Komisioni hetimor i LVV-së do të hetojë edhe punën e Mimoza Kusari-Lilës

Pozita dhe opozita janë pajtuar për themelimin e dy komisioneve hetimore parlamentare për energjinë. Ndryshe nga komisioni i propozuar prej opozitës, i cili do të hetojë krizën e fundit energjetike, ai i propozuar nga LVV-ja do t’i hetojë shkaktaret e krizës energjike në Kosovë prej vitit 2006.

Komisioni hetimor parlamentar i partisë në pushtet do të merret me hetimin procesit të vendimmarrjes së energjisë gjatë periudhës 2006-2022 në nivelin e legjislativit, ekzekutivit, rregullatorit dhe ndërmarrjes publike.

Në këtë mënyrë, ky komision do të hetojë edhe punën e ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, kur ka qenë anëtare e Komitetit Qeveritar për Privatizim.

Në qeverinë “Thaçi 2”, gjatë periudhës 2010-2014, Mimoza Kusar-Lila ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe anëtare e Komitetit Qeveritar për Privatizim, i cili është marrë me procesin e privatizimit.

Anëtari i këtij komisioni hetimor nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë për gazetën Nacionale se ky komision do të hetojë edhe punën e Mimoza Kusari-Lilës gjatë asaj kohe.

“Po, ne si komision hetimor do të hetojmë procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë 2006 -2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrjet publike. Ne do të hetojmë të gjitha proceset gjatë kësaj periode kohore, duke përfshirë rolin e secilit person, pra edhe te zonjës Kusari-Lila”, ka thënë deputeti Qalaj.

Komisioni do të hetojë shkaktarët e krizës energjetike

Ushtruesja e detyrës së shefes se GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky komision do të hetojë të gjithë shkaktaret e krizës energjetike në Kosovë.

Para votimit të komisionit në Kuvend, ajo ka treguar synimet e këtij komisioni.

“Analiza e rrethanave në sektorin e energjisë nuk mund të bëhet në periudha afatshkurtra, por duhet shkuar prapa në kohë dhe analizuar procesin e vendimmarrjes, gjegjësisht çfarë dhe si erdhëm që mungesa e investimeve dhe procesi i vendimmarrjes deri tash e ka bërë Kosovën të përballet me një krizë energjetike nga jashtë, por me kufizime të mëdha nga brenda. Andaj, kërkesa jonë, përveç disa pikave dhe synimeve kryesore që ka synuar t’i zbardhë dhe t’i trajtojë me seriozitet në komisionin hetimor parlamentar, gjithashtu ka të përfshira edhe pikat të cilat i kishte propozuar opozita. Kjo rrjedhimisht e bën që afati kohor i këtij komisioni të jetë prej vitit 2006, kur kanë filluar hetimet e përmbajtjes për sektorin e energjisë në Kosovë, siç është shthurja e KEK-ut, ndarja e KOST-it dhe përfshirja e Kosovës në Sekretariati e Energjisë. Shto këtu pastaj që janë disa vendime tjera deri në prill të vitit 2022”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputetja e LV-së ka uruar që të dy komisionet të mos kenë përzierje të agjendave gjatë punës së tyre hetuese.

“Uroj që të mos ballafaqohemi me situatën që të ketë, qoftë ndeshje të agjendave dhe probleme tjera që mund të shkaktohen në raport me trajtimin e temës. Sidoqoftë, jemi të përkushtuar që deri në fund me angazhim, transparencë dhe përkushtim të plotë të prezantojmë një raport para kësaj legjislature dhe analiza e jonë të tregoi mirëfilli kush dhe pse janë shkaktarët e vërtetë të krizës aktuale në Kosovës”, është shprehur ajo.

Për rolin që ka pasur Kusari Lila në Komitetin Qeveritar për Privatizim tashmë organet e drejtësisë janë duke e zhvilluar proces gjyqësor.

Vitin e kaluar, gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministrave të Qeverisë “Thaçi 2” për rastin e hidrocentraleve.

Për këtë rast, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe 15 persona tjerë po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP), si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen te Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.