Shaip Kamberi

Kamberi paralajmëron se ky është mandati i fundit si deputet: Erdhi koha të lëshoj rrugë

Për të tretën herë, Shaip Kamberi do të jetë zëri i vetëm i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë. Ky besim aq i madh i shqiptarëve në zgjedhjet e fundit, që u mbajtën më 17 dhjetor të vitit që sapo e lamë pas, Kamberit i ka dhënë më shumë përgjegjësi.

Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Kamberi tregon se përse edhe këtë herë shqiptarët nuk kandiduan në një listë të vetme në zgjedhjet nacionale në Serbi.

Kamberi po ashtu në këtë intervistë ka bërë të ditur se janë mbi 18 mijë vota që ka marrë në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe kjo e bën atë edhe më shumë përgjegjës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës për, siç tha ai, të vazhduar betejën kundër Serbisë për kërkimin e të drejtave të shqiptarëve.

Po ashtu, Kamberi në këtë intervistë ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria në mënyrë permanente ta hartojnë një strategji për ndihmë për Luginën e Preshevës, e cila do të ishte shumë më e favorshme për shqiptarët dhe jo të ketë vetëm plane “ad-hock” nga secila qeveri që vjen në udhëheqje.

Edhe pse në dy mandatet e kaluara ka qenë mjaft i zëshëm për të drejtat e shqiptarëve, Kamberi thotë se çështja kryesore që i preokupon më shumë shqiptarët është pasivizimi i adresave, për çka tashmë janë njoftuar edhe Amerika dhe OSBE-ja.

Në këtë intervistë për “Zërin” Kamberi ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë edhe për një mandat tjetër dhe se, siç u shpreh ai, ka ardhur koha të lëshojë rrugë.

Më poshtë jua sjellim intervistën e plotë:

Zotëri Kamberi, fillimisht urime që e keni fituar edhe një mandat të deputetit, ky është mandati i tretë për ju si deputet i Kuvendit të Serbisë. Sa vota në total keni fituar, a janë numëruar të gjitha apo do të ketë rinumërim në ndonjë qendër?

Shaip Kamberi: Kemi informacion se do të përsëriten në 30 vendvotime në Serbi. Por janë irelevante për neve. Në asnjë vendvotim në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë nuk ka përsëritje, që do të thotë se votat tona janë të garantuara. Ajo që deri më tani i kemi si vota që janë vërtetuar në Preshevë, Bujanoc dhe nëpër qendrat e tjera në Serbi, koalicioni ynë ka 13 mijë e 505 vota dhe kur i shtohet plus 35 për qind listës së pakicave, siç e parasheh ligji zgjedhor, votat tona do të jenë mbi 18 mijë e që janë të mjaftueshme për një mandat. Në raport me listën tjetër, e cila i ka marrë 940 vota në Preshevë, 367 vota në Bujanoc dhe 1800 vota nëpër Serbi. Pra thjesht, edhe po të bëhen bashkë rezultatet e dy listave, do të ishin të pamjaftueshme për mandatin e dytë, sepse për dy deputetë me këtë dalje të madhe rreth 59 për qind në nivel të Serbisë do të duheshin minimumi 20 mijë vota.

Prapë edhe në këto zgjedhje u pa përçarje e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, pasi shqiptarët kanë kandiduar me dy lista. Pse po ndodh kjo? Pse nuk po bashkohen shqiptarët në Luginë? A është problemi që, kushtimisht po them, nuk po munden Tirana dhe Prishtina t’i bindin shqiptarët, në këtë rast partitë politike në Luginë që të bëhen bashkë, apo është ndonjë faktor tjetër që po ndikon?

Shaip Kamberi: Ka shumë faktorë që po ndikojnë. Nuk është vetëm një faktor këtu, sepse të them të drejtën, Tirana dhe Prishtina kanë pasur një angazhim të tentijnë ta bëjnë një listë dhe nuk është arritur, sepse në Prishtinë një pjesë e partive e kanë bojkotuar, nuk kanë ardhur në takim, në Tiranë ishte një takim dhe nëse marrim përvojën e vitit 2020, kur Gent Cakaj ishte ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, ai aktivitet nuk ka qenë vetëm për një ditë, por ka pasur disa takime në Prishtinë, kemi pasur disa takime në Tiranë, ka ardhur ministri Cakaj në Preshevë, tri ditë ka qëndruar këtu, kemi biseduar e jemi harmonizuar. Tash me dy takime përnjëherë në këtë koncept politik, në këtë ndarje, ndasi politike që është krijuar, vështirë të ketë bashkim për faktin se shumica e partive politike kanë interesin vetëm për zgjedhje lokale. Koalicionet lokale janë ato që po e diktojnë edhe pjesëmarrjen në listën parlamentare. Prandaj edhe këta ishin faktorët kryesorë pse ndikuan dhe natyrisht koncepti politik që për mua personalisht ishte koncepti kryesor, sepse nuk mund të jenë pjesë e një liste e cila kërkon një konformizëm me Serbinë. Unë jam ithtar i ideologjisë politike e cila duhet vazhduar për vazhdimin e rezistencës politike ndaj Serbisë, jo për dorëzim. Sepse është shumë e qartë, Serbia nuk ka kushtetutë, nuk ka legjislacion afirmues për pakicat. Gjithçka që është realizuar deri tani është realizuar falë një presioni që bashkësia ndërkombëtare në radhë të parë ia ka bërë asaj (Serbisë), në raport me shqiptarët. Dhe nëse ne tash ndalemi në kuadër të një kornize ligjore e cila nuk garanton asgjë dhe mund të kthehet në një situatë edhe më të vështirë sesa kjo, thjesht çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës do ta kishin mbyllur. Koncepti ynë është për integrim në këtë shtet, por integrimi të fillojë prej poshtë. Nëse ne nuk kemi gjykatës shqiptarë në Bujanoc e Preshevë, nëse nuk kemi gjykatë në Preshevë, nëse nuk kemi asnjë prokuror në Bujanoc e Preshevë, nëse nuk kemi mjaftueshëm policë, nëse nuk kemi mjaftueshëm në doganë e institucione të tjera, nuk ka kuptim të kemi një sekretar shtetëror, sepse ky është vetëm një mashtrim të cilin Vuçiqi e ka përgatitur dhe kush e pranon, e pranon. Kjo ka qenë që na ka orientuar dhe kryekëput mua më ka orientuar që nuk mund të jem pjesë e një koncepti politik i cili na çon dhe na dorëzon te Beogradi.

E përmendët që nuk kanë qenë, nuk kanë marrë pjesë në takim. I bie që të gjitha partitë politike të Luginës kanë pasur ftesë nga kryeministri Kurti të takohen para zgjedhjeve?

Shaip Kamberi: Po, pesë parti të Luginës së Preshevës kemi qenë dhe pesë parti jemi në koalicion. Dy parti të tjera nuk kanë ardhur në takim dhe nuk janë pjesë e këtij koalicioni.

Zotëri Kamberi, keni qenë mjaft i zëshëm, sidomos në këtë legjislaturën e fundit për çështjen e shqiptarëve, sidomos për çështjen e pasivizimit të adresave në Parlamentin e Serbisë. Sa keni arritur të keni bashkëpunim edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por edhe të OSBE-së që ta bëni edhe më të madhe, nëse mund të them, këtë çështje, sepse ky veçse është spastrim etnik, jo siç ka ndodhur në të kaluarën, mirëpo është në mënyrë administrative.

Shaip Kamberi: Unë kam takime të rregullta me shefin e Misionit të OSBE-së, ambasadorin Jan Braathu. Kam pasur tri-katër takime me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam pasur takim edhe me një delegacion të Senatit amerikan që ishte në Ambasadën amerikane, bashkë me përfaqësuesit e tjerë dhe kam pasur disa vizita bashkë me një delegacion tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një delegacion në të cilin unë kam pasur mundësi që të shkoj, ka qenë edhe në Bruksel. Dhe të gjitha këto tema të cilat i preokupojnë shqiptarët këtu (Serbi) janë tema që janë potencuar edhe në këto takime. Çështja është se akoma nuk kemi ndonjë lëvizje konkrete të bashkësisë ndërkombëtare. Ata (ndërkombëtarët) janë të vetëdijshëm për situatën këtu, ata e dinë, janë të njoftuar detajisht për diskriminimin që Serbia po e bën, për pasivizimin si metodë administrative e spastrimit etnik, por akoma nuk kemi ndonjë koncept të qartë se çka më tutje, sepse, disi, politika përkëdhelëse e Perëndimit ndaj Vuçiqit, duke tentuar ta bindë atë që së pari të ndryshojë qasjen, kahjen prej Rusisë nga Perëndimi përfundimisht dhe të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, ndoshta është ajo që Perëndimit nuk i ka krijuar akoma hapësirë që të bëjë një presion tjetër për Luginën e Preshevës. Pra, janë disa tema që për momentin janë për ta (ndërkombëtarët), prandaj edhe Lugina e Preshevës ka mbetur në këtë gjendje. Megjithatë unë jam plotësisht i bindur se të drejtat e pakicave, stabiliteti, sundimi i ligjit, janë tema të cilat duhet trajtuar në vazhdimësi. Lufta jonë politike nuk guxon të ndalet dhe nuk guxon të kemi zhgënjim, sepse ky është qëllimi i Serbisë. Që të tentojë t’i lodhë shqiptarët me zgjedhje, që të tentojë t’i lodhë me mosrealizim të marrëveshjeve dhe ata (shqiptarët) një ditë të dorëzohen. Fatmirësisht, pavarësisht vështirësive që patëm, ky proces zgjedhor tregoi se shqiptarët në Luginë të Preshevës u orientuan për rezistencë politike, jo për konformizëm. Dhe kjo më jep kurajë dhe vullnet të vazhdoj me planin e njëjtë dhe me intensitet edhe më të shtuar që këto tema t’i trajtoj edhe në Parlament, edhe në takim me ndërkombëtarët, por sidomos në raport edhe në Kosovë edhe me Shqipërinë.

E dimë që një tjetër çështje e cila më së shumti i prek shqiptarët, e përmendët edhe ju, është çështja e punësimit. Në konkurset e fundit që kanë qenë këtë vit si në shtëpi të shëndetit, ashtu edhe nëpër gjykata kanë qenë që janë pranuar persona prej vendeve të tjera të Serbisë dhe nuk u është dhënë përparësi shqiptarëve që janë shumicë në Bujanoc e Preshevë?

Shaip Kamberi: Në tërësi, problem është çështja e integrimit të shqiptarëve. Ajo që ne kërkojmë është integrimi ynë i barabartë në organet e shtetit, e kjo nënkupton, sipas ligjit, që në Bujanoc dhe Preshevë struktura e të punësuarve në institucionet e shtetit dhe polici duhet t’i përshtatet strukturës etnike të popullsisë në këto komuna. Që do të thotë, në Bujanoc 62 për qind e kësaj strukture duhet të jenë shqiptarë, 97 për qind e kësaj strukture në Preshevë duhet të jenë shqiptarë. Serbia nuk po e realizon atë. Ka tre vjet që përsëritet në vazhdimësi një konkurs për zëvendësprokuror, nuk marrin asnjë dhe e përsërisin në vazhdimësi konkursin, vetëm pse duhet të marrin shqiptar. Më drastik është rasti i fundit me Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, sepse drejtorit serb në këtë komunë refuzon të punësojë shqiptarë të cilët kanë punuar vullnetarisht ose kanë qenë të angazhuar me pagë në kohë të caktuar, në kohën e pandemisë COVID-19. Ndërkohë që ekziston një konkluzion i qeverisë i cili i kërkon çdo shtëpie të shëndetit të punësojë të gjithë ata me vendim me kohë të pacaktuar, të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë qenë të angazhuar në kohën e pandemisë COVID-19. Shtëpia e Shëndetit në Preshevë është i vetmi institucion shëndetësor që nuk e realizon këtë konkluzion. Dhe nuk ka reagime. Unë i kam shkruar kryeministres, tashmë në detyrë, Bërnabiq, nuk kam akoma përgjigje, që do të thotë se kjo po vazhdon, një diskriminim drastik i këtillë, thjesht një lloj racizmi po vazhdon në rrethana që ka për qëllim ta rëndojë pozitën e shqiptarëve këtu. Pra, beteja jonë vazhdon edhe për këto.

Zotëri Kamberi, keni qenë mjaft i zëshëm edhe për kërkimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë. Të drejta që ndoshta pakicat i kanë të garantuara edhe me kushtetutë të Serbisë, mirëpo kur bëhet fjalë për shqiptarët, Serbia nuk po i zbaton ato.

Shaip Kamberi: Këtu është problemi, sepse Serbia në raport me pakicat në Ballkan ka dy standarde, për pakicën e vet në Kosovë nuk i mjafton Ahtisaari, nuk i mjafton ajo që Kushtetuta e Kosovës si dokumenti më i avancuar juridik në shtetet e Ballkanit e ndoshta edhe në Evropë, garanton për komunitetet, kërkon të drejta shtesë. Ndërkohë që neve (shqiptarëve në Serbi) na mohon edhe ato të drejta që i parasheh kushtetuta e vet. Dhe natyrisht, ju e keni shumë të qartë, nuk mund të ketë stabilitet, normalizim të raporteve mes dy shteteve, në rast të një marrëveshjeje nëse Serbia vazhdon trajtimin e njëjtë ndaj nesh. Sepse ajo (Serbia) të kërkojë maksimumin për serbët atje (Kosovë), e ndërkohë që nuk është në gjendje që këtu ta plotësojë as minimumin. Këto janë standarde të paqëndrueshme. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’i tolerojë këto sepse kjo është futje në një krizë të re. Lugina e Preshevës do të mbetet një burim që në të ardhmen gjeneron kriza të reja. Prandaj, nëse dëshirohet që përfundimisht Ballkani të stabilizohet, Lugina e Preshevës duhet të trajtohet ngjashëm me trajtimin që do të marrin serbët në Kosovë.

Në dialog Serbia po këmbëngul ta formojë Asociacionin, në anën tjetër sa ka arritur Kosova ta jetësojë në këtë proces çështjen e spastrimit etnik që është duke e bërë Serbia ndaj shqiptarëve, pasivizimin e adresave? Keni qenë dhe vazhdimisht e keni theksuar se duhet të jetë edhe dikush prej përfaqësuesve të Luginës pjesë e delegacionit të Kosovës në dialog.

Shaip Kamberi: Mendoj se mjafton që tema e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e dialogut. Sepse standardet të cilat do t’i përfshijë marrëveshja e ardhshme duhet të jenë të aplikueshme edhe këtu. Nuk mund të kemi një marrëveshje për trajtimin e pakicave që të ketë vetëm një karakter lokal. Sepse ato janë standarde që i rregullojnë – normalizojnë raportet mes shteteve. Në kuadër të këtij normalizimi, sidomos është çështja e pakicave. Ashtu siç trajtohet pakica serbe atje (Kosovë), Kosova ka të drejtë të kërkojë të trajtohet pakica shqiptare këtu (Serbi). Pakicat janë, duhet të jenë urat ndërlidhëse mes dy shteteve. Dhe standardet e tjera për ne janë të papranueshme. Kosova ka filluar me një projekt serioz të institucionalizimit, të një ndihme financiare për Luginën e Preshevës, ka çelur tema të rëndësishme sa i përket Luginës së Preshevës, ka financuar vizitat tonë lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë unë mendoj se edhe Kosova, edhe Shqipëria duhet të hartojnë një program shtetëror të ndihmës permanente për Luginën e Preshevës, jo kjo të bëhet vit për vit, por një program në kuadër të të cilit do të parashihen nevojat e domosdoshme të njerëzve që jetojnë këtu dhe të trajtohen ato nevoja që ajo të jetë pjesë e një agjende e rrugëtimit të shtetit të Kosovës, të mos varet nga kjo ose një qeveri tjetër e cila vjen dhe të mos jetë kjo ndihmë “ad-hock”, por të jetë një ndihmë permanente.

E përmendët ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë, madje Shqipëria e ka edhe me Kushtetutë që duhet t’u ndihmojë shqiptarëve kudo që janë. A duhet ndoshta më shumë Shqipëria të jetë ajo që të bëjë më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi e dimë se është e anëtarësuar në organizata që nuk është Kosova. A keni kërkuar më shumë ndihmë prej Shqipërisë për këtë çështje, për shqiptarët e Luginës? Ndoshta Shqipëria më lehtë mund t’i tregojë botës se në çfarë pozite janë shqiptarët në Serbi?

Shaip Kamberi: Vitin e kaluar kemi pasur dy raste që ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit ka trajtuar sidomos temën e pasivizimit. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, është anëtare e OSBE-së dhe këto janë mekanizmat ku ajo (Shqipëria) do të duhej t’i shfrytëzojë për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Megjithatë, të mos e lëmë anash, gjithmonë mendoj se dialogu Kosovë – Serbi është krucial. Sepse këto mekanizma permanentë që ekzistojnë, qoftë Këshilli i Evropës, qoftë OSBE-ja, megjithatë kanë ekzistuar edhe deri tani, nuk na kanë dhënë garanci të mjaftueshme, mundësi që ne të trajtohemi në mënyrë të barabartë. Dialogu si një diçka specifike që po ndodh, diçka që do të rregullojë raportet e ardhshme mes dy shteteve që drejtpërdrejt ndikon jo vetëm në normalizim të raporteve Kosovë – Serbi, por normalizim të gjendjes së tërësishme në Ballkanin Perëndimor, duhet të japë rezultate më konkrete. Prandaj në këtë fazë ne jemi të orientuar nga Kosova që të shfrytëzohet mundësia që jep dialogu, që dialogu të prodhojë efekte pozitive edhe për Luginën e Preshevës.

Zotëri Kamberi, si do të jetë angazhimi juaj tash në këtë legjislaturë? Për herë të tretë deputet në Kuvendin e Serbisë. A do të jeni akoma më i zëshëm, duke marrë parasysh që ndoshta në bazë të votave, kësaj here keni marrë vota edhe më shumë, pra mbështetje më të madhe prej shqiptarëve? A ka ndikuar në vota angazhimi juaj që keni qenë mjaft i zëshëm në mandatin e kaluar?

Shaip Kamberi: Po, besoj që po. Megjithatë, njerëzit në fund vlerësojnë punën që e bën. Unë e marr këtë si një vlerësim që qytetari shqiptar i Luginës së Preshevës ka pasur për punën time. Kjo në anën tjetër është një përgjegjësi edhe më e madhe. Sepse mirë e thatë, kur kemi qenë edhe tre deputetë, unë nuk i kam pasur 10 mijë vota, kam pasur më pak vota. Vitin e kaluar kur isha zgjedhur vetë, kisha 9700 vota dhe tash siç e thashë, me 35-përqindëshin janë 18 mijë vota, që janë një obligim për mua, sepse njerëzit kanë dalë, kanë votuar me besimin që e kanë pasur në përfaqësimin që unë e kam pasur. Pra kjo më jep një obligim edhe më të madh shtesë që të jem maksimalisht me të gjitha kapacitetet e mia i angazhuar qoftë në parlament me iniciativa ligjore, qoftë me fjalime, qoftë në raport me ndërkombëtarët dhe sidomos në ndërtimin dhe thellimin e raporteve me Prishtinën dhe me Tiranën.

