Mashtrimet “de-facto” të Glauk Konjufcës për Zajednicën dhe njohjen faktike nga Serbia

I dyti në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka qenë pak nën llupën e mediave për ndryshimin e qëndrimeve, kontradiktat dhe mashtrimet përmes deklaratave, ashtu siç ka qenë bashkëpartiaku i tij, i pari i kësaj partie, Albin Kurti.

Po aq sa Kurti, edhe opozitari Konjufca ka qenë në ballë të demonstratave që kundërshtonin ashpër marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Megjithkëtë, politikani që shquhet edhe për gjatësinë e tij fizike, nuk ka mbajtur gjatë qëndrimet e tij të forta opozitare kundër këtyre marrëveshjeve, ku bënë pjesë edhe Zajednica/Asociacioni, për pranimin e së cilës akuzonte kundërshtarët politikë se po bënin tradhti kombëtare, por që tani e sheh si zgjidhje sipas modelit “Zajednicë për njohje”.

I gjithë diskursi publik i drejtuesve të shtetit, Kurti – Osmani – Konjufca, është hedhur poshtë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka treguar se me Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023), të cilat u pranuan nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti, Kosova ka pranuar të mos njihet nga Kosova.

Hyrja në zyrën e kryeparlamentarit të Kosovës, ka ndryshuar mënyrën e të menduarit të Konjufcës. Atë që dikur e shihte si të rrezikshme e që mund ta shkatërrojë shtetin e Kosovës, Konjufca e ka gjetur mënyrën se si ta pranojë, duke lënë në harresë gjithçka që ai prezantonte si opozitar.

Lista e këtyre ndryshimeve të Konjufcës mund të jetë më e gjatë, por Demokracia.com është përqendruar në qasjen e opozitarit të dikurshëm dhe kryeparlamentarit aktual ndaj Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për qëndrimet plot besim të tij se me planin franko-gjerman, i cili u shndërrua në Marrëveshjen Bazë më 27 shkurt në Bruksel, kemi njohje de-facto nga Serbia.

“PLANI EVROPIAN ËSHTË NJOHJE DE-FACTO PËR KOSOVËN NGA SERBIA”

Më 8 mars 2023, kryeparlamentari Konjufca u shfaq në një studio televizive për të mbrojtur shefin e tij, Albin Kurtin, për arritjen e Marrëveshjes Bazë në Bruksel, e cila deri asokohe njihej si “plani franko-gjerman”, e më pastaj si “plani evropian”.

Me bindje të plotë, ai deklaroi se me këtë plan, Serbia e ka njohur de-facto shtetin e Kosovës.

“Sipas mendimit tim, njohja De-Facto është kur një shtet tjetër pajtohet që ti ekziston absolutisht si shtet i pavarur, që e merr zotimin mos me t’u përzi në asnjë prej punëve tua të brendshme, mos me t’u përzi askund në arenën ndërkombëtare, që me t’i njoftë krejt çka prodhon ti, krejt dokumentet, prej pasaportës, doganave, mallrave, gjithçka që prodhon Republika e Kosovës me logo të saj, pa kurrfarë fusnote, plotësisht të barabarta si shtete”, thoshte Konjufca.

“Kjo është njohja që po kërkohet me planin evropian. Unë mendoj që kjo është arsyeja, për shkak të nenit 2 që nuk e nënshkruan Serbia dhe nuk pres që do ta nënshkruajë as me 18 mars. Kryeministri Kurti, edhe atë ditë ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë, mirëpo Serbia nuk e nënshkruajti. Unë mendoj që kjo e qet në pozicion të favorshëm Kosovën”, kishte thënë Konjufca.

Edhe pse palët nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, ka qartësuar nga Ohri më 18 mars 2023 se “Aneksi konsiderohet i miratuar me një deklaratë”. Për më tepër, Bashkimi Evropian në pikën 2 të deklaratës e ka qartësuar përfundimisht se Marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksi i 18 marsit në Ohër janë bërë pjesë integrale e proceseve të anëtarësimit.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

Vetëm në më pak se dy muaj nga deklaratat e tij, më 20 prill 2023, Konjufca përmendi sërish njohjen de-facto nga Serbia, e cila tani doli se nuk kishte ndodhur edhe përkundër sqarimeve të BE-së, shkruan Demokracia.com.

Në këtë situatë, Konjufca ende nuk ka sqaruar se sa herë duhet të ndodhë njohja de-facto nga Serbia që të konsiderohet se ka ndodhur kjo njohje.

NGA “ZAJEDNICA TRADHTI KOMBËTARE E BOMBË E KURDISUR” NË “ZAJEDNICË PËR NJOHJE NGA SERBIA”

Dhe meqenëse kjo njohje nuk ka ardhur ende, Konjufca ka filluar ta synojë atë përmes një rruge tjetër, duke e këmbyer me Zajednicën / Asoiacionin.

Në muajin prill, kryeparlamentari Konjufca kishte shprehur qëndrimin se Kosova nuk duhet të ndërmarrë veprime për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa u siguruar njohja de-facto nga Serbia, por Beogradi është kundërpërgigjur se nuk do të ketë as njohje de-facto e as de-jure.

“Binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme në vitin 2013 e ka pranuar. Kjo i referohet marrëveshjes 2013. Tash çka duhet të tregojë Kosova është që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë, pa u realizuar binari i parë, që është pra njohja de-facto”, deklaronte Konjufca.

Një qëndrim i tillë pozitiv i Konjufcës për Zajednicën, që mund të shërbejë në këmbim të njohjes është krejtësisht i ndryshëm nga qëndrimet e tij të forta si opozitar, por edhe si kryeparlamentar.

“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë”, deklaronte Konjufca në shkurtin e vitit 2022.

Ky qëndrim i Konjufcës ishte pak a shumë i njëjtë me atë që dikur e prezantonte si opozitar.

Në gusht të vitit 2015, Konjufca ishte shfaqur në konferencë për media për të akuzuar për tradhti kombëtare dhe për fuqizim të ndarjes së Kosovës, kryeministrin e asaj kohe, Isa Mustafën, për nënshkrimin e dokumentit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni është një autonomi politiko-territoriale e serbëve që jetojnë në komunat me shumicë serbe. Kemi një proces të legalizimit të Beogradit në Kosovë. Autonominë politike të këtij etniteti serb do ta kontrollojë Beogradi. Kuvendi i Asociacionit do ta paralizojë Kuvendin e Kosovës”, thoshte asokohe Konjufca, derisa paralajmëronte se kjo do të ndalej me demonstrata gjithpëpopullore, siç edhe ndodhi më vonë.

Në të njëjtin muaj, Konjufca deklaronte nga një tubim në Mitrovicë se “Zajednica është bombë e kurdisur nga Serbia”, dhe i bënte thirrje kryeministrit Isa Mustafa që ta kthente mbrapsht nënshkrimin e tij ose të jepte dorëheqje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mes të shtatorit do t’i rikthehet dialogut e Serbinë që s’ka njohje reciproke, por që e gjithë vëmendja është përqendruar në themelimin e Zajednicës.