Kosovarët nuk po e kursejnë energjinë, këto statistika e tregojnë të kundërtën

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, aktualisht, pra në ditët e para të vjeshtës dhe me tendenca të tejdukshme të uljes së temperaturave, konsumi i energjisë eletrike në Kosovë është diku rreth 750 megavatë në orë, ose pak a shumë ky konsum del të jetë sikundër në ditët e ngrohta të verës. Sivjet, edhe pse pati edhe ditë të ftohta në fillim të tetorit, konsumi i energjisë elektrike nuk ka pësuar ndryshime për t’u shënuar. 750 megavatë-orë shpenzim i rrymës, ka dominuar në vendin tonë në shumicën e ditëve të këtij viti.

Sado që nuk ka të dhëna të sakta nga ndonjë hulumtim enkas për të parë “dëgjueshmërinë” e konsumatorëve kosovarë ndaj thirrjeve të zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike, ka ca sinjale që tregojnë se kosovarët, më në fund kanë zënë ta reduktojnë paksa shpenzimin e rrymës. Sinjali i parë që flet për vetëdijesimin e kosovarëve për të kursyer sadopak rrymën dhe të jenë më racional në shpenzimin e këtij produkti tashmë super të shtrenjtë, është niveli i konsumit të energjisë elektrike në shkallë vendi.

Konsumi i përgjithshëm i rrymës në Kosovë, sipas zyrtarëve të KEDS-it, aktualisht, pra në ditët e para të vjeshtës dhe me tendenca të tejdukshme të uljes së temperaturave, është diku rreth 750 megavatë- orë, ose pak a shumë ky konsum del të jetë sikundër në ditët e ngrohta të verës.

Rëndom, në konsumin e energjisë elektrike të Kosovës, ku dominojnë në përqindje të madhe konsumatorët e kategorisë së amvisërisë (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm), gjatë ditëve të vjeshtës, edhe në fillimvjeshtë pra, kur siç dihet, nisin të ulen temperaturat, në vendin tonë është rritur goxha ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike. Për shkak të çmimeve të favorshme të rrymës, por edhe mungesës së përvojës dhe traditës për të kursyer në veçanti rrymën, që me ardhjen e ditëve të para më të ftohta në vendin tonë ka pasur ngritje evidente të konsumit të energjisë elektrike. Ndërsa, sivjet, edhe pse pati edhe ditë të ftohta në fillim të tetorit, konsumi i energjisë elektrike, sipas të dhënave të KEDS-it, nuk ka pësuar ndryshime për t’u shënuar. 750 megavatë-orë konsum i rrymës ka dominuar në shumicën e ditëve të këtij viti.

Çka ka ndikuar në këtë “ngurrim” të konsumit të energjisë elektrike?

Sipas ekspertëve të KEK-ut dhe zyrtarëve të KEDS-it, në “stagnacionin” e deritashëm të konsumit ka ndikim, gjithsesi, moti i mirë, mbajtja ende e ditëve me temperaturë të ngrohtë dhe me diell për këtë stinë. Por, ekspertët mendojnë se edhe hezitimet e qytetarëve për të lëshuar pajisjet e ngrohjes nevojë e pa nevojë, si rrjedhojë e vetëdijesimit të tyre për të kursyer, gjithsesi që e kanë një ndikim, sado i vogël të jetë ai, në mosrritjen e konsumit të rrymës këtyre ditëve.

Me fjalë të tjera, po del që kosovarët i kanë pranuar thirrjet e pareshtura, të përditshme të zyrtarëve dhe autoriteteteve të shtetit për kursim të rrymës, dhe masat e proklamuara zyrtare për ta racionalizuar shpenzimin e energjisë elektrike në këto rrethana të krizës energjetike në botë dhe të mungesës së rrymës së prodhuar nga kapacitetet e vendit. Pra, të dhënat për konsum të rrrymës pa ndonjë rritje të shënueshme krahasuar me ditët verore, në njëfarë mënyre po flasin se kosovarët po vetëdijesohen rreth domosdosë për të kursyer rrymën dhe po mësojnë nga konsumatorët e shteteve të shumta të botës me tradita kursimi dhe në të cilat kursimi i rrymës është bërë kaherë zakon dhe i domosdoshëm.

Bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, ka pranuar “regjimin” e kursimeve, të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundësisht edhe rrymën. Duhet ta pranojmë edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmerohet nga autoritetet institucionale dhe nga prodhuesit dhe shpërndarësit e rrymës në vend, do të jetë “një dimër i vështirë”, në mungesë të bollshme të energjisë elektrike. Fundja, nuk kemi zgjidhje tjetër.

