MKRS ia shkel të drejtën autoriale, aktivisti i LVV-së e denoncon se ia keqpërdori veprën artistike

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, artisti Luran Osmani, i ka reaguar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, se ia kanë keqpërdorur veprën “Identiteti”.

Të njëjtin denoncim, ai e ka bërë edhe për Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka denoncuar MKRS-në se vepra e tij “Identiteti” është keqpërdorur në formën duke mos respektuar parimin elementar, të drejtën autoriale.

Ai ka thënë se nuk e kishin njoftuar për përdorimin e veprës së tij, derisa për këtë ishte njoftuar në rrjetet sociale.

Një vepër e tillë është përdorur në Premierën e operës “Skënderbeu, kryezot i Arbrit”, që u mbajt nga Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Drejtuar Institucioneve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë

Paradoks apo delitantizëm

Vepra ime “Identiteti” është keqpërdorur në formën duke mos respektuar parimin elementar, të drejtën autoriale, edhe kjo nga institucione të kulturës.

Në një periudhë ku të gjithë mund të kemi etje për vlera të fushave të ndryshme në jetë dhe profesion, arti ka qenë në historinë e njerëzimit shtylla që ka balancuar dhe ka bërë përpara, por me vlera dhe respektim vlerash, jo me keqpërdorim; përndryshe mbyllja e vetëm njërit sy, apo mohimi i faktit na shtyn të jemi vetëshkatërrues në vlera institucionale e profesionale apo në emer të asaj çka kërkojmë.

Do të kisha dashur që të paktën të kisha qenë i njoftuar dhe jo të kisha parë pamjet nëpër rrjete sociale.

Ndaj dhe jemi këtu, sepse artisti gjithnjë lihet në hije, artisti vazhdon të jetojë kohën e Migjenit…

….në emer të artit kundër artistit, kundër “vetvetes”.

Luran Osmani, Tetovë,