitë që merren me transportin e udhëtarëve dhe të mallrave kishte qenë më e udhës me qenë, me pas inxhinier të punësuar teknik që kujdesen edhe për rregullsinë teknike, edhe për kohëzgjatjen e udhëtimeve, edhe për përcaktimin e numrit të shoferëve, edhe kështu mendoj që do të ishim pak më tepër profesional dhe do të rritej siguria në qarkullimin rrugor”, u shpreh Bunjaku për Demokracia.com.

Ai ka shtuar se për aksidentet e tilla askush nuk duhet të ngutet me deklarime apo me opinione, për shkak të ndjeshmërisë që kanë këto raste, deri në deklarimin zyrtar pas ekspertizave që bëhen.