Kosova në ditët e dimrit, kur pritet të rritet ndjeshëm konsumi i rrymës (vjet në ditët e acarta dhe në pik(, konsumi disa herë ka arritur në 1,250-1,300 megavatë-orë. Llogaritë e thjeshta, tregojnë se kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës në Kosovë të stërvjetëruara (Kosova B me dy njësi prodhimi dhe Kosova A me A3 dhe A 4) me diku rreth 780 megavatëorë bashkarisht dhe kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme të Kosovës (hidrocentralet dhe prodhimi nga era) me diku rreth 150-170 megavatë-orë, që për shkak të mungesës së ujërave dhe të erës së bollshme , vështirë të arrihet gjithnjë, nuk prodhojnë sasinë nevojshme të rrymës që në dimër jo në pak raste shkon, siç u tha më lartë, edhe në nivelin e frikshëm prej 1.300 megavatësh.

Këto llogari, po kështu bëjnë me dije troç se në rrethanat e ngritjes së konsumit në 1.250-1.300 megavatë-orë, Kosovës do t’i mungonin 300-350 megavatë, edhe po të punonin termocentralet e amortizuara përtej çdo limiti, në kushte ideale dhe pa ndërprerje. Por, kosovarët, i kanë fare të njohura restriksionet energjetike, madje edhe në ditët verore, si pasojë e rënies së njësive prodhuese nga procesi i prodhimit për pasojë të ndodhjes jo shumë të rralla të defekteve teknike në to. Kjo gjendje elektroenergjetike, pak a shumë, pritet të jetë gjatë dhjetorit, janarit dhe shkurtit. Kosova, pra, nuk do të ketë mjaftueshëm rrymë. Dhe për ta zbutur sadopak këtë mungesë dhe për të ndikuar paksa në ruajtjen e parasë edhe ashtu të mangët të shtetit tonë, duhet ta kursejmë rrymën, ditën dhe natën dhe kudo ku është e mundshme, edhe tani, e sidomos gjatë muajve të dimrit.

Racionalizimi i konsumimit të energjisë elektrike, në radhë të parë, do të bëhej efektshëm, po qe se kosovarët do të ngroheshin sa më pak me rrymë. Ky fakt dihet dhe është i verifikuar tashmë nga ekspertët.

“Apeli ynë i vazhdueshëm është që qytetarët mos të ngrohen me energji elektrike, sepse po vendosin që të ngrohen në mënyrë të pasigurt, pasi që jo vetëm Kosova por e gjitha Evropa është duke hyrë në situata të turbullta energjetike, të pa parashikueshme dhe nuk e dimë sa dhe si do të këtë energji elektrike”, ka thënë vazhdimisht këtyre ditëve zëdhënësi për media i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar disa herë gjatë këtyre javëve se “Kosovën e pret një dimër i vështirë”, për shkak të krizës energjetike.

Ajo, duke arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji, ka theksuar madje se “duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos përdoret energjia elektrike për ngrohje”.

“Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime në bazë të masave emergjenteve, ku përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave me energji elektrike që janë marrë në vendimin e parë, vendimet tjera kanë të bëjnë me masat në vijim: janë vendosur masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike, është ndaluar eksporti dhe ri-eksporti i produkteve të drurit dhe lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, si dhe të gjitha këto janë bërë me rekomandim të komitetit teknik emergjent që është mbledhur rregullisht. Është marrë edhe një vendim që për qëllim të mbulimit të konsumit dhe zvogëlimit të energjisë elektrike është rekomanduar që KEK energjinë që e merr nga KESH i Shqipërisë t’ua ofrojë furnizuesit të shërbimit universal dhe KOSTT-it sipas kushteve të marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike në përputhje me rregullat e tregut në fuqi”, ishte shprehur Rizvanolli.

Në vazhdën e nxitjes dhe stimulimit të kursimit të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të subvencionojë edhe pajisjet efiçiente, përfshirë edhe stufat me dru. Në këtë kontekst, Ministria e Ekonomisë ka prezantuar një plan për mbështetjen financiare për blerjen e pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak energji elektrike.

“Janë disa lloje të pajisjeve që Qeveria do t’i subvencionojë përfshirë këtu: kaldajat me biomasë, pompat termike, kondicionerët efiçientë dhe stufat individuale efiçente me biomasë. Aplikimi në “thirrjen për mbështetje të qytetarëve në efiçiencë të energjisë” bëhet përmes platformës “ekosova”, në seksionin “Grante dhe Subvencione”, ka thënë ajo.