E dimë që në Kuvendin e Serbisë ka edhe pakica të tjera. Kur bëhet fjalë për çështjen e pakicave, pa marrë parasysh se kush janë, sa jeni të bashkuar dhe sa e mbështetni njëri-tjetrin për kauza të caktuara të pakicave?

Shaip Kamberi: Pakica hungareze e që është më e madhja në Serbi, është pjesë e qeverisë, që do të thotë se ata momentalisht janë lojtarë të Vuçiqit. Një pjesë e boshnjakëve të Sanxhakut, të Zukorliqit dhe Rasilaiqit po ashtu pjesë e qeverisë dhe po ashtu llogaritet se janë lojtarë të Aleksandar Vuçiqit. Ajo që mbetet vazhdim i një bashkëpunimit strategjik me SDA-në e Sanxhakut, ata do t’i kenë dy deputetë, dy mandate. Do të vazhdoj të bashkëpunoj me ata sepse kemi kauza të përbashkëta, gati identike. Edhe ata e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe ata dëshirojnë raporte më të mira me Kosovën, edhe ata janë të shtypur në të drejta, nuk janë të integruar mjaftueshëm. Kështu që, ne në mënyrë strategjike jemi të lidhur njëri pas tjetrit dhe bashkëpunimi ynë me ta do të vazhdojë. Do të shohim cilat janë mundësitë e tjera kur të shohim listën përfundimtare të përbërjes të parlamentit. Do të kemi mundësi ndoshta edhe nga partitë e tjera opozitare proevropiane të kemi një bashkëpunim, por megjithatë deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë sinjal, nuk kanë treguar së paku deri më tani ndonjë gatishmëri që të kenë ndonjë bashkëpunim më të afërt me ne. Kështu që, tash për tash, ajo që është e sigurt, bashkëpunimi ynë vazhdon me SDA-në e Sanxhakut.

E përmendëm në vazhdimësi çështjen e pasivizimit të adresave, mirëpo zotëri Kamberi, çka ndodh me ato prona të shqiptarëve?

Shaip Kamberi: Janë dy çështje tejet të rëndësishme që duhet t’i dijë secili qytetar që i është pasivizuar adresa. Serbia nuk mundet t’ua marrë shtetësinë, e ka të pamundur t’ua marrë shtetësinë nëse dikur vullnetarisht nuk e lëshon. Dhe Serbia e ka të pamundur t’ua marrë pronat. Çdo qytetar të cilit i është pasivizuar adresa, ka pronë, ka shtëpi, ka mundësi të lajmërojë adresën e re. Tash janë procedurat që në mënyrë selektive po zbatohen vetëm ndaj shqiptarëve, sepse duhet të qëndrosh në shtëpi kur të vijë verifikimi i policisë dy-tri ose pesë herë diku dhe njerëzit në bazë të asaj kanë të drejtë të krijojnë adresë të re. Pasuria e tyre nuk guxon të preket, shtetësia e tyre nuk guxon të preket. Por mendoj se të gjitha rastet e pasivizimit nuk duhet përfunduar vetëm në procedurë administrative, duhet çuar në procedurë gjyqësore secili qytetar individualisht apo qoftë edhe me grupe nëse mblidhen. Sepse ky aplikim selektiv i ligjit në dëm të shqiptarëve nuk duhet toleruar. Kjo tashmë veçse është alarmuar, Parlamenti Evropian ka një rezolutë ku përmendet kjo çështje, Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu e përmend çështjen e pasivizimit të adresave si metodë administrive e spastrimit etnik. Pra është momenti që njerëzit edhe individualisht të nisin procedura gjyqësore për ta detyruar Serbinë të ndryshojë qasje.

A ndodh kjo që ndoshta hezitojnë të shkojnë tutje përveç kësaj, për shkak të mosbesimit që kanë në institucionet e Serbisë?

