Lumezi s’e sheh shqetësuese mungesën e aktakuzave të profilit të lartë

Pavarësisht kritikave ndaj Prokurorisë së Shtetit, për mungesën e ngritjes së aktakuzave ndaj profilit të lartë, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të shihet si shqetësuese.

Për këtë, ai e ka përmendur aktakuzën që, në dhjetor të vitit të kaluar, ishte ngritur ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi, si dhe gjashtë zyrtarëve tjerë.

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lumezi ka thënë se pavarësisht mungesës së ngritjes së aktakuzave ndaj profilit të lartë, sipas tij, institucioni që ai udhëheq, ka zhvilluar shumë hetime dhe procedura tjera që lidhen me luftën kundër korrupsionit.

“Nuk duhet me na shqetësu fakti shumë që ndoshta nuk kemi pas shumë aktakuza të nivelit të lartë edhe pse kemi pas. Ju e dini që në muajin dhjetor është ngritë një aktakuzë edhe kundër një ministri, edhe kundër një sekretari, por kemi pasur edhe raste tjera në të cilat janë ndërmarrë veprime të duhura dhe me vendime të prokurorëve janë arrestu shumë persona lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare. Hetimet zgjasin dy vjet me mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj, kështu që ne kemi shumë raste të rëndësishme edhe në PSRK edhe në Prokuroritë Themelore edhe në Njësitin në Prishtinë. Kështu që duhet ndoshta të forcohet mbikëqyrja e kryeprokurorëve për trajtimin e këtyre rasteve, por edhe komisionit, kështu që ne gjatë vitit 2020 të dalim me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se me qëllim të luftimit të korrupsionit, prokurorët duhet të bashkëpunojnë më shumë me sinjalizuesit e korrupsionit dhe në këtë mënyrë sipas tij, duhet të largohet praktika e procedimeve penale pas letrave anonime.

“I kemi sinjalizuesit edhe në institucionet publike edhe në institucione private, edhe me ta duhet me bashkëpunu. Nëse ka informacione se ka korrupsion, atëherë ajo me kon një bazë e fortë për inicimin e procedurës penale, e jo me qenë bazë letrat anonime të cilat shpesh herë mund me i dëmtu njerëzit që punojnë në mënyrë të drejtë, por behën për shkak të ndërskamcave apo për raportet e tyre nëpërmes veti”, ka thënë Lumezi

Gjithashtu, ka thënë se në bazë të raportit të grupit punues për mbikëqyrjen e Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, ka rezultate në luftën kundër korrupsionit, sepse sipas tij, janë zgjidhur më shumë lëndë, sesa që janë pranuar.

Këto komente, Kryeprokurori i Shtetit, i ka bërë në mbledhjen e 177 të KPK-së, ku është prezantuar raporti i grupit punues për mbikëqyrjen e Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, që rrjedhin nga Plani Strategjik i sistemit prokurorial 2019-2021.

Ndryshe, në bazë të raportit të prezantuar nga prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula, në fillim të vitit 2019, për vepra penale të korrupsionit janë trashëguar 248 lëndë, me 675 persona, ndërsa në fund të vitit, kanë mbetur 267 lëndë me 800 persona, por në këtë periudhë raportuese janë pranuar edhe 384 lëndë të reja.

Sipas saj, një statistikë e tillë shënon performancë të mirë të prokurorëve, pasi janë arritur të procedohen 104.07% të kallëzimeve penale.

Sipas Pulës, një statistikë e mirë është edhe fakti se 31.25% e kallëzimeve penale janë ushtruar nga ana e qytetarëve apo të dëmtuarve, që sipas saj, shënon rritje të parashtrimit të kallëzimeve penale drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Nga 771 personat për të cilat janë ndërmarrë veprimet, ajo tha se 30.54% të rasteve kanë përfunduar me aktakuza, 26% pushim të hetimeve, 43.50 hudhje të kallëzimeve, si dhe 0.13% të rasteve janë shqiptuar trajtim të masave.

Ndërsa, kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni, tha se e vlerëson këtë raport të grupit punues, por sipas tij, në raportet e ardhshme duhet të dihet se cilat vepra penale janë duke u hudhur kallëzimet penale, e po ashtu, sipas tij, duhet të dihet se nga këto procedime penale, çfarë është sekuestruar dhe çfarë është konfiskuar.

Ndryshe, në këtë mbledhje është miratua edhe Udhëzimi Administrativ për Sigurimin, Ruajtjen, Qasjen dhe Rendin në objektet e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, si dhe është marr vendimi që të njoftohet Presidenti i Kosovës, se prokurorja Argita Bulatoviq do ta arrij moshën e pensionimit më 1 shkurt 2020 dhe prokurori i PSRK-së, Sylë Hoxha, më 10 shkurt 2020, me qëllim që të njëjtit të lirohen nga detyra.

Si pika të tjera të rendit të ditës të kësaj mbledhje ishin edhe raporti i Komisionit për vlerësimin e parë të performancës së 20 prokurorëve me mandat fillestar dhe dy seanca dëgjimore për rastet disiplinore të Prokurorisë Themelore në Gjilan, por këto pika u zhvilluan me dyer të mbyllura.