SHBA

Përmbytje në Ajova ndërsa shumë shtete amerikane përballen me të nxehtin ekstrem

Guvernatori i shtetit të Ajovas urdhëroi dërgimin e helikopterëve në një qytet të vogël për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e përmbytura të shtunën, si pasojë e reshjeve të shirave për javë me radhë, ndërkohë që shumica e shteteve të tjera në Shtetet e Bashkuara po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta.

Sirenat u ndezën në orën 2 të mëngjesit në qytetin Rock Valley, në Ajova, me një popullsi prej 4,200 banorësh. Qindra qytetarëve iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë pasi lumi Rock doli na shtrati si pasojë e shirave që kanë goditur rajonin. Qyteti përballet me mungesë të ujit të rrjedhshëm.

Shtete të tjera amerikane po përballen me temperatura tejet të larta dhe me lagështi. Shërbimi Kombëtar i Motit tha se rreth 15 milionë njerëz kishin marrë paralajmërimin më të lartë për të nxehtin ndërsa 90 milionë banorëve të tjerë u është kërkuar të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara përjetuan valën më të madhe të të nxehtit që nga viti 1936, thanë ekspertët. Një analizë nga agjencia e lajmeve Associated Press e të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zbuloi se nxehtësia e tepërt ndikoi në më shumë se 2,300 vdekje në SHBA, numri më i lartë në 45 vjet, që kur ka nisur regjistrimi i dhënave.

Në Uashington dhe në qytetin Richmond të Virxhinias temperaturat pritet të arrijnë deri në 37.8 gradë Celsius, ndërsa qytetet Filadelfia, Njuwrk, Kolumbus dhe Detroit mund të përballen gjithashtu me temperatura tepër të larta.

Në juglindje të shtetit të Miçiganit, mijëra banorë u përballën me mungesë të energjisë elektrike për shkak të stuhive.

Shteti i Dakotës së Jugut u përball me përmbytje si pasojë e shirave.

Në Nju Meksiko, shirat dhe përmbytjet deryruan autoritet të urdhëronin evakuime ndërsa po ngrihen qendra strehimi për banorët e zhvendosur./VOA/