Deputeti i PDK-së

Hoxhaj: Letra e Scholzit, Macronit dhe Melonit është një veto e re për Kosovën – Kurti e ka bllokuar shtetndërtimin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur për Qeverinë Kurti dhe qeverisjen e saj.

Hoxhaj është shprehur se ajo se çfarë ka ndodhë në këto tri vitet e fundit me qeverisjen Kurti është ndarja në gjysmë e shtetndërtimit të Kosovës.

“Nëse nuk ka asnjë njohje dhe s’ka asnjë njohje, dhe s’ka me pas asnjë njohje, nëse nuk ka asnjë anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare dhe dështimi i Kosovës në Këshill të Evropës, nëse nuk ka marrje të statusit të kandidatit për Bashkim Evropian, nëse ka një marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, e cila marrëveshje ia ka bërë një dëm kolosal Kosovës që nuk e kërkon as njohjen e ndërsjellë, nuk është as marrëveshje obligative ligjore… pra të gjitha këto flasin që gjatë qeverisjes Kurti, në fakt shtetndërtimi i Kosovës është ndarë në gjysmë”, u shpreh Hoxhajnë një intervistë për Telegrafi.com.

Anëtari i kryerisë së PDK-së tutje shtoi se shtetndërtimi i Kosovës në këto tri vitet e fundit është projekt i bllokuar.

“Në këto tri vitet e fundit shtetndërtimi i Kosovës si projekt është i bllokuar është ndarë në gjysmë dhe ky është dëmi më i madh që ndonjë Qeveri nga 2008 ia ka shkaktuar vendit dhe është dëmi i cili në fund të ditës i përmbush vetëm interesat e armiqve të shtetit të Kosovës, assesi të qytetarëve, assesi të Kosovës së pavarur”, tha Hoxhaj.

Duke folur për politikën e Jashtme të vendit, ish-ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në Telegrafi theksoi se gabimet që i ka kryer kjo Qeveri në rrafshin e jashtëm politik kanë bërë që shtet dërtimi i Kosovës t’i ngjajë një entiteti sesa një shteti.

Hoxhaj komentoi edhe letrën e dërguar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni.

Ai tha se kjo letër është një veto e re e shteteve sponsore evropiane të pavarësisë së Kosovës.

Ajo letra e famshme e Scholzit, Macronit dhe e Melonisë e di çka flet ajo? Nëse Kosova në Këshill të Sigurimit të OKB-së e ka pas veton ruse dhe kineze që ne mos të anëtarësohemi në OKB, të cilët kanë qenë partnerë të Serbisë,  letra tash është një veto e re e shteteve sponsore evropiane të pavarësisë së Kosovës, në raport me anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj shtoi se kudo që do të lëvizë Kosova në vitet e ardhshme, atë letër do ta kenë si kusht, qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës qoftë për organizata jashtë Evropës, qoftë për marrjen e statusit të kandidatit.

“Prandaj edhe dëmet të cilat janë ba në këto tri vitet e fundit janë dëme të cilat e tejkalojnë imagjinatën që një qeveri e një vendi të pavarur mund t’a bënte Republikës së Kosovës nga 2021-2024. Kjo ka ndodhë sepse zoti Kurti, sa ka qenë në opozitë, në të gjitha temat e politikës së jashtme, ka pasur një qasje të gabuar ka vazhduar që të ketë një qasje të gabuar edhe pas marrjes së Qeverisë Kurti një dhe dy dhe një mungesë e qartësisë së plotë të asaj se çfarë po ndodh në rrafshin ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.