Dialogu Kosovë-Serbi

​Ngërçi në dialog, pesimizëm për rezultate

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një ngërç të ri, vlerësojnë analistët politikë. Mungesa e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, sipas tyre, është shenjë që dialogu nuk do të ketë progres as gjatë këtij viti, veçmas kur në qershor do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkim Evropian. Në anën tjetër, nga partitë opozitare thonë se Kosova në dialog deri tani ka pasur vetëm regres, derisa kritikojnë ekzekutivin për mungesë të transparencës në këtë proces.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress, se nuk pret diçka konkrete në dialog gjatë këtij viti, derisa shton se Kosova po kushtëzohet në procesin e saj integrues në BE me dialogun me Serbinë.

“Tash e tri vite ne kemi pa që dialogu s’ka pas aspak transparencë. Janë taku në (dialog) dhe ne kemi marrë vesh vetëm përmes mediave dhe nuk janë ardh me raportu në Kuvend. Ne kemi një rezolutë që është e votuar në Kuvend që kryeministri me ardh me raportu para dhe pas çdo takimi…Deri tash ne kemi pasur regres sa i përket dialogut për arsye se ne për herë të parë ne kemi masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Ne i pamë përfaqësuesit e BE-së, që thanë se dialogu është i lidhur ngushtë me procese të tjera integruese. Këta e kanë pruar procesin e dialogut që me u kushtëzuar edhe proceset të tjera integruese”, thotë ajo.

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se Kosovës do t’i shkaktohen më shumë dëme nga çdo bllokadë në dialog.

Sipas tij, e ardhmja e dialogut do të varet nga liderët politikë në Kosovë dhe Serbi, por sipas tij, edhe e ardhmja politike e tyre do të varet nga dialogu.

“Dialogu do të varet kryesisht nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë, por edhe e ardhmja e liderëve të Kosovës dhe Serbisë do të varet nga dialogu. Dialogu është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm gjeostrategjik dhe gjeopolitik, në të cilën është investuar shumë gjatë këtyre viteve dhe absolutisht asnjë lider i cili e bllokon, saboton këtë proces nuk mund të jetë i pranueshëm në mënyrë normale as në Uashington dhe Bruksel…Natyrisht Kosova i ka vijat e kuqe dhe nuk mund t’i tejkalojë ato, mirëpo, ideja kryesore është që këto vija të kuqe nuk duhet të shndërrohet konfliktuoze në raport me BE-në. Pra, absolutisht është e mundshme që brenda hapësirave të gjenden opsione që janë të pranueshme edhe për Kosovën, BE-në dhe Uashingtonin. Nuk mund të ketë kokëfortësi në këtë proces sepse çdo bllokadë i shkon në dëm Kosovës më së shumti”, thekson Muhaxhiri.

Ai shtoi se kërkesa e kryeministrit Kurti për ndarje të procesit integrues të Kosovës në Bashkim Evropian nga dialogu, është një kërkesë jorealiste.

“Kjo është një kërkesë jorealiste sepse është krejtësisht e pamundshme që pozicioni i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane të zhvendoset nga dialogu. Dialogu është alfa dhe omega e gjithë prezantimit kosovar në arenën ndërkombëtare. Është një proces që është investuar shumë, sesa vite, shumë resurse njerëzore, financiare edhe nga BE-ja e ShBA-ja. Kështu që nuk është e mundur që Kosova ta ndajë këtë proces nga proceset të tjera integruese”, shton ai.

Kurti gjatë kësaj jave bëri të ditur se dialogu aktualisht po zhvillohet në rrafshin e diskutimeve të zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit Besnik Bislimi me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm.

Ai ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë ftesë për takim të nivelit të lartë në dialog.

VIDEO BONUS: Komandanti i UÇK-së, Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut