Gjykimi ndaj Pjetër Shalës vazhdon më 21 gusht

Gjykimi për Pjetër Shalën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë më 21 gusht të këtij viti, pasi seancat për këtë javë janë anuluar.

Po ashtu, eksperti William Goodwin e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, raporton Betimi për Drejtësi.

Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe ekipit të mbrojtjes së Shalës dhe disa në pyetje të mbrojtësit të viktimave Simon Laës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurori Filippo De Minicis e pyeti ekspertin për formimin e tij profesional, ku ai e ka përshkruar veten si gjenetis mjeko-ligjor, që merret me aplikimin e biologjisë molekulare për identifikim të provave që mbeten në vendimin e krimit apo përcaktimin e lidhjes mes personave që jetojnë dhe personave të vdekur.

Ai më tutje pohoi se i është kërkuar të vërtetohen dy ADN të identifikuara dhe tha se është i njohur me metodologjinë e përdorur në dy raportet.

Atij iu paraqitet dy raportet e përgatitura nga ai, i korrikut 2021 dhe ai i vitit 2023, me ç’rast konfirmoi se janë hartuar nga vetë ai si dhe konfirmoi nënshkrimin e tij.

Nga raporti i parë, prokurori i lexoi një pjesë të analizës dhe atë se ‘‘analiza e kromozomit Y i shton peshë hipotezës se subjekti A është babai biologjik i personit nga i cili është marrë kampioni i kockës ose të paktën lidhet nga lidhja e babait’’.

Më tej prokurori pyeti ekspertin se pasi që më 27 qershor 2023 i janë dhënë të dhënat e përdorura të kromozomit Y, a i kishte parë këto të dhëna, ai u përgjigj me ‘‘po’’.

Po ashtu, përgjigja ‘‘po’’ e dëshmitarit ishte edhe kur iu bë pyetja se pas analizimit a është ende i mendimi se analiza e kromozomit Y i shton peshë hipotezës se subjekti A është babai biologjik i personit nga i cili është marrë kampioni nga kocka.

Eksperti Goodëin sqaroi se kromozomi Y sillet ndryshe nga kromozomet tjera, prandaj edhe jep rezultate të kombinuara dhe mënyra si bëhet kjo varet shumë nga komuniteti mjeko-ligjor dhe fakti se ky kromozom nuk shikon thjesht marrëdhënien mes fëmijës dhe babait, por edhe fëmijëve dhe të afërmeve tjerë.

Mënyra për të vlerësuar dhe metoda e pranuar sipas tij është baza e të dhënave YHRD, ku lidhur me raportin e gjasave nëse do bëhej kombinimi i tij, të jepet në raportin e laboratorit çek dhe përllogaritjes së kromozomit Y me qasje konservatore, rezultati sipas tij del 1 me 180.

Po ashtu, ai tha se ka shprehës gjuhësor të proporcionit të ngjashmërisë që lehtësojnë mënyrën e interpretimit.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Leto Cariolou, eksperti pohoi se mund të jetë i mundur supozimi se sasia e ADN-së ka qenë e vogël dhe e dëmtuar në raportin e analizuar të 2009-ës.

Tutje, Goodëin tha se mund të jetë e mundur të ketë humbje të të gjithë treguesve apo humbje të pjesshme kur u pyet se a mund të konfirmonte që sasia e vogël dhe e dëmtuar e ADN-së mund të çonte në dështimin e gjetjes së disa aleleve të pranishme në ADN.

Eksperti Goodëin sqaroi se rënia e aleleve është në rastet kur ata duhet t’i shohin, por që nuk i shohin ose për shkak se kanë qenë të dëmtuara apo s’ka pasur sasi të mjaftueshme të ADN-së.

“Ka raste kur alelet nuk janë të pranishme në këtë profil’’, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a konfirmon se kur ka rënie të aleleve mund të ketë profil të gabuar të ADN-së.

Ai tha edhe se varet nga treguesit e ADN-së a janë të pranishëm në ADN e që mund të ndikojnë në çështjen e pragjeve për dallim të aleleve.

