Kurti ndërron, “Zajednica” kalon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serbë Aleksandar Vuçiq, mbrëmë janë pajtuar me planin e propozimit evropian.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Demokracia.com.

Kundërshtuesi më i madh i “Zajednicës”, Albin Kurti një prononcim për media pas takimeve në Bruksel deklaroi se “Zajednica” ishte në pikën e 10-të të planit franko-gjerman. Këtë Kurti e pranoi për herë të parë në Bruksel, ndonëse qëndroi i heshtur përpara “Tempullit të Demokracisë” kur u pyet nëse i ashtuquajturi “Bosnjëzim i Kosovës” përfshihej në planin evropian.

Kurti tutje ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante për dakordimin në Bruksel, por pala serbe ka refuzuar.

Si kundërshtues i “Zajednicës”, Kurti nga pozita e kryeministrit vazhdimisht e potenconte se nuk do të zbatojë marrëveshje të dëmshme të cilat janë nënshkruar nga paraardhësit e tij.

Një ditë pasi Kurti pranoi Asociacioni, Demokracia.com sjell në kujtesë të gjitha deklaratat e Albin Kurtit si opozitar dhe ndërrimin e qëndrimeve lidhur me “Zajednicën”.

“Zajednica për Kosovën është kthim i Serbisë dhe do të na sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë të dera”, dhe “Me këtë “Zajednicë” i garantohet lufta brezit të ardhshëm”.

Këto janë vetëm disa nga deklaratat e Albin Kurtit, gjatë kohës sa ai ishte opozitar. Për vite të tëra, kryeministri aktual, ka qenë shumë i zëshëm kundër Zajednicës së komunave me shumicë serbe.

Opozitari Kurti ishte i bindur se Zajednica, që asokohe nuk pranonte kurrsesi ta quante Asociacion apo Bashkësi, do të sjellë luftën për brezin tjetër.

“Unë së paku kam shpresuar se ndoshta ky brezi ynë, që jemi gjallë tash, është i fundit që ka përjetuar luftë. Nuk ka brez shqiptarësh që nuk e ka përjetuar së paku një luftë. Ka breza edhe me nga dy-tri luftëra. Mirëpo, me këtë Zajednicë i garantohet lufta brezit të ardhshëm”, deklaronte me besim të plotë Kurti.

Çdokush që do ta pranonte “Zajednicën”, për Albin Kurtin dhe partinë e tij, Vetëvendosjen, ishte: serbofil.

Kjo ishte një akuzë e rëndë, sidomos kur dihet mirëfilli konteksti historik i marrëdhënieve shqiptaro – serbe.

“Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Fillimisht e decentralizuan Kosovën në baza etnike, e tash po e centralizojnë mbi baza serbe. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh “Zajednicën” dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil”, deklaronte me ashpërsi opozitari Kurti, e tani kryeministër aktual i Kosovës.

Nga qelia e paraburgimit në vitin 2015, Albin Kurti i Vetëvendosjes kishte bërë publike një letër me titullin “O Republikë, o Zajednicë”.

Në këtë letër, Kurti i akuzonte Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin se marrëveshjet me Serbinë po i konsiderojnë “të shenjta”.

“Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën”, shkruante ai, përcjell Demokracia.com.

“Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe “Zajednica” e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. “Zajednicën” e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit”, ka shtuar ai.

Kishte qenë Kurti ai i cili i ishte gëzuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli jokushtetues ASK-në, duke thënë se “Zajednica” ka vdekur.

“’Zajednica’ ka vdekur. Është obligim i yni që të mos lejojmë ringjalljen e saj.”, thoshte Kurti më 13 shkurt 2016.

Kurti po ashtu kishte organizuar edhe protesta masovike, si dhe kishte mbledhur mijëra nënshkrime në kundërshtim të Asociacionit.

“Asociacioni i Komunave Serbe është arritur në Bruksel në gusht të vitit 2015 dhe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës para se edhe pala serbe të pajtohej se mund të trajtohej si çështje e Gjykatës Kushtetuese”, thoshte Kurti.

Tutje, Kurti deklaroi institucionet e shtetit, e ajo ai si kryeministër, s’mund të lejojë një Asociacion të një vendi.

“Plani i Ahtisarit, i cili ishte një kompromis dhe është i përfshirë në kushtetutën tonë, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike. Por, një etni nuk është e mundur, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar më 23 dhjetor 2016, më kujtohet shumë mirë se asnjë nga shtatë kapitujt e marrëveshjes nuk është në përputhje me kushtetutën tonë dhe të gjitha së bashku janë shkelur 23 nene, pra janë institucionet e shtetit, jo unë si kryeministër që nuk e lejoj Asociacionin e Komunave Serbe”, kishte deklaruar Kurti.

E tash së voni, Kurti theksoi se mund të ketë Asociacion, por jo një etnik.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”,”, thoshte Kurti.