Statistika

Një ndër treguesit e paktë ku Shqipëria rezulton më mirë se vendet e BE-së

Diferenca në pagë është një nga diskriminimet më të shpeshta që iu behet grave në mbarë botën.

Edhe pse gratë mund të jenë njësoj të përgatitura dhe me aftësi të njëjta me burrat, paguhen më pak për të njëjtën punë.

Mirëpo krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, hendeku i pagave në Shqipëri është më i ulët. Sipas të dhënave të Eurostat, diferenca në përqindje e pagës mesatare të një burri me pagën mesatare të një gruaja në BE ishte mesatarisht 16.2%, ndërsa në Shqipëri kjo e dhënë sipas INSTAT është 10.5%, duke u renditur e teta ndër vendet e BE-së për hendek të ngushtë.

Sektori ku ekziston diskriminimi më i madh është ai i sektori financiar dhe bankar, që është edhe më i paguari në Shqipëri.

Vendet e Bashkimit Europian me një diferencë më të ulët se Shqipëria për sa i përket pagave të burrave me ato të grave janë: Rumania me 5.2%, Italia me 5.3%, Luksemburgut me 5.5%, Belgjika me 6.1%, Polonia me 7.2%, Sllovenia me 7.8% dhe Kroacia me 8.7%.

Po cilët janë vendet e BE-së ky hendeku gjinor në paga është më i lartë?

Sipas të dhënave të Eurostat diferencën më të lartë midis pagës së një burri dhe pagës së një gruaje ndër vendet e Bashkimit Europian e ka Estonia me 25.3%. Më pas renditet Çekia me 21.8%, Gjermania me 21.5%, Mbretëria e Bashkuar me 21%, Austria me 20%.

Ndërsa Holanda dhe Franca kanë një diferencë në përqindje më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian me përkatësisht 15.6 dhe 15.2%.

Si ndryshon hendeku në Shqipëri në varësi të sektorëve

Në Shqipëri, sipas INSTAT, meshkujt në banka e sigurime të cilët në fakt mbizotërojnë në postet drejtuese, paguhen mesatarisht 116 mijë lekë në muaj, ndërsa femrat 95 mijë lekë, ose 20.6 mijë lekë më pak.

Një tjetër diferencë e lartë është në aktivitetin “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi”, ku meshkujt paguhen me 49,301 lekë dhe femrat me 31,916 lekë, (me një diferencë rreth 17 mijë lekë), por ky është një sektor me punë të rëndë dhe i profilizuar kryesisht për meshkuj.

Edhe në aktivitetin e informacionit dhe komunikacionit burrat bëjnë “ligjin”, teksa paguhen mesatarisht me 78 mijë lekë, ose gati 15% më shumë sesa gratë.

Punonjëset femra i diskriminon dhe administrata publike, me një hendek gjinor prej 13.6%. Gratë në shtet marrin rreth 55 mijë lekë në muaj dhe burrat 64 mijë lekë.

I vetmi sektor ku femrat shkëlqejnë është ai i “Arte, argëtim dhe çlodhje”, ku femrat paguhen 4,400 lekë më shumë sesa meshkujt.

Ndërsa nuk ka ndonjë diferencë të madhe në pozicionet drejtuese dhe drejtorët ekzekutivë, ku si burrat ashtu dhe gratë paguhen me rreth 95 mijë lekë në muaj.

Nuk ka diferencë në pagesë as në profesionin e forcave të armatosura, po ashtu dhe tek nëpunësit./Monitor