Turqi

Përmbysja në zgjedhje tregon se Erdoğani është më i prekshëm sesa mendon

Burimi: The Daily Telegraph

Kur votuesit turq hodhën votat në zgjedhjet komunale të së dielës, nuk votuan vetëm për kryetarët dhe administratorët e tyre lokalë. Përkundrazi, dërguan mesazh për presidentin Recep Tayyip Erdoğan i cili votimin e ktheu në referendum për qeverisjen e vet. Ai bëri fushatë të fortë duke i përdorur burimet e mëdha shtetërore që kishte në dispozicion, dhe madje kërcënoi se do t’i mohonte shërbimet e votuesve nëse humbin kandidatët nga partia e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Fitorja historike e partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), nuk është vetëm humbje për AKP-në, por matës i rënies së mbështetjes për turkun e fort. Gjithashtu e ofron korrigjimin shumë të nevojshëm për idetë se si funksionon politika turke.

Pas fitores së Erdoğanit në zgjedhjet presidenciale në majin e kaluar, dukej se Turqia e sfidoi zgjuarsinë e njohur se ekonomia është ajo që ka më shumë rëndësi për votuesit. Analistët në kampet pro dhe anti-Erdoğan, u rreshtuan për të shpjeguar se si fitoi – pavarësisht nga problemet e shtuara të cilat u përkeqësuan nga tërmeti shkatërrues i shkurtit 2023. Disa pohonin se mbështetësit e Erdoğanit qëndrojnë gjithmonë pranë tij. Të tjerë pretenduan se presidenti e ka konsoliduar aq shumë autokracinë, saqë nuk mund të mposhtet në kutinë e votimit. Suksesi i CHP-së në votimet lokale të së dielës, dëshmon se të dy kampet kanë gabuar. Tregon se pavarësisht nga fusha e pabarabartë e lojës, zgjedhjet kanë rëndësi dhe votuesit përfundimisht votojnë sipas thellësisë së xhepit.

Në një aspekt kanë të drejt ata që janë skeptikë për zgjedhjet nën një burrë të fortë si Erdoğani. Zgjedhjet në Turqi nuk janë as të lira dhe as të ndershme. Ashtu si shumica e autokratëve, Erdoğani përdor makinerinë shtetërore për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve, burgos ose frikëson kundërshtarët e vet dhe vërshon mediat me mbulim të njëanshëm. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, opozita e Turqisë mundi ta arrijë një fitore historike. CHP-ja jo vetëm që mbajti bashkitë të cilat i fitoi pesë vjet më parë, por gjithashtu u bë partia më popullore e vendit sa i përket votave totale – për herë të parë që nga lulëzimi i partisë në vitet 1970.

Për shumë mbështetës të opozitës, fitorja erdhi me vonesë. Vitin e kaluar ata prisnin të largonin Erdoğanin, atëherë kur reagimi i dobët i qeverisë ndaj tërmetit dhe problemet e shtuara ekonomike të Turqisë forcuan pakënaqësinë popullore për sundimin e tij. Por, zhgënjyen partitë opozitare. E paraqitën një kandidat që nuk frymëzon dhe i cili e kryesoi një koalicion të pafuqishëm me gjashtë parti – koalicion që ishte edhe ideologjikisht i larmishëm.

Gjërat janë më ndryshe këtë herë. Në krye të CHP-së është udhëheqësi i ri energjik, Özgür Özel, i cili e zëvendësoi Kemal Kılıçdaroğlun pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Kandidat i partisë për kryetar ishte edhe figura karizmatike, si Ekrem İmamoğlu, i cili tri herë – që nga viti 2019 – i mundi sfiduesit nga AKP-ja në Stamboll.

Në prag të votimeve të marsit, Erdoğani ishte aq i sigurt për perspektivat e kandidatëve të vet, saqë e emëroi Murat Kurumin – ish-ministrin e Çështjeve Urbane që njihej për rolin në reagimin e dobët të qeverisë ndaj tërmeteve – si kandidat të partisë së tij për Stambollin, në qytetin ku rol të madh luan frika ndaj tërmeteve.

Zhvillimet në frontin ekonomik funksionuan gjithashtu në favor të opozitës. Edhe pse ekonomia e Turqisë është duke vuajtur për disa kohë, kriza u thellua pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Çmimet e larta po shkaktojnë mjerim për të varfrit dhe po varfërojnë klasën e mesme, veçanërisht në qytetet e mëdha. Njerëzit në zonën e tërmetit janë gjithashtu të zhgënjyer nga Erdoğani. Pasi premtoi se pas tërmetit do të ndërtojë shpejt një numër të madh të shtëpive, shumëkush do të kishte votuar për të. Por, 12 muaj më vonë, qindra-mijëra prej tyre mbetën në strehimore. Zemërimin e tyre e shton fakti se qeveria nuk ka arritur të kërkojë llogari nga njerëzit që ishin përgjegjës për ndërtimet e gabuara të cilat e përkeqësuan shumë numrin e të vdekurve.

Gjithë këta faktorë e krijuan stuhinë e përsosur dhe opozita e materializoi atë. Tash për tash, puna e Erdoğanit është e sigurt. Por, rezultatet e zgjedhjeve janë thirrje për zgjim. Bëjnë me dije se është më i prekshëm sesa mendon. Për të qëndruar në pushtet, duhet ta rregullojë ekonominë dhe të adresojë problemet e shtuara të Turqisë. Tashti është edhe më e largët ëndrra e tij për të mbetur president i përjetshëm, duke e ndryshuar Kushtetutën dhe për të kandiduar sërish në vitin 2028.

Mbi të gjitha, votimi i së dielës tregon se Erdoğani nuk i fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, sepse ato i humbi opozita. Tani i takon opozitës së re energjike të Turqisë të dëshmojë se nuk është lokale e gjithë politika. Me mundësinë për të ofruar qeverisje të mirë dhe investime të zgjuara në nivel komunal në të gjithë Turqinë, CHP-ja mund të dëshmojë se është e gatshme të përsërisë këtë fitore lokale në nivel kombëtar në zgjedhjet e ardhshme. /Telegrafi/