I njëjti u pyet edhe lidhur me rastet e paraqitura në tabelë të raportit nëse mund të përjashtohet apo konfirmohet lidhja prindërore me të dhënat e paraqitura aty.

Për rastin e parë ai tha se ‘‘nuk përjashton paternitetin, lidhjen nga ana e babait, këto tregues kanë një shkallë të lartë të mutacionit…’’.

Për rastin e dytë tha se do të ketë mospërputhje e cila duhet marrë parasysh kur bëhet përllogaritja dhe se nëse janë të mëdha, sipas tij probabiliteti për ngjashmëri është i ulët e po ashtu edhe për rastin e tretë dhe do të bëhet fjalë për mospërputhje që duhet marrë në përllogaritje.

Në vazhdim, kur u pyet se në alelet që nuk janë të pranishme në profilet e babait dhe nënës, a do vinte në përjashtim të farefisnisë, Goodëin tha se mund të ndodhë ajo.

I pyetur nëse në këto raste është e mundur të ketë loguse heterozigotes që janë interpretuar në mënyrë të gabuar si homozigotes, eksperti tha se kjo gjë është e mundur, por do shtonte rezervën që laboratori ta ketë marrë parasysh një gjë të tillë.

Më tej, avokatja Cariolou lexoi një rekomandim nga raporti i vitit 2007 që ka të bëjë me interpretimin e bërë nga Komisioni Ndërkombëtar i Gjenetistëve mjeko-ligjorë për identifikimin e viktimave të katastrofave natyrore.

Ajo lexoi se “nuk është e nevojshme të bëhen gjitha përpjekjet për zmadhim në bankën e të dhënave qendrore nëse një profil konsensus, i analizuar mirë është i pranishëm dhe ekzistojnë të dhënat tjera që mund të analizohen”, duke kërkuar nga eksperti të shpjegojë profilin e konsensusit.

Kurse, eksperti Goodëin sqaroi se profili i konsensusit është ai profil kur është përsëritur analiza e ADN-së, duke shfrytëzuar të njëjtën metodë ose të ndryshme dhe për të nxjerrë profilin e ADN-së, kur në dy raste ka rezultat të pjesshëm, përputhen që të bëjnë profilin e konsensusit.

Ndërkaq, i pyetur se a ka pasur mundësi të shqyrtojë elekrofenoframet e raportit të vitit 2009, ai tha se nuk i është kërkuar një gjë e tillë dhe se nuk mund të japë mendim nëse alelet e elektrofenogrameve janë interpretuar dhe transkriptuar si duhet në raportin e vitit 2023.

Ai po ashtu u pajtua se elektrofenograma është e rëndësishme për interpretim të ADN-së.

Kurse tha se “pa i pasur elektrofenogramet nuk mund të komentoj për këtë”, kur u pyet se a do zotohej për besueshmërinë për rezultate në raporte pavarësisht se nuk i ka pasur elekrofenogramet.

Më tej, prokurori De Minicis bëri pyetjen plotësuese se në bazë të informacioneve, a ka arsye eksperti të besojë se profilet e ADN-së janë nxjerrë në mënyrë të pasaktë nga laboratori çek, e që ai tha se ‘‘nuk kam asnjë arsye se janë bërë gabime nga laboratori çek në bazë të asaj që kam pa’’.

Ndërsa, duke u përgjigjur në disa pyetje të mbrojtësit të viktimave Simon Laës, eksperti Goodëin tha se për laboratorët kriminalistikë është e zakonshme të punohet me materiale të vogla të ADN-së dhe kampionë të degraduar si dhe është e zakonshme po ashtu të punohet me profile të pjesshme.

Duke qenë se trupi gjykues nuk ka pasur pyetje për dëshmitarin, dëshmia e tij ka përfunduar gjatë kësaj seance.

Seancat e planifikuara për 5, 6 dhe 7 korrik janë anuluar dhe se gjykimi ndaj Shalës pritet të vazhdojë më 21 gusht 2023.