MASHTI

Gati dy muaj pas fillimit të mësimit, nxënësit ende ballafaqohen me mungesë të librave

Po bëhen gati dy muaj që nga nisja e procesit mësimor në Kosovës dhe nxënësit ende vazhdojnë të ballafaqohen me mungesën e librave shkollorë. Furnizimi me tekste është i mangët sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj dhe se ende nxënësit i kanë pjesërisht tekstet.

Në një prononcim për Ekonomia Online, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë (MASHT) për ndërrimin e furnizimit me tekste shkollore për nxënësit.

Sipas të dhënave që ka Jasharaj, nxënësit nuk i kanë të gjitha librat dhe se kryesisht kjo është vërejtur me klasat e gjashta dhe të nënta pasi librat e rikthyer nga vitet e kaluara, janë të dëmtuar e disa edhe mungojnë.

“Nga raportet që i kemi ne, kjo çështje nuk është përmbyllur as deri në momentin që po flas. Ka furnizim me tekste mirëpo jo në tersi të nxënësve dhe fatkeqësisht kemi nxënës ende nëpër klasa që nuk kanë fare tekste dhe një pjesë tjetër e nxënësve që i kanë pjesërisht tekstet. Problemi më i madh është krijuar veçmas me klasën 6-9 ngase tekstet e përdoruara vitin e kaluar kanë qenë të dëmtuara shumë, e një pjesë nuk janë kthyer fare nga nxënësit paraprak.” – ka thënë Jasharaj.

Tutje, ai ka thënë se probleme me furnizim me tekste shkollore kanë pasur familjet me asistencë sociale.

“Fletoret e punës kanë qenë tepër të dëmtuara dhe nuk janë të përdorshme dhe kjo ka bërë që mësimdhënësit të ndihën keq për nxënësit të cilët fatkeqësisht na vijnë sidomos nga familjet me gjendje të rënduar ekonomike dhe prindërit e tyre nuk kanë pasur mundësi t’u blejnë fletoret e reja.” – ka thënë ai, duke shtuar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të mos e praktikojë edhe vitin e ardhshëm të njëjtën metodë.

Në ndërkohë, sipas një matje statistikore Organizata ETEA të bërë në fillim të muajit tetor, del që 70 për qind e nxënësve shkojnë në shkollë pa i pasur të gjitha tekstet shkollore.

Tutje, në këtë anketë thuhet se 52.6 për qind e mësimdhënëseve “konsiderojnë se vendimi i MAShTI ka pasur ndikim negativ në mbarëvajtjen e procesit mësimor, krahas 14.8% që konsiderojnë se vendimi ka pasur ndikim pozitiv.”

“Lidhur me vendimin e MAShTI për të ndryshuar procesin e furnizimit me tekstet shkollore, 30.4% e mësimdhënësve/eve konsiderojnë se ministria duhet të vazhdojë subvencionimin e prindërve/kujdestarëve/eve për blerjen e teksteve, derisa 69.6% vlerësojnë se MAShTI duhet ta përmbyll këtë proces përmes procedurave të prokurimit.” – thuhet ndër të tjera në gjetjet e organizatës ETEA.

Ndërsa, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore kanë përfituar mbi 81 mijë përfitues, prej 115 mijë që kanë aplikuar në tërësi.

Kujtojmë se këtë vit Ministria e Arsimit kishte zgjedhur metodën që prindërit t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre dhe pastaj të subvencionohet nga shtetit.

Kjo mënyrë e shpërndarjes së teksteve shkollore ishte kritikuar ashpër nga partitë opozitare dhe njohës të fushës për shkak të tollovisë që ishte krijuar dhe për vonesën e njoftimit për mënyrën e re.