Pal Shtufi

Lufta dhe paqja e Ali Ahmetit

Politikat duhet të humanizohen edhe në këtë cep të Europës. Maqedonia është shembulli. Ali Ahmeti është modeli.

Pal Shtufi

Është rast i rrallë të shohësh nacionalistët dhe luftëtarët e lirisë të kthehen në njerëz të urtë, paqësor dhe vizionarë. Është rast i rrallë të shohësh politikan jo-egoist në Ballkan. Mirëpo, siç e kemi parë, që nga lufta në Maqedoni e deri sot, Ali Ahmeti u dëshmua që është lideri politik, i cili është i pajisur me të gjitha këto virtyte e lartpërmendura.
Nuk duhet harruar se aktivitetet e gjata në ilegalitet, deri në luftë të armatosur, prodhojnë edhe veprime anësore negative, siç janë: argumenti i forcës, urrejtja konstante, jo toleranca, egoizmi, padrejtësia, smira, grabitja dhe shkurtpamësia politike.
Paqja është fitore.

Para disa vitesh, në një shkrim pata thënë se paqja në Maqedoni është fitore për shqiptarët.

Ali Ahmeti, duke mbjellë paqen me çdo kusht, dëshmoi që politikën e kuptoi në sensin e saj thelbësor. Siç e shohim edhe sot, ai u kthye suksesshëm nga një luftëtar me pushkë në dorë, në një paqësor që ka ndjesi për ta kuptuar jo vetëm politikën, por edhe filozofinë politike të ndërtimit të lirisë. Po them ndërtimit, sepse liria nuk është një gjendje njëherë e dhënë, por është një proces që kërkon shumë mjeshtëri mendore dhe emocionale për të kapur qëllimin final: konstanten e lirisë së patrazuar.
Ali Ahmeti nuk e kishte lehtë, sepse përballë nuk kishte vetëm nacionalistë të egër maqedonas, por edhe një egërsi politike të shqiptarëve të tij, të cilët vetëm politikën nuk e kuptuan kurrë. Për fat të keq, as sot e kësaj dite.
Udha politike dhe ideologjike e Ali Ahmetit ka ecur në binarë të njëjtët, siç pati ecur e tërë LËVIZJA e dikurshme marksiste-enveriste, e cila ishte e ngurtë, agresive dhe jo-tolerante.

Pse pikërisht sot po e përmend këtë fakt?

Sepse është rast i mirë që mbetjet tona enveriste, qofshin ato në pushtet ose jashtë tij, të mësojnë nga shembulli i Ali Ahmetit, i cili kurrë nuk zuri armiq duke përdorur logjikën dhe sloganet e enverizmit të dikurshëm. Përkundrazi, i zbuti të gjithë, edhe armiqtë e dikurshëm dhe i mësoi të sillen si njerëz të qytetëruar e bashkëpunues për një Maqedoni stabile, e cila sot po bënë hapa europian në ndërtimin e shtetit multietnik.

Edhe ne mund të kemi kryeministër serb

Momentalisht Kosova është duke kaluar një mjegull politike, të cilën Serbia e ka ngritur me politikat e saja mesjetare. E ka ngritur për të peshkuar në të turbulltën, e cila i duhet për këso qëllimesh. Mendoj që edhe në këtë rast, Kosova duhet të nxjerrë mësime nga politikat e Ali Ahmetit, i cili diti të udhëhiqte edhe në mes egërsive kulmore të nacionalizmit maqedonas.
Për ta drejtuar shtetin drejt rrymave pozitive, politikani duhet pasur shumë cilësi që ndihmojnë ngritjen kualitative të politikës së shtetit – nëse ka nevojë edhe me çmimin e rënies së popullaritetit personal. Që i bie, sa më shumë që politikanët zvogëlojnë egoizmin, aq më shumë hapen horizonte të reja për veprime racionale.

E di që tingëllon jashtëkohore, por duhet ta themi pa frikë se një kryeministër i nacionalitetit serb, i duhet Kosovës. Nuk them se kjo gjë varet vetëm nga ne shqiptarët, jo. Të gjithë e dinë se Serbia nuk do ta lejonte një gjë të tillë, por ne duhet t’i bëjmë gjërat që një ditë të kemi kryeministër serb, aq më tepër, kur dihet mirëfilli se ky akt nuk do të ishte vetëm politik por edhe psikologjik. Është akt, i cili rrëzon përtokë nacionalizmin mesjetar serb si dhe disa mbetje të nacionalizmit primitiv në radhët tona.

Nuk duhet harruar, nacionalizmi në kohë paqeje është produkt me afat të skaduar. Së këndejmi, edhe i rrezikshëm nëse implementohet në gatimet politike të shtetit. Prandaj, në vend të tij duhet përdorur qasjet moderne të politikave europiane të koordinimit dhe bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë.

Politikat duhet të humanizohen edhe në këtë cep të Europës. Maqedonia është shembulli. Ali Ahmeti është modeli.