Presioni i VV-së për presidentin nëpërmjet Ligjit për Zgjedhje

Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje pikërisht në ditën kur pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit, po shihet si presion ndaj partive të tjera se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nëse Vjosa Osmani nuk zgjidhet presidente.

Tashmë, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit po diskutohet për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet me iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo nismë u bë publike menjëherë pas informacionit se seanca e jashtëzakonshme për votimin e presidentit, mund të mbahet në orët e pasdites të së premtes.

Eugen Cakolli nga KDI-ja e sheh këtë iniciativë të gabuar për dy arsye. Sipas tij, së pari po bëhet pa konsultim me opozitën dhe së dyti, është në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore.

Lidhur me këtë çështje një reagim e ka bërë edhe kryeredaktori i Ballkani.info, Besnik Batusha:

E zgjedhjet e reja ua ka përmendur partive opozitare të premten edhe kryeministri Albin Kurti.

“Kur ndërron Qeveria, ndërron qasja dhe strategjia dhe më pas janë edhe pasojat. Problemet që i kemi në sektorin e energjisë janë të trashëguara por do t’i rregullojmë. Gabimet e para disa viteve s’mund t’i zgjidhim as këtë javë as javën tjetër, përndryshe shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti në kundërpërgjigje gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

VV-ja pati deklaruar edhe më herët se ndër hapat që do të ndërmerrte në Kuvend do të ishte ndryshimi i ligjit, veçanërisht për shkak se kishte të bënte me procesin e votimit të diasporës për zgjedhjet në Kosovë. Diaspora duhet të votojë në ambasada e konsullata të Kosovës në vendet ku ata jetojnë, ishte qëndrimi i partisë.

Por, sot kur pritet të votohet presidenti teksa dy parti opozitare kanë deklaruar zyrtarisht se nuk marrin pjesë në votim dhe kuorumi për votimin e Osmanit presidente është në pikëpyetje, në Kuvend u iniciua ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet.

Kandidates së VV-së, Vjosa Osmanit, i duhen 80 vota që të zgjidhet në krye të shtetit, por nuk është e sigurt nëse do t’i siguroj[ kaq po qe se seanca mbahet sot. Nëse në dy raundet e votimit nuk arrin të marrë 2/3 e votave të deputetëve, në të tretin asaj i mjaftojnë 61 vota, me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë, raporton Koha. Nuk dihet edhe nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në votim. Në bazë të Kushtetutës, kandidatë për president më së paku duhet të jenë dy persona. Në këtë rast, kundërkandidat i Osmanit është Nasuf Bejta, i cili ka thënë se po kandidon vetëm për t’i ndihmuar procesit.

Në rast se nuk i bën votat, vendi shkon sërish në zgjedhje.

Qindra fletëvotime nga diaspora kanë qenë të pavlefshme në zgjedhjet e 14 shkurtit, nxorën të dhënat e KQZ-së. VV-ja pikërisht pati thënë se numri i madh i votave të pavlefshme nga diaspora është dëshmi se procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet. Me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, mund tu jepet mundësia mërgimtarëve që të votojnë përmes ambasadave e konsullatave në vendet ku ata jetojnë, pa shpenzuar dhe me mundësi më të vogël që fletëvotimet të vlerësohen të pavlefshme.

U.d e kryetares së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se çështja për Ligjin për Zgjedhjet është pika e vetme në Kryesi dhe se varësisht nga afatet kohore, do të procedohet me zgjedhjen e presidentit. “Nëse përfundon brenda pak orësh, ajo për nismën legjislative varësisht nga vullneti i deputetëve për të qëndruar në sallë do të procedojmë edhe me zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.