Hetimi i CNN: Protestuesit e arrestuar në Iran përdhunohen nga policia

“Ata zgjidhnin gratë që ishin të bukura dhe i përshtateshin orekseve të tyre dhe më pas merrnin njërën prej tyre në një dhomë private, ku e përdhunonin”, tregon ajo. 

Hana nuk është vetëm dëshmitare, por edhe viktimë e abuzimit: “Më vjen turp të flas për këtë. Mund të shihet ende se çfarë më bëri polici. Është një njollë e purpurt, prandaj e mbuloj. Ai më sulmoi”.

Më pas, një sherr kishte shpërthyer me një tjetër protestues dhe agresori ishte larguar. Hana rrëfen se ishin gjithsej 4 dhoma private të marrjes në pyetje, ku ishin përdhunuar shumë gra. CNN arriti të lokalizonte rajonin e policisë përmes përshkrimit të Hanës dhe bashkëpunimit të dëshmitarëve. Gjendet në lagjjen e Eslamabad, në Urmia. Bazuar tek kjo dëshmi dhe tek një numër burimesh, CNN hedh dritë tek një model i ri represioni: rajonet e policisë përdoren si pika filtrimi që zhvendosin protestuesit nga një zonë në tjetrën, ndërsa familjarët shpesh nuk njoftohen mbi vendndodhjen e të dashurve të tyre. Një parti opozitare kurde me bazë në Irak, ka identifikuar mbi 240 vetë që besohet se janë zhdukur në labirintin e qendrave të burgimit.

Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se numri është me i lartë, me mijëra. Disa nga viktimat janë të moshës 14-vjeçare, ndërsa shumë prej tyre burra që kanë mbështetur protestueset gra. Ndëshkimet për ta janë po aq të rënda sa për gratë.

“Ata sollën 4 burra të cilët ishin rrahur e që ulërinin në një qeli tjetër. Një prej burrave të torturuar u shoqërua në dhomën e pritjes, ku isha dhe unë. Më tha se po përdhunonin dhe burrat”, thotë një dëshmitar. 

Bazuar tek dëshmitë, CNN gjurmoi vendndodhjen e një godine të inteligjencës ushtarake të Iranit. Një 17-vjeçar iranian i dërgoi një mesazh zanor CNN pas burgosjes së tij: “Kur një roje e sigurisë më dëgjoi që flisja për përdhunimin me të dënuar të tjerë, më torturuan e përdhunuan sërish”. 

Shumica e incidenteve të dhunës seksuale në qendrat e burgimit kanë ndodhur në zona me shumicë kurde në perëndim të Iranit, zonë e shenjuar historikisht nga represioni. Rrënqethëse dëshmitë, se në disa raste përdhunimet ishin regjistruar dhe përdorur për të shantazhuar protestuesit. Por, dhuna nuk kufizohet vetëm tek komunitetet kurde, por edhe në zona të tjera ku protestat janë më intensive, si këtu në kryeqytetin Teheran.

Një prej këtyre historive është ajo e Armita Abbasi. Një 20-vjeçare normale që i pëlqen të ndajë në mediat sociale dashurinë për kafshët dhe muzikën. Në postime, ashtu si shumë të reja të tjera në Iran, kritikonte hapur regjimin pas nisjes së protestave. Por, ndryshe nga shumica, e bënte pa ruajtur anonimitetin. Nuk u desh shumë para se forcat e sigurisë ta gjenin dhe ta arrestonin. Abbasi u zhduk e menjëherë më vonë, interceptime të deklaratave të mjekëve që e kishin vizituar nisën të qarkullonin në rrjet.

“Ajo ishte pacientja ime. I shkova pranë shtratit. I kishin qethur flokët. Dukej e frikësuar dhe dridhej. Kur ajo erdhi fillimisht kishte gjakderdhje për shkak të përdhunimit të vazhdueshëm”, thotë mjeku.

Detajet u konfirmuan nga CNN edhe nga një person i brendshëm në spitalin Imam Ali, ku e reja ishte dërguar për ekzaminim. Në një deklaratë, qeveria tha se Abbasi ishte trajtuar për probleme me tretjen, diçka që përgënjeshtrohet nga mjekët që e kanë trajtuar. Regjimi i Iranit mohon përdhunimin dhe e akuzon adoleshenten për drejtim të proestave. Për këtë akuzë mund të përballet me dënimin me vdekje. /A2CNN