Pastrimi i listës zgjedhore përmes regjistrimit të popullsisë

Përderisa vazhdojnë përplasjet në mes të pozitës dhe opozitës maqedonase nëse referendumi ishte i suksesshëm apo jo dhe se nëse mbi 660 mijë qytetarë që votuan për Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrin, e legjitimuan ose jo këtë marrëveshje, ekspertët thonë se arritja e pragut që një referendum të jetë i suksesshëm është i pamundur.

Ata thonë se nëse duhet të arrihet pragu i daljes prej 50 për qind, Maqedonia duhet të zhvillojë procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili nuk është mbajtur që prej vitit 2002. Mosregjistrimi i popullsisë për një kohë kaq të gjatë, sipas tyre e bën të vështirë që lista zgjedhore të jetë real.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm, nevojitet që të pastrohen listat zgjedhore.

Fati Iseni, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për regjistrimin e popullsisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa nuk realizohet regjistrimi i popullsisë, është e vështirë që të ketë një pasqyrë reale të trupit elektoral në Maqedoni.

Iseni thekson se largimi i qytetarëve të Maqedonisë jashtë vendit ka bërë që të bie dhe numri i popullatës dhe një gjë e këtillë mund të qartësohet vetëm përmes procesit ët regjistrimit. Megjithëse, ai shton se edhe në këto rrethana, nëse institucionet e shtetit, përkatësisht partitë politike, kanë vullnet të mirë, atëherë përmes kryqëzimit të të dhënave mund të arrihet te një listë zgjedhore e cila do përkojë me realitetin në Maqedoni.

“Sigurisht se regjistrimi i popullatës që planifikohet të realizohet në vitin 2020 do të ndihmonte drejtpërsëdrejti që të bëhet një pastrim i listës zgjedhore. Megjithatë, mendoj se shteti i Maqedonisë, përkatësisht institucionet përgjegjëse, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, por edhe Fondi Pensional kanë bazat e informacioneve dhe mendoj se nëse ka vullnet të mirë politik, ata mund të bëjnë ndërhyrje dhe të analizojnë gjendjen faktike për të hartuar një listë të përafërt reale, sa i përket banorëve në vend dhe qytetarëve me të drejtë vote”, thotë Iseni.