Presidentja e Kosovës

Osmani: Çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën është takuar me zëvendës ndihmësekretaren e SHBA-së nga Byroja për demokraci, të drejta të njeriut dhe punë, Nicole Chulick. 

Osmani potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës. 

Ajo ka vlerësura se kjo do të ishte garanci shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, si dhe të arriturat e vazhdueshme të Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Në temën e të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka kornizën ligjore më të avancuar në Evropë, e cila buron nga Kushtetuta e Republikës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e multietnicitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Me këtë rast, ajo ka potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si garancë shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend”, është njoftuar nga Presidenca. 

Osmani ka thënë se çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-ve dhe ka konfirmuar përkushtimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në këtë frymë.

Chulick është takuar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.