Kupa e Kosovës

Prishtina dhe Ballkani luajnë finalen e Kupës së Kosovës – kryeqytetasit për trofeun dhe daljen në Evropë, Ballkani për trofeun e dytë sezonal 

Prishtina dhe Ballkani do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Kosovës për edicionin 2023/24.

Dy skuadrat e mëdha kosovare do ta diskutojnë trofeun e Kupës së Kosovës në ndeshjen finale e cila zhvillohet me fillim nga ora 15:00 në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.

Prishtina kërkon ta mbrojë trofeun e Kupës së Kosovës të fituar edhe edicionin e kaluar, por tani kanë një arsyeje më shumë pasi në rast të triumfit do të sigurojnë edhe daljen në Evropë.

Në anën tjetër Ballkani pasi ka mbrojtur titullin e kampionit kërkon trofeun e dytë sezonal.

Për Prishtinën kjo do të jetë hera e 12-të që është në finale, derisa ka fituar nëntë herë trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës.

Në anën tjetër Ballkani ende nuk e ka këtë trofe dhe synon që ta fitoj për herë të parë në historinë e klubit.

Dueli mes Prishtinës dhe Ballkanit pritet të jetë i zjarrtë në fushë, derisa në tribuna spektakël kanë premtuar ‘Plisat’ e Prishtinës dhe ‘Xhebrailat’ e Ballkanit.