Lufta në Ukrainë ndryshoi rëndësinë e dialogut Kosovë – Serbi

Kosova duhet të ketë kujdes në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi që Serbia shpesh ka treguar se nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara.

Ish-ambasadori Avni Spahiu, tha se tani ka ardhur koha ku është në interes të ShBA-së dhe BE që të bisedohet më seriozisht rreth dialogut dhe rezultatit eventual, ose dialogu të dështoj.

“Tani kemi diçka konkrete në këtë aspekt, kemi një propozim gjermano-francez edhe pse për një kohë ato dy shtete mohuan këtë dokument”, tha ai.

Spahiu është shprehur skeptik për arritjen e një marrëveshje dhe mbajtjes së fjalës nga ana e Serbisë dhe për këtë Kosova duhet të ketë kujdes në këtë proces.

“Jam shumë skeptik sa i përket Serbisë, ajo mund të nënshkruajë, por edhe mund të mos e mbajë fjalën”, tha Spahiu në RTK.

Për heqjen e vizat ndaj Kosovës që janë bërë temë debati muajt e fundit, Spahiu tha se nuk sheh ndonjë problem për Kosovën.

“Në këtë aspekt, Franca nuk është pengesë, ajo dhe vendet e tjera njëzëri kanë mbështetur heqjen e vizave për Kosovën. Dialogu është diçka tjetër”, tha Spahiu.

Gashi: Kërkesat e palëve në dialog janë eksplicite

Ibrahim Gashi, profesor universitar, tha se për 10 vite, trajektorja e historisë së dialogut në vijimësi ka shfaqur pozicionet e largëta të palëve në dialog.

“Në dialog janë diskutuar çështjet periferike kryesisht temat e karakterit teknik, madje edhe ato marrëveshje që janë arritur nuk janë implementuar”, tha Gashi.

Sipas tij shpërthimi i luftës dhe agresioni rus ndaj Ukrainës, e ka nxjerrë në pah brishtësinë e situatës në kontinent.

Bytyqi: Kurti është i angazhuar shumë në procesin e dialogut

Profesori universitar, Seb Bytyqi, vlerësoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka prioritet dialogun.

“Kryeministri shihet se e ka prioritet dialogun, sidomos pas luftës në Ukrainë dhe kuptimi për dialogun ka ndryshuar, kjo lidhet edhe me veprimet e qeverisë së Kosovës për ta vendosur pushtetin në veri, si dhe për të vendosur Kosovën në një pozicion më të mirë në dialog. Ka një mirëkuptim për Kosovën që e shohin si një mundësi të mirë për të përmbyllur ‘konfliktin’, mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Sipas tij nëse kemi një zgjidhje të konfliktit të Kosovës dhe Serbisë, BE dhe perëndimi do të ketë radhët më të konsoliduar.

Për mos implementimin e vendimit të Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Bytyqi, vlerësoi se ai problem duhet të trajtohet si çështje komunale.

“Institucioni kompetent në këtë çështje është niveli komunal, nëse flasim për kompetenca. Qeveria aty është palë e tretë, edhe pse si çështje mund të jetë simbolike”, tha ai.