FMN

FMN: Ekonomia e Kosovës kërcënohet nga ngritja e çmimeve të mallrave dhe përshkallëzimi i tensioneve në veri

Në një vlerësim të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përshkruar rreziqet dhe mundësitë potenciale të rritjes për ekonominë e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me Serbinë dhe përparimin në proceset integruese të Bashkimit Evropian, si faktor kyç në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Raporti i FMN-së thekson disa rreziqe që mund të ndikojnë në trajektoren ekonomike të Kosovës. Këto përfshijnë potencialin për rritje të çmimeve të mallrave të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike, një ngadalësim në ekonomitë e përparuara evropiane dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.

“Rreziqet për perspektivën ekonomike të Kosovës përfshijnë rritjen e çmimeve të mallrave për shkak të tensioneve gjeopolitike, aktivitetit më të dobët në ekonomitë e zhvilluara evropiane dhe një përshkallëzim të tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet aty.

Megjithatë, në mes të këtyre sfidave, FMN-ja vë në dukje edhe mundësi të konsiderueshme për Kosovën.

Progresi në dialogun me Serbinë dhe avancimi në procesin e anëtarësimit në BE mund të forcojë besimin në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të stimulojë turizmin dhe të mbledhë mbështetje financiare shtesë nga donatorët, duke nxitur rritjen ekonomike.

“Përparimi kyç në dialogun me Serbinë dhe procesin e pranimit në BE mund të rrisë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen”, thuhet në raport.

Vlerësimi i FMN-së nënvizon rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik mes pasigurive globale duke ndjekur në mënyrë aktive rrugët për rritje.

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar, Kreditori Ndërkombëtar ka shfaqur shqetësime në lidhje me tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës. Sipas FMN-së, këto tensione kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të ndërmarrin masa të përkohshme dhe të rikthyeshme në përpjekje për të promovuar de-përshkallëzimin.

“Tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të zbatojnë masa të përkohshme dhe të kthyeshme që synojnë të promovojnë de-përshkallëzimin. Masat nuk kanë gjasa të ndikojnë në perspektivën afatshkurtër, por ato mund të ndikojnë në performancën nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e FMN-së.

FMN megjithatë ka vlerësuar se rritja “rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind këtë vit, e nxitur nga konsumi i fortë privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve”.

VIDEO BONUS: