Ndalja e dritave në autostradë, ekspertët: Rrezik të rriten aksidentet me fatalitet

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës ka miratuar disa masa për kursimin e energjisë elektrike në institucionet e sektorit publik.

Një ndër këto masa, siç bëri të ditur ministrja Rizvanolli, është edhe ndalja e llampave ndriçuese në autostradë. Sipas propozimit, duhet të ndalet çdo e treta llampë përderisa nuk rrezikon njerëzit dhe komunikacionin.

Rreth kësaj çështje, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertët e komunikacionit, Faton Bunjaku dhe Nol Dedaj.

Bunjaku ka thënë se sipas tij, do të duhej që të bëhej një analizë se në cilat sektorë nuk do të zvogëlohej siguria në trafik.

Përveç kësaj, ai shtoi se në disa hapësira, siç tha ai, që janë kryesore sidomos në para lagjet e Prishtinës ku numri i automjeteve është më i madh atëherë do të zvogëlohet siguria në trafik.

“Mendoj që ndoshta ish dashtë me bë një analizë, me ditë përafërsisht se në cilat sektorë nuk do të zvogëlohej siguria në trafik për ndaljen e ndriçimit. Unë mendoj që kjo do të duhej të analizohej më tepër në zonat ku ka frekuentim edhe të këmbësorëve, sidomos rrugët nacionale, sidomos në ato nyje ku kemi qarkullim më të madh të mjeteve por edhe të këmbësorëve.  Tek nyjet që janë kryesore sidomos në para lagjet e Prishtinës, ku kemi numër më të madh të automjeteve atëherë mendoj që do ta zvogëloj sigurinë e trafikut. Mendoj që do të duhej të analizohej mirë se në cilat vende më patjetër ka vendos qeveria me bë një reduktim dhe një kursim të energjisë elektrike, por jo në disa vende ku ka shtim të numrit të aksidenteve”, ka thënë Bunjaku.

Për të njëjtën çështje, Deda, deklaroi se, rreziku më i madh do të jetë në autostrada dhe se ekziston rreziku që mund të ketë kemi të bëjmë me shtim të numrit të aksidenteve me fatalitet.

“Rreziku më i madh do të jetë në autostrada në qoftë se shkohet për me u ndalë një dritë po, një jo. Edhe nëpër qytete, por në qytet zhvillohet një shpejtësi e vogël edhe aksidentet që mund të ndodhin, mund të ndodhin aksidente të vogla. Më mirë është me i fikë të gjitha. Nuk kemi të bëjmë më nivel të sigurisë, kemi të bëjmë me shtimin e numrit të aksidenteve edhe me fatalitete. Në qoftë se, se thamë që bie niveli i sigurisë është shumë pak ajo. Kalimi prej dritës në errësirë, e humbë të pamurit edhe verbohet. Absolutë nuk mundet me pa asnjë automjet”, ka thënë Dedaj.

Këto janë masat që i ka prezantuar ministrja Rizvanolli:

Të zëvendësohen poçat  standard me poça led në të gjitha institucionet që i përmenda më lartë.

Të ndalohet ngrohja në zyre apo në vendet ku ka prezencë fizike si dhe në të gjithë korridoret.

Të ndalohet ngrohja e ujit në të gjithë institucionet publike, apo përdorimi i bojlerëve përveç në institucione si spitale apo entitete tjera.

Të ndalen pajisjet elektrike, përfshirë ato të teknologjisë informative dhe  të tjera.

Të ndalohet përdorimi i klimave, apo kondicionerëve, përveç rasteve kur nuk ka alternativa tjera për ngrohje.

Ndalohet përdorimi i ngrohësve unik, ngrohësve me energji elektrike.

Të mos përdoret ndriçim në zyra të brendshme dhe hapësira tjera gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.

Të ndalet çdo billboard apo reklamë që shfrytëzon energji elektrike.

Të ndalet ndriçimi dekorativ në të gjithë objektet.

Aty ku është e mundshme, të instalohen sisteme intelegjente për menaxhimin e konsumit të energjisë.

Objektet që ngrohen përmes ngrohjes qëndrore, të funksionalizojnë potencionalin e ngrohjes maksimalisht në dimër duke marrë hapat e mirëmbajtjes dhe pastrimit.

Të bëhet sanimi i rrjedhjeve të ujit në mënyrë që të bëhet kursimi i energjisë elektrike, duke qenë se pompat e ujit shpenzojnë energji elektrike.

Të caktohet një person përgjegjës për kursim të energjisë. Ky do të ketë përgjegjësi që të ndalë të gjitha dritat pas orës 16:00. Të sigurohet që temperatura për ngrohjen të mos jetë më shumë se 19 gradë.

Të ndalohet gjithë ndriçimi publik gjatë ditës.

Të ndalet çdo e treta llampë në autostradë apo rrugë regjionale, për aq sa nuk bën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe komunikacionit.

Të ndalet ndriçimi publik i lapidarëve dhe muzeve.