Shaip Kamberi: Thjesht drejtësia në Serbi është e politizuar. Nuk ka garanci se një rast, një gjykatës do ta trajtojë në mënyrë të drejtë shqiptarin. Pra është thjesht mungesë besimi në sistemin gjyqësor. Në tërësi në Serbi ekziston një mungesë besimi në sistemin gjyqësor, sepse lëndët prolongohen me vite e vite. Megjithatë nuk kemi rrugë tjera, këto janë rrugët që duhet ndjekur dhe nuk mund ta çojmë as edhe një lëndë në Gjykatën e Strazburgut nëse nuk ndiqen procedurat e brendshme. Prandaj është obligim të ndiqet kjo procedurë, në mënyrë që të krijohet hapësira që lënda ose ndoshta së paku një lëndë të shkojë në Gjykatën e Strazburgut, e që, qoftë edhe me një lëndë, do të ndërtohej një precedan i ri i cili e detyron Serbinë ta ndërpresë këtë praktikë.

Jo vetëm në Luginë, por edhe në Kosovë vërehet migrimi i qytetarëve. Në Serbi, përkatësisht në Luginë, sa vërehet migrimi, pasi e dimë se viteve të fundit shtetet e Bashkimit Evropian kanë ofruar mjaft viza pune? Sa po vërehet, zotëri Kamberi, migrimi i të rinjve nga Lugina?

Shaip Kamberi: Migrimi po vërehet sidomos te të rinjtë, sepse tek ata ndikon çështja e punësimit dhe në radhë të parë ndikon çështja e mosnjohjes së diplomave. Një numër i madh i të shkolluarve që për 15 vjet s’kanë arritur ta realizojnë të drejtën e vet në punësim për shkak të mungesës, mospranimit të diplomës, kanë vendosur dhe janë larguar. Pasivizimi është një metodë, kjo e migrimit është metoda tjetër e qëllimit strategjik të Serbisë për ta shpopulluar Luginën e Preshevës. Prandaj, ajo që po e themi që Kosova dhe Shqipëria kanë obligim të ndërtojnë programe shtetërore për ta ndihmuar Luginën e Preshevës, ka për qëllim për të ruajtur popullatën shqiptare, sepse po dëmtohet seriozisht bërthama kombëtare. Dhe nëse nuk e ruajmë, atëherë nuk mund të flasim për Preshevën dhe Medvegjën shqiptare.

Zotëri Kamberi, ndoshta po kthehem përsëri qysh në fillim dhe po insistoj edhe pse është çështje politike, por pse shqiptarët në Luginë kur vjen çështja te zgjedhjet nacionale, jo lokale, pse nuk i harrojnë, pse nuk i lënë anash të gjitha interesat individuale që i kanë dhe të bëhen bashkë e të bëhen edhe më të fuqishëm e t’i tregojnë edhe Serbisë se ne jemi bashkë, pavarësisht presionit, pavarësisht spastrimit etnik administrativ e të gjithave që është duke i bërë?

Shaip Kamberi: Çështja e zgjedhjeve nacionale ose parlamentare ka qenë problematike në 33 vjetët e fundit të ekzistimit të sistemit shumëpartiak. Shumica e partive i kanë bojkotuar këto zgjedhje me arsyetimin se nuk ia vlen të marrësh pjesë në një shtet diskriminues. Prej 2020-shit ka filluar pak një trend ndryshe ku të gjitha subjektet kanë vendosur të marrin pjesë. Tash këto përçarjet janë të zakonshme, nuk janë vetëm te ne. Janë në Prishtinë, janë në Tiranë, janë në Maqedoninë e Veriut, janë në Mal të Zi, ku faktikisht periferia e ndjek një trend i cili krijohet në qendër. Ndikimet janë të shumta, interesat janë të ndryshme dhe të gjitha këto kanë ndikuar që edhe kësaj radhe të mos kemi një listë. Mendoj se përfundimisht këto zgjedhje dëshmuan qartë se cili është opsioni politik që e duan shqiptarët dhe mbas cilit opsion politik do të duhet të radhiten partitë. Mendoj se edhe ata në Prishtinë ose në Tiranë që kanë pasur dilema se ku është fuqia politike në nivel qendror, s’po flas për zgjedhje lokale, tashmë e kanë më se të qartë se, ku duhet orientuar mbështetja dhe çfarë orientimi politik duhet mbështetur. Shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit që na kanë gjetur në një stad të tillë dhe në zgjedhjet e tjera të radhës të kemi një situatë krejtësisht tjetër. Sepse ne kemi dy parti të tjera që ishin në një listë tjetër dhe kemi një parti të kryetarit të Bujanocit, i cili fare s’mori pjesë në zgjedhje. Ai personalisht ka dalë, ka dalë me familjen e vet dhe me ca bashkëpunëtorë, por si parti nuk është radhitur as në njërën e as në tjetrën listë. Edhe kjo ka ndikuar të mos kemi numër të mjaftueshëm të votave.

