Serie A

Juventusi po planifikon mesfushën e re për edicionin e ri

Për t’u vlerësuar ecuria gjyqësore e Pobgas dhe mundësi për të gjetur një akord me mamanë menaxhere të Adrien Rabios. Klubi synon t’i japë edhe të paktën gjysmësezoni kohë Carlos Alkarazit, teksa Weston Mekeni do të shitet nëse nuk rinovon me kushtet aktuale (2.5 mln në sezon).

Në këtë situatë, Juvja duket e detyruar të ndërtojë një mesfushë thuaje të re dhe alternativat në treg nuk mungojnë. Pavarësisht se fillimisht duhet zgjidhur enigma e trajnerit pasi nuk dihet nëse do të vazhdohet me Alegrin apo do të kërkohet një profil i ri me Tiago Motën në krye të listës.

PËRPARËSI – Llazar Samarxhiç dhe Teun Kopmainers janë ëndrrat e mëdha. Jo vetëm për nga cilësia që mund të sillnin te 36 herë kampionët e Italisë, por edhe sepse kushtojnë. I pari mund të largohet nga Udineze për rreth 30 milionë euro, teksa Atalanta kërkon të paktën 50 milionë për një nga shokët më të talentuar të Berat Gjimshitit. Matia Soule mund të përdorët si mjet shkëmbimi për të ulur disi shifrat në të dyja rastet, por qartësisht duhet bindur edhe argjentinasit që ka shumë oferta falë sezonit brilant me Frozinonen.

INVESTIM – Sergej Milinkoviç-Saviç ka të gjitha shanset për t’u bërë një nga protagonistët kryesorë të merkatos. Mesfushori serb, në fakt, synon të largohet nga Arabia Saudite një vit pas zbarkimit të tij atje, gjë që ka ngjallur interes masiv nga ekipe si PSG e Junajtid, të cilave tashmë u është shtuar edhe Juventusi. Klubi bardhezi ka riaktivizuar opsionin për të nënshkruar me mesfushorin, për të cilin kishin shfaqur tashmë interes në vitet e mëparshme. Bardhezinjtë do ta donin lojtarin në formë huazimi, ose duke shkëmbyer me Arthurin, i cili mund të pranonte opsionin arab në këmbim të një rroge të lartë.

NË PRITJE – Zhorzhinjos i përfundon kontrata në fund të sezonit me Arsenalin dhe italo-braziliani po mendon të shfrytëzojë rinovimin e njëanshëm nëse merr garanci minutazhi. Përndryshe, duket i hapur për tu kthyer në Itali ku Juventusi përbën një mundësi të mirë e për më tepër që aty do të gjente Kristiano Xhuntolin, ish-drejtorin e tij në kohët e Napolit. Në ditët e fundit, mësohet gjithashtu se Juves i është vetofruar Tiago Alkantara por ishmesfushori i Barcelonës nuk i intrigon drejtuesit të cilët kanë dyshime për integritetin e tij fizik.