Në një intervistë për Albanian Post, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi përgatitet dhe trajnohen në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, eventualisht nga grupe që financohen nga Serbia, megjithatë Qeveria është e vetëdijshme dhe e respekton faktin se është KFOR-i që si “forcë ushtarake ndërkombëtare” ka mandatin për “ruajtjen e paqes”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës si një forcë profesionale, multi-etnike dhe e ndërveprueshme me NATO-n ndër tre detyrat kyçe të saj ka mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit. Në këtë aspekt përgatitet trajnohet dhe pajisjet edhe për të zhvilluar operacione luftarake për mbrojtjen e territorit”, tha Maqedonci.
Maqedonci ka folur edhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sistemin anti-tank, Javelin dhe me dronët Bayraktar, derisa ka treguar se rasti i blerjes së sistemit Javelin tashmë ka kaluar dhe është aprovuar në të gjitha institucionet nëpër të cilat kërkohet të kaloj në SHBA.
“Procesi i sigurimit të sistemit raketor anti-tank Javelin është duke vazhduar. Oferta është pranuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe tashmë kemi ekzekutuar këstin e parë të pagesës”, ka treguar ai për AP.
Kur është pyetur për zotimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2013 për mosdërgimin e ushtarëve të FSK-së në Veri, kreu i MB-së ka potencuar se do të vazhdojnë ta respektojnë këtë vendim edhe pse kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e ka kundërshtuar.
“Pavarësisht që mund të mos pajtohemi, si Kryeministri ashtu dhe unë dhe të gjitha strukturat në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë të vendosura të respektojnë atë zotim të institucioneve të Kosovës. Në një kohë të përshtatshme në sinkronizim me NATO-n besoj që do të diskutohet se a ka nevojë vazhdimin e validitetit të këtij zotimi”.
Gjatë kësaj interviste, ai nuk e ka mohuar se ka ambicie në të ardhmen që të kandidojë edhe për deputet në zgjedhjet e ardhshme nacionale, por ka theksuar se tani fokus i tij është puna si ministër për shkak të situatës së brishtë në Veri.
“Në fazat e mëvonshme do të shikojmë angazhimin tim për të ardhmen. Unë jam ministër i një qeverie që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe si i tillë ndjek politikat e kësaj qeverie për fushën e mbrojtjes”, theksoi Maqedonci.
Intervista e plotë e ministrit të Mbrojtës, Ejup Maqedonci e dhënë për Albanian Post:
Albanian Post: Kemi pasur paralajmërime kohët e fundit nga krerët e shtetit se një grup i serbëve po përgatiten në Serbi për një sulm terrorist ndaj Kosovës, cilat janë informatat e juaja për këtë çështje dhe a është FSK-ja e gatshme që të përballojë ndonjë sulm eventual nga Serbia?
Ejup Maqedonci: Edhe më herët nëpër paraqitje në media, Drejtori i Policisë së Kosovës por edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve kanë theksuar faktin që grupe të ndryshme të përbëra edhe nga individë që ishin pjesë e sulmit të 24 shtatorit po vazhdojnë të mbeten të organizuar dhe po qarkullojnë të lirë dhe të pandëshkuar brenda territorit të Republikës së Serbisë. Këta individë dhe grupe të pandëshkuara mbeten rrezik prezent jo vetëm për sigurinë në vendin tonë por dhe për stabilitetin në tërë regjionin e Ballkanit Perëndimor.
Forca e Sigurisë së Kosovës si një forcë profesionale, multi-etnike dhe e ndërveprueshme me NATO-n ndër tre detyrat kyçe të saj ka mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit. Në këtë aspekt përgatitet trajnohet dhe pajisjet edhe për të zhvilluar operacione luftarake për mbrojtjen e territorit.
Normalisht, Qeveria e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë respektojnë plotésisht mandatin e KFOR, si forcë ushtarake ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe në vazhdën e kësaj bashkëpunojm ngushtë me të me qëllim ofrimin e kapaciteteve të FSK në zbatim të misionit të tij.
Albanian Post: Tashmë administrata amerikane ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank, Javelin, a kanë arritur ende këto raketa në Kosovë, sa do të kushtojnë dhe kur pritet ekspozimi i tyre? Po ashtu keni njoftuar se Kosova tashmë ka blerë disa dronë Bayraktar, a janë testuar ende këta dronë?
