Henry Kissinger: Tre rezultatet e mundshme të luftës në Ukrainë

“Spectator”

Zoti Kissinger, në Forumin e Davosit ju thatë se vija ndarëse midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të kthehet në statuskuonë e vjetër, pasi synimet përtej kësaj pike në këtë luftë, mund ta shndërrojnë atë në një luftë jo për lirinë e Ukrainës, por në një luftë kundër vetë Rusisë. Ju u kritikuat për këtë nga shumë njerëz, përfshirë presidentin ukrainas Zelensky. Si do ta gjejë bota një ekuilibër të ri pas kësaj lufte?

Me deklaratën në Davos, synoja të vija në dukje se duhet qartësuar çështja e synimeve në këtë luftë, përpara se zhvillimet në terren ta bëjnë atë politikisht të pamenaxhueshme. Kur Zelensky reagoi, ai nuk e kishte lexuar me saktësi atë që unë kisha thënë. Në deklaratat e tij të fundit,

në thelb ai e ka pranuar atë që unë thashë në Davos.

Në një intervistë për “Financial Times” më 7 qershor, ai e pranoi në thelb kuadrin bazë. Dhe korniza bazë është kjo: tre janë rezultatet e mundshme të kësaj lufte. Në rast se Rusia qëndron aty ku është tani, do të ketë pushtuar 20 për qind të Ukrainës dhe pjesën më të madhe të rajonit Donbasit, zonën kryesore industriale dhe bujqësore, si dhe një rrip toke përgjatë Detit të Zi.

Pra, nëse qëndron atje do të jetë një fitore për Moskën, pavarësisht gjithë pengesave që hasi në fillim. Dhe roli i NATO-s nuk do të jetë aq vendimtar sa mendohej më parë, raporton abcnews.al.

Rezultati i dytë është një përpjekje për ta dëbuar Rusinë nga territori që kishte fituar para kësaj lufte, përfshirë Krimenë, dhe ku më pas do të lindë çështja e një lufte me vetë Rusinë, nëse vijon konflikti aktual.

Dhe rezultati i tretë, për të cilin fola në Davos, dhe që sipas përshtypjes time e ka pranuar tani edhe Zelensky, është që: nëse populli ukrainas mund ta pengojë Rusinë të arrijë ndonjë pushtim ushtarak, dhe nëse vija e betejës kthehet në pozicionin ku nisi lufta, atëherë agresioni aktual do të jetë dukshëm i mposhtur.

Ukraina do të rindërtohej në formën që ishte kur filloi lufta: në vijën e betejës pas vitit 2014. Ajo do të riarmatosej, dhe do të lidhej shumë ngushtë me NATO-n, edhe duke mos qenë pjesë e saj. Çështjet e mbetura mund t’u lihen negociatave. Do të kishte një situatë të ngrirë për një fare kohe. Por siç e kemi parë me ribashkimin e Evropës, pas një periudhe kohore, mund të arrihet diçka e ngjashme edhe me Ukrainën.

Por asnjë nga këto 3 rezultate, nuk e ndëshkon vërtet Putinin për agresionin e tij, apo jo?

Përkundrazi. Në rast se lufta përfundon siç e kam përshkruar në Davos, mendoj se do të jetë një arritje thelbësore për aleatët. NATO do të forcohet me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë, duke krijuar mundësinë e mbrojtjes së vendeve baltike.

Ukraina do të ketë forcën më të madhe tokësore konvencionale në Evropë të lidhur me NATO-n apo me një anëtar të saj. Për herë të parë në historinë e dekadave të fundit, Rusisë do t’i duhej të përballej me një nevojë për bashkëjetesë me Evropën si një entitet, në vend se Amerika të jetë elementi kryesor në mbrojtjen e Evropës me forcat e saj bërthamore.

Kohët e fundit u përkujtua 50-vjetori i vizitës suaj sekrete në Kinë në shkurtin e vitit 1972, dhe që atëherë ju keni qenë shumë i angazhuar me Kinën. Si duhet të sillet sot Perëndimi me Kinën?