Në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që janë, a do të kandidoni përsëri?

Shaip Kamberi: Unë e kam obligim moral që vendimin përfundimtar ta them në partinë time dhe ta them edhe publikisht, por mendoj se Lugina e Preshevës ka nevojë për kuadro dhe ata kuadro duhet të ndërtohen. Kuadrot nuk mund të ndërtohen nëse nuk i fut në “zjarr”, siç e ka ushtria amerikane një ushtrim me zjarr, që thonë se pa i fut ushtarët në zjarr nuk e di se çfarë ushtarë janë. Kështu që koha është të mendoj për gjeneratat e reja, koha është të mendoj të lëshoj rrugë. Unë kam ndjekur një parim sa i përket kandidimit tim për zgjedhje komunale, kam qenë dy mandate kryetar komune, mandatin e tretë nuk kam pasur asnjë pengesë brenda partisë që të jem sërish kandidat, kam pasur mbështetjen e të gjithëve, por kam vendosur që më nuk do të garoj. Kështu që edhe këtu, por vendimin përfundimtar do ta jap në strukturat e partisë.

Më e lehtë të jesh kryetar i Bujanocit apo përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë?

Shaip Kamberi: Problemet e shumta çfarë ekzistojnë në nivel lokal, meqenëse kryetari i komunës në fakt është menaxher, nuk është politikan, mendoj se janë më të rënda, sepse njerëzit krijojnë pritshmëri shumë të mëdha, edhe komunat e tona janë të varfra dhe nuk kanë mundësi t’i përmbushin të gjitha ato. Në anën tjetër, vështirësitë që ka një deputet shqiptar në mesin e një parlamenti me neoçetnikë, nuk është e lehtë. Por në aspekt profesional, mua më tepër më përshtatet kjo detyrë (deputet), sepse ndoshta edhe një kohë të gjatë që kam punuar në të drejtat e njeriut, drejtpërdrejt angazhimin në politikë, më tepër me fle kjo punë sesa kryetari i komunës.

Për fund, cili është mesazhi juaj, zotëri Kamberi, për vitin 2024 për të gjithë shqiptarët?

Shaip Kamberi: Gjithë shqiptarët i pret gjithandej punë. Në Kosovë – marrëveshjen me Serbinë, Shqipëria – avancimin drejt Bashkimit Evropian, në Maqedoninë e Veriut – ngritja edhe më e madhe e statusit të shqiptarëve, në Mal të Zi – po ashtu faktorizimi më i madh i shqiptarëve dhe në Luginë të Preshevës unë shpresoj në një afrim sa më të madh tonin në radhë të parë me Prishtinën dhe Tiranën dhe bashkë me to, një avancim të statusit tonë. Shpresoj që viti 2024 të jetë shumë më i mirë për shqiptarët gjithandej. Uroj që të kenë secili edhe në familje, edhe në aspiratat e përgjithshme suksese më të mëdha. Pavarësisht se jemi shumë më mirë se çfarë kemi qenë, prapë mendoj se jemi shumë larg nga ajo që duhet të jemi. Kështu që na pret mjaft punë. Uroj që të jetë vit i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë.

VIDEO BONUS: Nisen për në Vjenë 50 qytetarë që fituan udhëtimin nga Qeveria