Emisari i BE-së

​Lajçak sot në Kosovë

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të jetë në Kosovë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.

Lajçaku dje ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin përveç tjerash ka diskutuar edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai ka shkruar në X, se në takimin me Vuçiq, fokus i diskutimeve ka qenë perspektiva strategjike për vitin 2024, por gjithashtu kanë bërë një bilanc për të arriturat dhe ngecjet në dialog.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Vuçiq tha se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun

Sipas zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë, në përpjekje për të çuar përpara dialogun.

“Bisedimet me presidentin Vuçiq në Beograd dhe me homologët kosovarë në Prishtinë, janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, theksoi Stano.

Përndryshe, Brukseli kërkoi nga autoritetet në Kosovë të hënën që të shtyjnë zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

VIDEO BONUS: Ambasadori amerikan thirrje BQK-së: Të shtyhet zbatimi i vendimit për ndalimin e dinarit