Ejup Maqedonci: Rasti i blerjes së sistemit Javelin tashmë ka kaluar dhe është aprovuar në të gjitha institucionet nëpér të cilat kërkohet të kaloj në SHBA. Procesi i sigurimit të sistemit raketor anti-tank Javelin është duke vazhduar. Oferta është pranuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe tashmë kemi ekzekutuar këstin e parë të pagesës.
Në vazhdim do ketë diskutime rreth saktësimit të periudhës së liferimit të këtij sistemi në Kosovë. Sa i përket fluturakeve pa pilot Bayraktar TB2, FSK ka krijuar njësinë e Sistemeve Ajrore Pa Pilot në kuadër të strukturës së saj dhe kjo njësi bazuar në planet e saj, teston, trajnohet dhe operon fluturaket TB2 varësisht nga planet dhe nevojat.
Albanian Post: Në maj keni njoftuar se Kosova do të jetë nikoqire e “Defender Europe 25”, çfarë përgatitje jeni duke bërë në këtë drejtim dhe sa e ka dëmtuar FSK-në përjashtimi i saj nga stërvitja “Defender Europe 2023”, për shkak të mos shtensionimit të situatës nga Qeveria në Veri?
Ejup Maqedonci: Mund të konfirmoj që oficerët planifikues të FSK janë duke marr pjesë në të gjitha aktivitete planifikuese të ushtrimit “Defender Europe 25” që organizohet dhe drejtohet nga Ushtria e SHBA-ve për Evropë dhe Afrikë. Pra, vendi ynë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të jenë pjesë e ushtrimit “Defender Europe 25”.
Anulimi i aktivitetit të quajtur “Dita e Vizitorëve të Shquar” ka pamundësuar prezantimin për opinionin publik të aktiviteteve të FSK-së të realizuara gjatë ushtrimit “Defender Evropë 23” mirëpo aspak nuk ka dëmtuar arritjen e objektivave të FSK-së në kuadër të atij ushtrimi. FSK gjatë ushtrimit “Defender Evropë 23” ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara trajnuese dhe ka validuar kapacitetet e këmbësorisë të Regjimentit të saj të parë.
Albanian Post: Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e ka kundërshtuar marrëveshjen me NATO-n për mosdërgimin e FSK-së në Veri. Por, ju apo edhe kryeministri a keni provuar që ta rinegocioni këtë marrëveshje me Aleancën, dhe a ka ndonjë gjasë që e njëjta të zhbëhet?
Ejup Maqedonci: Në fakt zotimi i Qeverisë së Kosovës i vitit 2013 nuk është marrëveshje për mosdërgim të trupave të FSK-së në veri të vendit por është zotim për koordinim paraprak me KFOR-in për ndonjë aktivitet të FSK-së në katër komunat veriore të Kosovës. Pavarësisht që mund të mos pajtohemi, si Kryeministri ashtu dhe unë dhe të gjitha strukturat në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë të vendosura të respektojnë atë zotim të institucioneve të Kosovës. Në një kohë të përshtatshme në sinkronizim me NATO-n besoj që do të diskutohet se a ka nevojë vazhdimin e validitetit të këtij zotimi.
Albanian Post: Tashmë kanë mbetur edhe pak muaj deri te mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, keni përmendur se mund të futeni në garë për deputet, a do jeni kandidat për ligjvënës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, apo synoni të merrni prapë ndonjë pozitë kyçe në Qeveri?
Ejup Maqedonci: Përqendrimi im kryesor në këtë fazë mbetet drejtimi i mbrojtjes si detyrë që më është besuar nga Kryeministri Kurti. Kjo detyrë sidomos në situatën e brishtë të sigurisë në të cilën ndodhet vendi, rajoni, kontinenti ynë dhe bota në përgjithësi, kërkon vëmendje, fokus dhe përkushtim, prandaj edhe energjia ime aktualisht është e drejtuar në funksion të ushtrimit me përgjegjësi të detyrës së Ministrit të Mbrojtjes.
Në fazat e mëvonshme do të shikojmë angazhimin tim për të ardhmen. Unë jam ministër i një qeverie që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe si i tillë ndjek politikat e kësaj qeverie për fushën e mbrojtjes.







