Opozita serbe për New York Times: Kurti vazhdimisht po e ndihmon Vuçiqin

Mediumi prestigjioz amerikan “The New York Times” së fundmi ka kushtuar një artikull mbi protestat masive të cilat po zhvillohen në Serbi, të thirrura nga opozita serbe me sloganin “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në muajin e kaluar në Serbi, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Në artikullin e titulluar “Në Serbi, një burrë i fortë nën zjarr e përshëndet veten si mbrojtës i kombit”, gazetari, Andrew Higgins, shkruan se protestat me thirrje për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të zbatimit të ligjit dhe tërheqjen e licencave të transmetimit të dy televizioneve pro-qeveritare, janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër dhunës për të cilën fajësohet Vuçiç.

Artikulli në fjalë është fokusuar edhe në ngjarjet përplot me tensione në pjesën Veriore të Kosovës, ku serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

“Tensionet në Kosovë vetëm po e ndihmojnë Vuçiç’in duke ndezur pasionet për territorin që shumica e serbëve e shohin si pjesë të vendit të tyre”, ka thënë për “The New York Times”, Milomar Mandiç, menaxheri i përgjithshëm i organizatës jo-qeveritare, Demostat në Serbi, duke komentuar kështu situatën e përshkallëzuar në Veri të Kosovës.


Në anën tjetër Pavle Grboviç, deputeti opozitar në parlamentin serb, i ka thënë po ashtu “The New York Times” se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e ndihmon vazhdimisht Vuçiç’in.

“Askush në skenën politike serbe nuk ka bërë më shumë për pozitën e Serbisë në Kosovë dhe për Vuçiç se Kurti”, ka thënë ai.

Situata në Veri të Kosovës u përkeqësua me 26 maj kur Qeveria e Kosovës – pa koordinim me ndërkombëtarët – vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët lokalë protestuan të premten, por situata nuk eskaloi.

Të hënën, kur protestuesve iu bashkuan banda huliganësh nga Veriu, shpërtheu protesta dhe përfundimi ishte rreth 40 ushtarë të KFOR-it të lënduar, meqë ata krijuan kordon mes protestuesve dhe policisë.

Nga kjo ditë, shpërthime më nuk ka pasur, por gjendja s’është shtensionuar akoma.

Përkundër se ishin protestuesit që përdoren dhunën, spektri diplomatik e ka bërë kryesisht fajtore qeverinë e Kosovës për zhvillimet, pikërisht për faktin që morën hapa të pakoordinuar me ta.

Madje SHBA-të lëvizën edhe konkretisht duke larguar Forcën e Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet ushtarake me shtetet e NATO-s.

Në anën tjetër i deleguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit që pati me kryeministrin Kurti, tregoi për ngërçin që aktualisht ekziston me Kurtin.

Top-diplomati amerikan tha se Kurti nuk është bashkëpunues dhe po e bllokon procesin.

Ai madje tha se SHBA-të, BE-ja dhe i gjithë spektri trans-atlantik janë të befasuar me të dhe s’po e kuptojnë nga po buron destruktiviteti i tij, përcjell AP.

Escobar ishte mjaft koncis në deklarimet e tij, ai siguroi kosovarët se nuk duhet të ndihen të shqetësuar për “çarjen” e raporteve të shkaktuara nga vendimet të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës meqë “lidhja e fortë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Kosovën s’do të ndryshojnë dhe se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës”.

Escobar, i cili tha se është totalisht konfuzë me atë që është duke ngjarë në Veri të Kosovës javëve të fundit, bëri të ditur se Uashingtoni ka disa sfida në raport dypalëshe me një emër të përveçëm (Albin Kurtin) i cili, sipas tij, “nuk ka instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.

Escobar ka pohuar se Amerika po qëndron me Kosovën, por s’ka pse qëndron me kryeministrin Albin Kurti, i cili refuzon të bashkëpunojë.