Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, derisa ka përshëndetur Klinikën e Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për sistemin laserik C-RAD të gjurmimit optik 3D, ka thënë se spitalet e Kosovës janë duke u shndërruar shpejt në qendrën kryesore për teknologjitë mjekësore më të avancuara në rajon.

“Spitalet tona janë duke u bërë shpejt një qendër për teknologjitë mjekësore më të avancuara në rajon. Klinika Onkologjike e QKUK-së sapo ka marrë sistemin e radioterapisë me laser C-RAD 3-D, duke u bërë i vetmi institucion në rajon me teknologjinë më të fundit për këtë aparaturë”, ka theksuar ai.

“Pacientët me kancer në Kosovë tani do të përfitojnë nga opsionet më efektive të trajtimit, duke minimizuar efektet anësore. Përmirësimi i kujdesit ndaj pacientëve nuk është vetëm një investim i zgjuar – është gjëja e duhur për t’u bërë për qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera Kurti.