Këshilli i Evropës

Prej letrave të Vuçiqit te ‘kushtëzimi’ me Statut të Asociacionit: (S)a po ia del Serbia të pengojë Kosovën në KiE

E ka të botuar në uebsajtin e saj zyrtar qeveritar – para 11 viteve – që Serbia “nuk do të bllokojë e as s’do të inkurajojë të tjerë të bllokojnë” rrugën (asokohe vetëm) evropiane të Kosovës. Dhe kjo për të mos e llogaritur fare – për hir të argumentit – Nenin 4 të Marrëveshjes Bazike ku Serbia zotohet të mos e pengojë Kosovën “në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Por, që Serbia s’u qëndron trakteve kontraktuale ndërkombëtare të saj të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, kjo shkon edhe pa u thënë.

Tashmë në dritën e afrimit të votës finale për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Beogradi veçse ka shpërndarë maçinerinë e saj qeveritare e lobuese anekënd kontinentit për të penguar këtë anëtarësim.

Në letrat që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte përpiluar për të argumentuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE te vendet anëtare, të vetmin që edhe ai vetë e beson se ia merr parasysh ndokush është çështja e Asociacionit.

Para se të votohej në Asamblenë Parlamentare, presidenti serb kishte mbledhur kabinitetin e tij qeveritar për të formuar një ekip-luftues kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ua kishte kumtuar të ashtuquajturën strategji-kundërshtuese.

“Nuk mjafton të thoni Kosova nuk është shtet…sepse shtetet që e njohin Kosovën do t’ju thonë ‘epo, për neve është’”, u thoshte Vuçiqi qeveritarëve të vet, teksa u kërkonte të argumentojnë mbi bazën se “ende nuk ka proces themelimi të Asociacionit” dhe se “duhet t’i qëndroni kësaj”.

Se Vuçiqi ka korrur pozicion të favorshëm shpesh kundrejt Kosovës duke e përdorur këtë si argumenton që “ja, qe sa-e-sa vite s’e kanë bërë Asociaicionin” edhe kjo shkon pa pasur nevojë të thuhet.

Të njëjtën gjë e bëri edhe në letrat e tij. Në argumentin e katërt të radhitur në letrat e tij, siç bëri të ditur “Iniciativa Evropiane për Stabilitet” Vuçiqi e quajti “farzë” Asociacionin si “zotim pas-anëtarësimit” në raportin e Dora Bakoyanis.

“Sigurisht, është absolutisht e qartë se kjo shprehje hibride do të thotë se në fakt nuk ka kushte…ky koncept e dëmton drejtpërdrejt kredibilitetin e Këshillit të Evropës dhe në fakt i referohet një fakti Kosova në thelb nuk do të ketë asnjë detyrim…”, shkruan Vuçiqi në letrat dërguara krerëve të shteteve anëtare.

Një nga ministrat e tij më lojalë, Sinisha Malli, dje doli me një pretendim se “Prishtina nuk do ta ketë të lehtë fitoren ‘të lehtë e të shpejtë’ siç e priste gjithkush kur është fjala për Këshillin e Evropës”.Se a ka pasur sukses Vuçiqi në përdorjen e këtij argumenti kohëve të fundit u tregua nga qëndrimet e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi ditë më parë telefonatë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili krejt kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës e ndërlidhi me “përparim të shpejtë dhe të paprapakthyeshëm” drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Kjo është kuptuar si marrja e hapit të parë – miratimi me dekret të qeveritar të draft-Statuti të BE-së për Asociacionin dhe dërgimi për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.

Pas Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili kërkoi përparim “të shpejtë dhe të paprapakthyeshëm për Asociacionin në kontekstin e (para)anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës” edhe O’Brien njoftoi se për integrime të vendit në strukturat euroatlantike kërkohet “përparim urgjent për Asociacionin” dhe se Kurtit i ka treguar “hapat pozitivë që nevojiten për këtë”.

“SHBA-të mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Kurti sot”, shkroi O’Brien në “X”.

Të njëjtën gjë e kërkoi edhe Gjermania – shtytësja më e madhe para e Kosovës drejt KiE-së – e cila kumtoi përmes ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde se kërkohet dërgimi i draft-Statutit në Gjykatë Kushtuese.

Si e arsyeton Bakoyanis këtë?

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis ajo shkruan sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se vetë aplikimi i Kosovës, vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb, e cila në marrëveshje është e bazuar në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht të njohur ndryshe edhe si Karta Evropiane për Autonomitë Vendore.

Teksa Bakoyanis thotë se tashmë për këtë institucion ka një draft-Statut “të cilin kryeministri ma konfirmoi se është i gatshëm ta nënshkruajë” ajo një pasazh më poshtë thotë se “themelimi i Asociacionit duhet të jetë lart në konsideratën në ardhje të Komitetit të Ministrave rreth aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Nuk ka nevojë të thuhet”, shkruan Dora Bakoyanis në raportin e saj, “që themelimi i Asociacionit do të peshojë rëndë në hartimin e rrugës evropiane për Kosovën”.