Basketboll

Java e 24-t në Superligë mbyllet sonte, vëmendja te derbi Ylli-Prishtina

Java e 24-t në Superligën e Kosovës në basketboll do të mbyllet ditën e sotme, me dy ndeshje që janë në program për t’u zhvilluar.

Padyshim se vëmendja do të jetë në palestrën “13 Qershori”, aty ku do të përballen Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina, me fillim prej orës 17:00.

Ky duel do të jetë direkt edhe për vendin e tretë në tabelë. Të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 37 pikë, me bilanc prej 14 fitoreve dhe nëntë humbjeve.

Kjo javë do të mbyllet me ndeshjen mes Bashkimit dhe Istogut, që do të zhvillohet nga ora 19:00, në “Sezai Surroi”.

Prizrenasit janë në vendin e gjashtë me 31 pikë, me bilanc prej tetë fitoreve e 15 humbjeve, derisa istogasit janë në vendin e fundit me vetëm një fitore e 22 humbje, ku fitoren e vetme e kanë pikërisht ndaj Bashkimit.

Istogu ka 24 pikë.