Gjykata konfirmon vendimin e KPMSHCK: Qeveria e emëroi kundërligjshëm Kryeinspektorin e Punës

Qeveria Kurti ka marrë sërish një verdikt të gjykatës se ka shkelur ligjin. Gjykata Themelore në Prishtinë(Departamenti për Çështje Administrative) ka konfirmuar vendimin e Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) se emërimi Kryeinspektorit të Punës është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Më 27 prill, gjykata ka vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, me të cilën është kërkuar të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, thuhet në aktgjykimin që gazeta Nacionale e ka siguruar nga burimet brenda gjykatës.

Në aktgjykimin 9 faqesh, gjykata ka arsyetuar vendimin e Këshillit se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës ka qenë e kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Gjykata ka konstatuar se në këtë proces Qeveria nuk e ka respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili kërkon që për pozita të tilla të shpallen konkurse publike.

Sipas aktgjykimit, pretendimet e Ministrisë së Financave për të rrezuar vendimin e KPMSHCK janë të pabaza.

Aktgjykimi ka vlerësuar se vendimi i Këshillit ka qenë i drejt, i bazuar në dispozita ligjore duke e vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe juridike.

“Gjykata konstaton se pala paditëse në asnjë fazë të procedurës nuk ka dëshmuar se lidhur me të gjeturat si në raportim e monitorimit të jashtëzakonshme ka vepruar në kuptim të nenit 32 dhe 40 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, andaj përderisa nuk plotësohen kushtet nga neni 3 dhe 4 i Ligjit për Shërbyesit Civil gjykata konstaton se paditësja nuk ka aplikuar dispozitat përkatëse në procedurën e rekrutimit për pozitat për të cilat janë dhënë rekomandime në raportin e monitorimit të jashtëzakonshëm, e të cilat rekomandime pala paditëse nuk ka dëshmuar se iu është përmbajtur edhe sipas ligjit në piken II të vendimit të kontestuar me padi”, thuhet në faqen 7 të aktgjykimit, duke shtuar se vendi i Këshillit ka qenë në përputhje me ligjin.

“Në këtë kuptim gjykata konstaton se vendimi i të paditurës është vendim i drejt dhe i ligjshëm dhe në kuptimi të nenit 20 paragrafi 5 të Ligjit për KPMSHSK institucioni përkatës i administratës publike është i obliguar për zbatimin e rekomandimeve si të Këshillit, brenda afatit të përcaktuar me vendimin e këshillit. Mbi bazën e konstatimeve si në këtë vendim të kësaj gjykate edhe refuzohet si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit si në dispozitiv të këtij vendimi”, është thënë në aktgjykim.