Në total, Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për këtë thirrje. Me këto mjete synohet që të mbështeten 100.000 familje në blerjen e pajisjeve që ulin për gati 70 për qind konsumin e energjisë elektrike për ngrohje.

Për të treguar seriozitetin e preokupimit të autoriteteve rreth këtyre masave, siç u njoftua këtyre ditëve, institucionet relevante për monitorim të tregut, përfshirë këtu Inspektoratin e tregut, janë duke monitoruar në terren keqpërdorimet eventuale të çmimeve të pajisjeve efiçiente të energjisë, të cilat janë duke u subvencionuar nga Ministria e Ekonomisë.

Që në hartim të masave të subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ministria e Ekonomisë është duke punuar ngushtë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila ka në mbikëqyrje Inspektoratin e tregut. ME ka kërkuar gjithashtu angazhimin e Autoritetit të Konkurrencës, që ka kompetencë për të hetuar dhe për të parandaluar kartelet dhe keqpërdorimin e pozitës dominuese. Kjo ka për qëllim sigurimin e zbatimit të efektshëm të masave të subvencionimit, duke parandaluar ngritjen e çmimeve të pajisjeve, për të mbrojtur qytetarët si përfitues të subvencionit si dhe buxhetin e shtetit.

Madje, Ministria e Ekonomisë fton qytetarët që në rastet kur vërejnë manipulime me çmimet, ose parregullsi të tjera, që të raportojnë rastet te Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (përmes faqeshttps://konsumatori.rks-gov.net/?fbclid=IwAR0xawAPUc6cwp6g9nbs4N4WHYHMxnswabdrTi74fWBL9WSFB_ESy9-LlLU ose numrit të telefonit pa pagesë: 0800 11 000).

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar edhe masa të tjera që stimulojnë dhe nxisin kursimin e rrymës, ndër to edhe subvencionimin shtesë për të gjithë ata konsumatorë që kursejnë energjinë elektrike. Sido që të jetë, edhe pse kursimi i rrymës, që i bie restriksioni apo reduktimi i shpenzimeve të energjisë elektrike, nuk është aspak i preferuar nga qytetarët e të gjitha kategorive sociale, në mungesë të energjisë dhe parave për ta blerë atë me çmime të frikshme të shtrenjta, kosovarët duhet të kursejnë domosdo në dimrin e pritshëm.

Me shpenzim racional të rrymës dhe me shmangien e rrymës për ngrohje, mund të zbutet goxha shumë mungesa e rrymës nga kapacitetet vendore. Në këtë kontekst, kosovarët duhet të tregojnë përfundimisht seriozitetin e vendosmërinë e tyre për ta racionalizuar shpenzimin e rrymës.

Pra, “Po”-në e proklamuar për kursimin e enegjisë elektrike, ta qojnë deri në fund. Sepse, parashikimet për ditë të ngrysura elektroenergjetike edhe në këtë dimër për kosovarët janë goxha reale dhe mbështeten në shifrat prodhim-konsum të rrymës. Kosova pati edhe vjet në muajt e dimrit krizë të theksueshme elektroenergjetike, në mungesë të ndjeshme të rrymës. Prandaj, s’ka si të mos e ripërjetojë edhe në dimrin e pritshëm krizën e territ, aq më parë kur dihet që kapacitetet nuk përmbushin nevojat e konsumit të vendit në rritje gjatë stinës së dimrit dhe kur kihen parasysh çmimet enorme të rrymës në tregjet e botës.

Ndërsa, zyrtarët kompetentë nuk duhet rreshtur asnjë çast të vetëm së preokupuari për të ndërtuar me urgjenca dhe me çfarëdo çmimi një kapacitet elektroenergjetik të ri 400-500 megavatësh në bazë të qymyrit, ose disa kapacitete njëherësh të energjisë së rinovueshme, qoftë me erë, qoftë sosh solare, për ta stabilizuar njëherë e mirë gjendjen elektroenergjetike në vend. Është fare e pakuptueshme dhe absurde që Kosova, që “fle” mbi 13-14 miliarda tonelata thëngjill, të ketë potenciale të verifikuara dhe të identifikuara të energjisë së ripërtëritshme, dhe të mos ketë energji elektrike të mjaftueshme për një milionë e 7-8 qind mijë qytetarët e vetë. Kursimi i rrymës duhet të jetë zgjidhje e përkohshme, e sivjetshme. Ky vend ka nevojë për kapacitete të reja prodhuese elektroenergjetike. /Buletini Ekonomik