Diant Ramaj

Ramsdale do të largohet, portieri kosovar alternativë për portën e Arsenal

Aaron Ramsdale do të largohet në fund të sezonit nga Arsenali. Pasi humbi vendin e titullarit këtë vit ndaj David Raya, portieri anglez u shfaq i pakënaqur me vendimin e trajnerit Mikel Arteta, i cili e aktivizoi si titullar vetëm në ndeshjet e kupës.

Topcinjtë e Londrës kanë filluar menjëherë të kërkojnë për alternativat e Ramsdale, teksa i pari në listë është nr.1 i Anglisë, Jordan Pickford. Portieri 30-vjeçar i Everton është prej disa vitesh tanimë portier i afirmuar në Premier League dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për qëndrimin e skuadrës së Merseyside në elitë.

Një tjetër opsion për portën londineze është Wojciech Szczesny. Për polakun do të ishte një rikthim në Emirates Stadium. 34-vjeçari është drejt fundit të aventurës me Juventusin në Serinë A italiane dhe mund të tundohet nga një kërkesë e Arsenalit për ta afruar sërish në organikë.

Alternativa e fundit dhe padyshim më surprizuese është synimi i Arsenalit për portierin me origjinë shqiptare, Diant Ramaj. 22-vjeçari ka zhvilluar një super sezon me Ajaxin e Amsterdamit. Ramaj përfitoi në fillim të sezonit nga dëmtimet e Rullit dhe Gorte dhe e shfrytëzoi në maksimum situatën në favorin e tij, duke blinduar vendin e titullarit.

Për Ramajn do të ishte padyshim një hap i madh në karrierë lëvizja drejt Arsenalit në Premier League dhe ai është edhe opsioni më i lirë dhe më i lehtë për të arritur një marrëveshje.