Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka thënë se urimet e zyrtarëve institucionalë në Kosovë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për nder të ditës së pavarësisë së kombit amerikan, janë të mirëseardhura, por nuk kanë vlerë përderisa ekzekutivi vazhdon t’i përbuzë vlerat amerikane.
“Sot, më 4 korrik, pothuajse çdo zyrtarë në qeveri dhe parlament ka uruar përvjetorin e pavarësisë së SHBA-së. Kjo është një gjë e mirë dhe duhet të jemi gjithmonë falënderues ndaj kontributit të SHBA-së për Kosovën. Megjithatë, më e rëndësishme se urimet do të ishte nëse qeveria dhe shumica parlamentare do të përvetësonin vlerat amerikane”, ka theksuar fillimisht Selmanaj.
“Nuk është vlerë amerikane të shkelësh Kushtetutën e Republikës; Nuk është vlerë amerikane të sulmosh gjykatat; Nuk është vlerë amerikane të tentosh të kontrollosh ekonominë e lirë të tregut; nuk është vlerë amerikane të tentosh të kontrollosh dhe të mbyllësh mediat; nuk është vlerë amerikane të nënshkruash kontrata sekrete multimilionëshe”.
“Nuk është vlerë amerikane ta shkatërrosh administratën shtetërore; nuk është vlerë amerikane ta fyesh dhe ta sulmosh opozitën; nuk është vlerë amerikane të falësh borxhet e shtetit… Prandaj, më e rëndësishme se urimet dhe simbolikat me flamur amerikan, do të ishte implementimi i vlerave amerikane nga qeveria”, ka shtuar mes tjerash ai.







