Ura e Ibrit

“Hapje e koordinuar”: A po përfundon hapja e urës së Ibrit si temë në dialog?

Çështja e hapjes së urës së Ibrit në Mitrovicë duket se do të riaktualizohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pas disa deklaratave nga Kosova, të cilët paralajmëronin për hapjen e shpejt të urës së Ibrit, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, por edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Duket se ndërkombëtarët janë në një linjë, duke kërkuar që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Duke parë qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe kërkesën që hapja e urës së Ibrit për qarkullim të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel, duket se gjasat sugjerojnë që kjo temë do të mund të disktohet në Bruksel.

Sidoqoftë, për çështjen e urës së Ibrit ka folur edhe i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Gjatë qendrimit të tij të sotëm në Kosovë, Lajçak vlerësoi se çështja e urës së Ibrit mund të diskutohet në Bruksel, nëse palët dëshirojnë të diskutojnë mbi të. Lajçak ka rikujtuar se hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.

“Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta adresojnë çështjen në dialog dhe të përmbahen nga veprime të pakoordinuara. Nuk është asnjëherë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e ures së Ibrit, mund të çojë në incidente të sigurisë dhe ta komplikojë edhe më shumë procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshje në kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja nga 2015 dhe 2016. Edhe pse pajtohem se ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar këtë për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në një mënyrë të pajtueshme dhe të koordinuar. Çfarëdo vendimi në lidhje me urën së pari duhet të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, jam i lumtur që ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të kryengociatorëve.” – ka thënë ai për “Kosovo Online”.

Edhe komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është pajtuar me një qasje të tillë. Ata kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ata përsëritën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin NATO e mbështet, përfshirë përmes përpjekjeve të KFOR-it. Kjo është kyçe për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime në zonat përreth” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Edhe Gjermania e përkrah BE-në në qëndrimin e saj. Në një përgjigje për Express, Ambasada e Gjermanisë në Kosovës vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafik.

“Duke qenë se kjo është një çështje që ka të bëjë me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim në lidhje me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë” – ka zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boettcher.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka premtuar se çështja e hapjes së urës së Ibrit do të trajtohet me seriozitet.

“Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitiv, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë…Në momentin që do të ketë lëvizje ju do të jeni dëshmitarë të lëvizjeve dhe do t’i shihni” – ka thënë ditë më parë Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.