Historia e Kinës përgjatë mijëra viteve, është ajo e një vendi dominues në rajonin e tij. Kjo ka krijuar një stil të politikës së jashtme, ku ata e kërkojnë ndikimin e tyre përmes shkallës së arritjeve, madhështisë së sjelljes, të përforcuar aty ku është e nevojshme nga forca ushtarake, por jo e dominuar prej saj.

Prandaj, një politikë afatgjatë me Kinën ka nevojë për dy elementë: njëri është forca e mjaftueshme ushtarake, në mënyrë që fuqia kineze të përballet kudo që shfaqet në mënyrë dominuese. Por në të njëjtën kohë, edhe një koncept në të cilin Kina mund ta gjejë veten e trajtuar si e barabartë dhe si pjesëmarrëse në sistemin global.

Nuk mendoni se administrata e Joe Biden po e bën këtë me sukses për momentin?

Duket se ajo po përpiqet të fillojë një dialog me Pekinin. Por administrata e nis zakonisht me një deklaratë mbi gabimet e kinezëve. Vënia e theksit mbi çështjen e Tajvanit do të prodhojë përplasje. Unë nuk e di se çfarë do të dalë nga diskutimet që duket se do të zhvillohen midis palëve, por për momentin mendoj se jemi të frenuar për të arritur diçka pozitive.

A mendoni se administrata Biden po bën një punë të mirë me bisedimet që po zhvillon me Iranin, për programin e tij bërthamor?

Unë kam pasur shumë dyshime mbi marrëveshjen e parë të vitit 2015. Mendoja se premtimet e Iranit do të ishin shumë të vështira për t`u verifikuar. Bisedimet krijuan vërtet një model, në të cilin mund të ishte ngadalësuar paksa programin bërthamor, por ishte bërë më i pashmangshëm. Si rezultat, vendet në rajon, veçanërisht Izraeli – armiku kryesor i Iranit – por edhe Egjipti dhe Arabia Saudite – të cilët ata i shohin si konkurrentët kryesorë – do të nxiteshin të reagonin në mënyra që mund ta bënin situatën shumë më shpërthyese.

Problemi me bisedimet ekzistuese, është se është shumë e rrezikshme t’i rikthehemi një marrëveshjeje që ishte e pamjaftueshme që në fillimet saj, dhe ta modifikojmë atë në një drejtim që e bën atë në dukje më të tolerueshme për kundërshtarin. Unë nuk i kam parë ende kushtet, por nuk ka në fakt asnjë alternativë për eliminimin e mundësisë që Irani të prodhojë bombën bërthamore.

Nuk ka asnjë mënyrë që të kemi paqe në Lindjen e Mesme me armët bërthamore në Iran, pasi para se të ndodhë kjo, ekziston një rrezik i lartë i një sulmi parandalues nga Izraeli, pasi ky i fundit nuk mund të presë vendosjen e pengesave ligjore. Ai nuk ka luksin të përballojë një sulm bërthamor nga Irani.

Në intervistën tonë të fundit në vitin 2014, ju e përmendët luftën në hapësirën kibernetike si kufirin e ardhshëm. Sa serioz mendoni se është aktualisht ky kërcënim?

Unë mendoj se teknologjia po prodhon imperativë të konfrontimit dhe një kapacitet ekstrem për ta shkatërruar qytetërimin siç e kuptojmë ne sot. Rreziqet shtohen nga fakti se nuk ka një përvojë të përdorimit të këtyre armëve. Kombinimi i destruktivitetit të tyre dhe autonomisë së këtyre armëve, që zotërojnë aftësinë për të zgjedhur vetë objektivin e tyre dhe aftësinë për të përcaktuar rrezikun e tyre, imponon domosdoshmërinë për ta kufizuar shtrirjen e tyre.

Por kjo nuk po ndodh në këtë moment. Nuk ka diskutime midis vende që e zotërojnë teknologjinë e lartë. Kjo është një nga detyrat kryesore për fazën tjetër të politikës së jashtme, e cila nuk mund të shmanget. Pyetja e vetme është: A do të ndodhë pas ndonjë fatkeqësie apo para saj?

Marrë me shkurtime.